LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

REPORTAZH- Retro N’Shkodër/ Muzikë Jazz, makina të vjetra dhe veshje të stilit amerikan

31 Maj 2021, 09:19, Kulturë CNA
REPORTAZH- Retro N’Shkodër/ Muzikë Jazz, makina të vjetra

Duket si Shkodra e viteve 20?-30?. A thua se koha ka ndalur! Zona muzeale e Gjuhadolit në Shkodër u gjallërua nga muzika Jazz-Swing shoqëruar me mjetet e koleksionit historik që ia shtuan edhe më shumë bukurinë këtij aktiviteti.

Vajza, gra, djem dhe burra u kthyen pas në kohë ndërsa shijuan pafund aktivitetin ?Retro N?Shkodër? me muzikë Jazz dhe makina të vjetra.

Mjetet e 100 viteve më parë qëndruan poshtë godinave karakteristike në Gjuhadol, një lagje e vjetër e Shkodrës e ndërtuar kryesisht nga i famshi Kol Idromeno dhe ngjanin si skenarët e filmave.

Miqtë e retros, muzikës Jazz dhe pasionantët e makinave të vjetra u përshtatën edhe me veshjen duke na kthyer në një realitet të 100 viteve më parë. Gra e vajza me rruza të kuqe e të bardha, fjongo të ngjyrave të ndryshme në flokë, kapele të stilit të vjetër, fustane e bluza plot hijeshi si dhe këpucë të nxjerra thuajse nga harresa. Djem e burra të kuruar.Mjekër të stiluar, këmisha klasike si dhe pantallona të vjetra. Një klas i vërtetë.

Muzika nuk ndalej në asnjë sekond përgjatë gjithë Gjuhadolit ndërsa e gjithë ajo zonë muzeale qëndroi e mbushur jo vetëm nga shkodranët, por edhe vizitorë të shumtë të ardhura nga qytete të Shqipërisë por edhe nga Kosova, Mali i Zi apo edhe shtete të tjera.

?Jam shumë e lumtur që gjendem sot këtu. Po e shijoj pa masë gjithë këtë mrekulli. Më pëlqen shumë kjo lagje e Shkodrës. Po shijoj pa fund arkitekturën e Idromenos, makina e vjetra që kanë ardhur dhe padyshim muzikën e atyre viteve e cila në fakt nuk vdes kurrë por përkundrazi e ndez gjithnjë atmosferën. Do qëndroj gjatë deri në mbrëmje vonë bashkë me bashkëshortin dhe miqtë e mi për të festuar” u shpreh Valbona Quku, ish volejbolliste e Vllaznisë që dashuron artin dhe gjithçka të bukur.

?Kam ardhur bashkë me vajzën time dhe po festojmë. Jemi duke kërcyer muzikën e vjetër Jazz. Është një rrymë që në fakt unë e pëlqej shumë dhe madje e kërcej edhe në shtëpi shpesh. Na kishin munguar aktivitete të tilla në këtë kohë pandemie ndaj edhe shoh shumë njerëz që kanë mbushur vendin dhe të gjithë janë duke festuar. Shpresoj që të ketë sa më shumë të tilla organizime”, thotë Jozefina Delia e cila po kërcente bashkë me vajzën e saj të vogël, banore e Gjuhadolit.

Gratë dhe vajzat tregojnë edhe për veshjet e tyre specifike, njësoj si në vitet 20?-30?, atë stil amerikan që më pas pushtoi edhe Europën duke mbetur ende ndër veshjet më të bukura.

?Jam munduar që t’i përshtatem stilit të vjetër. Kam shikuar në internet se si visheshin në ato kohe gratë dhe vajzat dhe kam gjetur pothuajse të njëjtat veshje. Është bluzë e atij stili dhe po ashtu edhe fustani. Kam vendosur ta kombinoj me rruzat e kuqe dhe flokët njësoj siç i mbanin në vitet 20?-30‘”, tregon një vajzë e cila ngjante si personazhet e librave.

Preferenca për mjetet e koleksionit historik janë të ndryshme edhe pse të gjitha janë të bukura.

?Kam shumë mjete që më pëlqyen. Gjithsesi më ra në sy një mjet Lincoln shumë i vjetër. Ishte ngjyrë e bardhë, e ruajtur shumë mirë dhe madje në gjendje shumë të mirë. Pata fatin të futem brenda saj dhe të bëj edhe një foto. U kënaqa shumë. Jam një fans i këtyre mjeteve dhe i kam shikuar gjithnjë në internet ndërsa tani mu dha shansi që ta shoh nga afër. E kam shijuar shumë këtë moment”, tregon një zotëri, pasionat i mjeteve të vjetra.

