LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

REPORTAZH- Pogradeci çel sezonin turistik/ Mundësia më e mire për të kaluar pushimet e verës

6 Qershor 2021, 13:44, Kulturë CNA
REPORTAZH- Pogradeci çel sezonin turistik/ Mundësia më e mire

Sezoni turistik u çel sot zyrtarisht në Pogradec, qytet i cili ofron një sërë atraksionesh për të gjithë vizitorët që do ta zgjedhin atë për gjatë muajve të verës.

Me një organizim të mrekullueshëm nga bashkia e qytetit, në sheshin para saj u mblodhën banorët dhe turistë nga Shqipëria dhe Europa të cilët patën mundësinë të shijonin nga afër atmosferën e bukur dhe aktivitetet që nisën që prej orëve të paradites e do të përfundojnë në orët e mbrëmjes.

Një pamje të mahnitshme ofronte liqeni, me varkat në breg e me anijen që do të jetë risi e këtij sezoni turistik. Anije kjo që do të ofrojë për të gjithë qytetarët udhetime drejt Ohrit me një pamje piktoreske e me ajrin e pastër dhe klimën e përshtatshme për ditët e nxehta të verës.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse , kryetari i bashkisë Ilir Xhakolli është shprehur optimist duke uruar një sezon të mbarë për të gjithë pushuesit që do të zgjedhin Pogradecin.

?Meqënëse qyteti jonë hyri në zonën e gjelbërt për sa i përket pandemisë, besoj se do të jetë I tejmbushur me qytetarë nga Shqipëria por edhe më tej për shkak edhe të masave lehtësuese të vendosura nga qeveria. Ne sigurisht që jemi gati për këtë vit, kemi punuar për shumë kohë për të mbajtur pastër bregun e liqenit por edhe gjithë qytetin me ambjentet përreth. Besoj se do të kemi një turizëm të shkëlqyer. Zbukurimet që janë bërë në këtë periudhë sjellin atmosferë shumë të veçantë. Kemi vendosur të krijojmë një kalendar që do të përmbajë aktivitete për 100 ditët e sezonit, dhe kjo do të sjellë më shumë turistë. Nëpërmjet bashkëpunimit tonë me Maqedoninë, me fondet e BE, kemi fituar një traget me vlerë 500 mijë euro që do të vendoset në dispozicion për pushuesit, mbase jo këtë vit por në vijim?, shprehet Xhakolli.

Optimistë për këtë sezon turistik janë edhe operatorët turistikë, gjatë bisedës me pronaren e një hoteli në Pogradec, kemi mësuar se fluksi i turistëve është ndjerë edhe para çeljes zyrtarisht të sezonit. Mimoza Shuli na tregon me shumë kënaqësi situatën e operatorëve turistikë në këto ditë vere.

?Sot është një ditë e veçantë për qytetin e Pogradecit, pasi çelim sezonin turistik, me një atmosferë shumë të bukur e me shumë të ftuar nga rrethet. Pas një pandemie të gjatë, e shohim me optimizëm dhe ky sezon turistik është shpresëdhënës. Në Pogradec të gjitha stafet hoteliere janë vaksinuar me të dyja dozat e vaksinës dhe jemi gati për t?u shërbyer pushuesve. Dje ka qënë një fluks i madh ku hotelet kanë qënë plot, me turistë vendas dhe të huaj por partneri kryesor që ka filluar të frekuentojë Pogradecin është Kosova. Shfrytëzoj rastin t?u bëj thirrje të gjithë turistëve të vijnë në Pogradec, pasi është vendi ideal për pushime?, shprehet Mimoza.

Më e veçanta nga aktivitetet e organizuara mbetet panairi ku promovohet kulinaria pogradecare, punimet me dorë të zonjave nga ky qytet, arte të ndryshme si piktura, poçaria, e këto mund t?i gjenim fare pranë sheshit Odeon. Një zonjë e cila gatuan në një restorant në këtë qytet tregon ushqimet tradicionale që ofrohen për qytetarët.

?Në Pogradec ofrohet lakrori në saç, petullat e fshira, tava e koranit, fasulet në poçe me mish pastërma, po ashtu kulaçi e buka e misrit që janë tradicionale të qytetit. Ka patur shumë qytetarë që na janë bashkuar për të provuar shijen e këtyre gatimeve dhe shpresojmë të kemi akoma më shumë gjatë sezonit turistik. Përshtypjet e qytetarëve që kanë provuar këto gatime janë shumë të mira.?

Gjatë ecjes tonë mes tavolinave ku prezantoheshin kultura të ndryshme të Pogradecit, jemi takuar me drejtoreshën e Qendrës Speciale të personave me aftësi të kufizuara. Anila Bebri na ka treguar diçka shumë të veçantë që është krijuar pikërisht nga disa të rinj të kësaj qendre.

?Ne sot promovojmë pjesën e poçerisë, poçet e baltës të bëra me shumë përkushtim nga të rinjtë e qendrës. Është një projekt i shkurtër 6 mujor, dhe sot jemi në përfundim të këtij projekti, ku sot kemi servirur të gjitha poçet e punuara nga këta të rinj. Kjo është një risi për Pogradecin pasi në qytetin tonë ne nuk kemi një atelie për punimet e baltës. Të rinjtë e kësaj qendre filluan të mësojnë një zanat të ri, ndonëse me pak vështirësi në fillim por të gjithë ja kanë dalë të krijojnë punime shumë të veçanta e të bukura. Ndërkohë që theksoj që kjo duhet të jetë një risi edhe për të rinjtë e tjerë të Pogradecit, dhe kushdo që kërkon të na bashkohet, dyert i kemi të hapura për këdo?, ka treguar Anila.

Gjatë gjithë ditës së sotme, aktivitetet e tjera që janë organizuar nga bashkia e qytetit janë edhe ato sportive, me sporte ujore dhe Kung Fu. Po ashtu u zhvillua edhe kampionati Street Basket me pjesëmarrjen e të rinjve të apasionuar të basketball.

E pika kulmore do të jetë pikërisht mbrëmja e sotme me një concert të kuintetit të harqeve ?Lulebore?, e organizuar nga Qendra Kulturore ?Lasgush Poradeci? në bashkëpunim me Qendrën Albanian Excellence Odeoni. Koncerti do të mbahet në orën 20:00 për të gjithë banorët e Pogradecit, qytetarëve të qarkut të Korçës por edhe vizitorëve që këtë ditë kanë qënë të shumtë./CNA.al

 

Lajmet e fundit nga