LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

REPORTAZH- Mes ajrit të pastër dhe pranë liqenit/ Bashkia Pustec çel sezonin turistik me “Bike Tour” në Prespë

7 Qershor 2021, 15:31, Kulturë CNA

Bashkia e Pustecit në qarkun e Korçës, ka çelur zyrtarisht sezonin turistik këtë fundjavë. Ndryshe nga herët e tjera, këtë vit ishte menduar që eventit ti bashkangjitej edhe një simbolikë shumë domethënese.

?Asgjë më fort dhe më bukur se biçikleta si mjeti perfekt për të udhëtuar pranë natyrës dhe në mënyrën më miqësore, nuk mund të përcjellë mesazhin për më tepër dashuri dhe kujdes për mjedisin.?

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Mjedisit, në Parkun Kombëtar të Prespës, është zhvilluar një tur me biçikleta, nën moton e një mjedisi të pastër dhe jete të shëndetshme. Ky event është organizuar nga Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura dhe nën kujdesin e Bashkisë Pustec.

Kanë qënë rreth 40 amatorë të biçikletës dhe adhurues të natyrës, që kanë marrë pjesë në këtë event, të cilët kanë përshruar një distancë prej 16.5 km, duke shijuar kështu bukuritë natyrore magjepsëse që të ofron kjo zonë.

Pali Kolefski, kryetar i Bashkisë Pustec, është shprehur se nuk ka publicitet më të mirë për këtë zonë kaq të bukur, sesa ky aktivitet që përcjell dhe një mesazh shumë të bukur të mbrojtjes së mjedisit.

?Faleminderit për gjithë këta djem dhe vajza që kanë ardhur të marrin pjesë në këtë event. Kjo është mënyra më e mirë për të bërë bashkë Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit dhe çeljen e sezonit turistik, përmes këtij turi me biçikletë?, është shprehur Kolefski.

Më pas ai ka shtuar: ?Nuk ka gjë më të mirë për të bërë një publicitet të sezonit veror, me një simbolikë të tillë. Besoj se do të shijoni natyrën e Prespës dhe ju do jeni ?ambasadorët? që do përçoni tek miqtë dhe të afërmit tuaj, dëshirën për të vizituar Prespën, për të parë bukuritë e saj, kulinarinë dhe trashëgiminë kulturore që ofron kjo zonë.?

Ky aktivitet ndërthur Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit me një mjet transporti kaq dashamirës ndaj natyrës, i cili jo vetëm që është i shëndetshëm dhe kreativ për ju, por ka dhe një ndikim zero në mjedis. Përmes këtij aktiviteti mesazhi që duam të përcjellim tek publiku i gjerë është, të bëhemi më të ndërgjegjshëm ndaj mbrojtjes së natyrës, ndaj mbrojtjes së ekosistemeve të cilët janë thelbësore në jetën tonë“, ka thënë për të pranishmit, Iljon Thanas, drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura Korçë.

Ky event është organizuar me mbështetjen e projektit të KFW ?Rezerva Ndërkufitare e Biosferës Prespë? Faza II dhe ?PONT?.

E pranishme Constanze Schaaff (Drejtuese e projektit të KFW për Prespën), është shprehur se përmes këtij organizimi synohet të promovohet gjithë rajoni i Prespës, i cili ka atraksione të veçanta në çdo sezon dhe mbart vlera të mëdha natyrore e kulturore.

?Jam shumë e kënaqur që jam këtu sot dhe shikoj kaq shumë biçikleta, të cilat për mua janë një mënyrë e transportit të gjelbër dhe është një mundësi shumë e mirë për të shijuar natyrën. Ne kemi një natyrë shumë të bukur dhe kemi shumë vlera kulturore në këtë Park Kombëtar. Unë do ju ftoja që të vinit më shpesh në Prespë, madje përgjatë gjithë vitit, pasi ka atraksione të veçanta në çdo sezon. Shpresojmë të kemi sa më shumë turistë kombëtarë e ndërkombëtarë këtë sezon. Eventi i sotëm është një mënyrë për ne për të shijuar natyrën dhe për të mos e dëmtuar atë?, ka thënë Schaaff.