Gjatë orëve të paradites qytetarët shkodran dhe vizitorët nën tingujt e muzikës, shijuan edhe mjetet e koleksionit historik për t’i lënë vendin edhe ndonjë kafeje me miqtë. Asgjë nuk mbaroi me aq sepse pasdite deri në darkë festa vijoi edhe për disa orë të tjera pa ndërprerje ndërsa të gjithë u argëtuan.

?Unë vij nga Amerika. Në fakt jam mësues në Tiranë në një shkollë dhe jetoj prej pak kohësh në Shqipëri. Kisha dëgjuar shumë për Shkodrën por nuk kam qenë asnjëherë. Këtë radhë disa miq më treguan për aktivitetin Retro dhe nuk u mendova dy herë. Erdha bashkë me disa kolegë dhe po kënaqemi. Jemi duke kërcyer pafund, po shijojmë edhe pamjen e grave dhe vajzave që po shkëlqejnë sot si dhe nuk mungojnë birrat. Gjithçka është perfekte këtu në Shkodër dhe do t’ia sugjeroj këtë qytet të gjithëve të njohurve të mi. Një ngrohtësi dhe mikëpritje e jashtëzakonshme. Keni notën 10″, u shpreh një shtetas amerikan i cili punon si mësues në Tiranë në një prej shkollave atje.

?Unë vij nga Italia. Në Itali na mungojnë festat dhe zgjodha të vij në Shqipëri se më kanë treguar është pak më ndryshe. Në fakt qënka shumë bukur. Kam kohë që nuk kam festuar dhe tani po kënaqem plotësisht. Më pëlqen gjithçka, stili i ndërtesave, mjetet e vjetra, veshjet, muzika e vjetër dhe çdo gjë tjetër. Shpresoj të vijojë kështu dhe them se tashmë do vij më shpesh në Shqipëri dhe aq më tepër në Shkodër“, tregon një vizitor nga Italia.

Një pjesë e mirë e Gjuhadolit u mbush me balerinat profesioniste të muzikës Jazz dhe Swing. Vajzat të bukura të veshura me fustane të zeza plot elegancë dhe klas ndezën atmoferën me kërcimet e tyre. Madje shumë të pranishëm iu bashkuan balerinave duke festuar sëbashku.

Qindra fëmijë por edhe të rritur bënë dhurata ose vendosën emrin e tyre në targat souvenir në punishten e improvizuar në një prej bareve në fillim të Gjuhadolit. Vetëm 15 mijë lekë të vjetra kushton një targë souvenir ku mund të shkruash një emër ose simbol për ta bërë dhuratë ose për ta mbajtur në makinë apo shtëpi. Gjatë gjithë kohës punishtja nuk pushoi në asnjë moment nga porositë e shumta të shkodranëve dhe miqve vizitor shqiptar e të huaj.

?Unë vij nga Turqia. Po marr një targë souvenir për t’ja dhuruar të dashurit tim. Ai nuk e di dhe besoj jo vetëm do surprizohet por edhe do i pëlqejë shumë. Festa është shumë e bukur këti. Kam hedhur disa video në instagramin tim dhe miqtë e mi në Turqi janë çmendur. Më kanë shkruar të gjithë duke më thënë se ku ndodhesh dhe se duam të vijmë aty. I thash disave që jeni ende në kohë, merrni avionin dhe ejani e festoni. Shkodra një qytet shumë i bukur dhe festa sonte e jashtëzakonshme“, shprehet një vizitore nga Turqia.

?Unë kam 10 vite që merrem me këtë punishte. Është një pasion i imi që tashmë është kthyer edhe në profesion. Sot jemi lodhur shumë por edhe jemi kënaqur sepse njerëzit vijnë dhe porosisin targat souvenir dhe na falenderojnë pa masë sepse i pëlqejnë shumë. Një targë kërkon 15 minuta për t’u prodhuar dhe kuahdo mund ta marrë sepse nuk është një kohë shumë e gjatë. Porositë që kanë bërë janë nga më të ndryshmet. Emra fëmijësh, emra të familjarëve, numra të ndryshëm që kanë një domethënie apo edhe emra vendesh. Një emër që e kam hasur shpesh në porositë që janë bërë është Rozafa, emri i kalasë në Shkodër“, shprehet mjeshtri Enver Çaushi i cili prodhon targat souvenir .

Retro N?Shkodër u mbyll me një ecje paradë në rrugët e qytetit për të përfunduar në zonën turistike të Shirokës. Ky aktivitet që organizohet nga drejtoria e përgjithshme e transportit rrugor së bashku me Hemingway Tirana dhe një sërë aktorësh tjerë u zhvillua për dy ditë me radhë duke krijuar një atmosferë të bukur në qytet dhe duke tërhequr vizitorë. Në Shkodër të gjithë festuan!/ CNA.al

Lajmet e fundit nga