Pjesëmarrësit në turin me biçikleta, kanë qënë kryesisht nga Korça dhe Devolli, por nuk kanë munguar edhe miq të huaj të apasionuar pas çiklizmit në natyrë. Të rritur e fëmijë, vajza e djem, janë bërë bashkë në këtë aktivitet. Përfaqësuesi i grupit, Tedi Nuholli është shprehur:

?Ky sport kaq i bukur ka marrë një rëndësi të veçantë vitet e fundit. Vetë pjesmarrja e sotme tregon sesa i rëndësishëm është sporti dhe mbi të gjitha mjedisi, qëllimi për të cilin jemi mbledhur këtu. Ka ardhur momenti që të gjithë ne të kthejmë sytë nga mjedisi ku jetojmë, sepse pa të jetë jonë do jetë e mangët dhe për këtë, të gjithë e gjejmë përgjigjen tek shëndeti, tek antistresi, tek gjithçka që ne marrim nga ky pasion.?

Ndaj sipas Nuhollit, ky është momenti që të transmetojmë mesazhe të tilla të fuqishme:

?Ne kemi dy vite që kemi krijuar një grup të disiplinës ?mountain biking? në qytetin e Bilishtit dhe së fundmi edhe në Korçë ka inisiativa serioze për tu zhvilluar si sport. Gjithë qarku i Korçës, ka terrene ekstremisht ideale për tu zhvilluar ky lloj sporti dhe mund të promovohet shumë mirë qoftë turizmi, kulinaria por edhe zhvillimi i biznesit lokal.?

Çiklizmi sipas Nuhollit ndikon shumë në zhvillimin e ekonomisë lokale, si baret, restorantet por mbi të gjitha investon në atë që është më e rëndësishme, shëndeti ynë.

?Të mundim kulturën e kafesë e të qëndruarit pasivë dhe të promovojmë sa më shumë këto lloj sportesh që mbrojnë mjedisin?, ka thënë Tedi.

Nisja e ?Bike Tour? është bërë nga qendra e informacionit në Lajthizë dhe pasi kanë përshkruar një distancë prej 16.5 km, pjesmarrësit kanë mbërritur në fshatin Goricë e vogël.

Aty ata kanë shijuar një program artistik përgatitur nga nxënësit e shkollave të bashkisë Pustec, me folklorin e zonës së Prespës. Gjithashtu ata kanë mundur të provojnë edhe disa nga gatimet tradicionale, duke njohur më shumë gastonominë e kësaj zone të pasur me tradita.

Administrata e Parkut Kombëtar Prespa dhe Komuna e Pustecit kanë bërë përgatitjet e tyre për sezonin turistik duke bërë pastrimin e plazhit dhe fshatrave, si dhe shtigjeve për ecje në natyrë. Në këtë mënyrë gjithçka është gati për të mirëpritur sa më shumë turistë.

Prespa është e gatshme të mirëpresë vizitorë të shumtë gjatë këtij sezoni veror. Sidomos në këtë situatë pandemike, ku kalimi i ditëve të pushimit jashtë në mjedisin natyror është tërheqës.

Vitet e fundit kjo zonë ka nisur të zhvillohet, falë infrastrukturës por edhe investimeve në bujtina familjare. Prespa ofron për vizitorët e saj kapacitete të këndshme akomodimi, kuzhinë të shijshme lokale dhe një numër atraksionesh kulturore dhe natyrore.

Parku Kombëtar ofron një numër shtigjesh të hapura dhe të shënuara për turistët që shijojnë ecjen në natyrën unike të këtij rajoni.

Duke qenë vetëm 30 km larg nga qyteti i Korçës, i cili tashmë është zhvilluar si një nga destinacionet më të spikatur të turizmit në Shqipëri, Prespa do të jetë sateliti kryesor turistik dhe një pjesë integrale e paketave turistike të rajonit të Korçës./CNA.al

 

Lajmet e fundit nga