LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

REPORTAZH- Muzeu Kombëtar i Arsimit, guida e turistëve në Korçë/ Për herë të parë eskpozohen dokumente perandorake

6 Qershor 2021, 10:23, Kulturë CNA
REPORTAZH- Muzeu Kombëtar i Arsimit, guida e turistëve në

E ndërtuar rreth vitit 1840, kjo është godina ku u hap shkolla e parë shqipe, e njohur si ?Mësonjëtorja e Parë Shqipe?. Sot Muzeu Kombëtar i Arsimit.

Kjo godinë, që tërheq vëmendjen e të gjithë vizitorëve që shëtisin në Zonën Këmbësore, është shndërruar në një symbol të qytetit të Korçës. E gjen në shumë foto, kartolina, apo çdo souvenir kushtuar qytetit juglindor.

Sapo hyn në oborrin e saj ndeshesh me shkronjat ABC që duket sikur flasin për përpjekjet e atyre që luftuan për ruajtjen e gjuhës shqipe.

Ndërtesa karakteristike korçare, ishte pronë e familjes Tërpo, të cilët emigruan në Rumani, ku zhvillonin aktivitetin e tyre tregtar. Kur diskutohej hapja e shkollës shqipe, Diamand Tërpo, djali i familjes, dërgoi një telegram nga Bukureshti, në adresë të Komitetit të Fshehtë Kombëtar që vepronte në Korçë. Aty shkruhej: ?Të zbrazet shpejt shtëpia ime, e të përdoret për shkollë shqipe.?

Kështu në 7 mars të vitit 1887, pas shumë përpjekjeve, nisi funksionimin ?Mësonjëtorja e Parë Shqipe?, shkolla e parë kombëtare e laike, që u pajis me tekstet e lëndëve të ndryshme mësimore në gjuhën shqipe, e ku dhanë mësim metodistë të shquar të arsimit kombëtar shqiptar, personalitete të rëndësishme të jetës politike, shoqërore e arsimore e ku u formuan shumë personalitete e figura kombëtare.

Prej vitit 1967 godina u përshtat si një ambient muzeal, e si i tillë vazhdon të funksionojë edhe sot. Vetëm para pak kohësh, ndërtesa iu nënshtrua një rikontruksioni total, e një rikonceptimi të ekspozimit të të gjitha objekteve dhe dokumentave që ka në fondin e vet.

Në katin e parë të godinës ndodhet ?Dhoma e zezë?, një prej ambienteve që tërheq më tepër vëmendjen e vizitorëve. Shirli Treska, guidë e Muzeut Kombëtar të Arsimit, na tregon se ky ambient i konceptuar nga arkitekti si ?Black Box?, u bën shumë përshtypje të gjithë atyre që hyjnë në muze, kjo për faktin e atmosferës së errët, për shkak se muret janë në ngjyrë të zezë dhe mungon ndriçimi natyral.

Por edhe ndriçimi i drejtuar vetëm tek objektet që janë aty të ekspozuara, ka lënë mbresa tek vizitorët. Një tjetër arsye sipas Treskës, pse kjo dhomë pëlqehet shumë, janë edhe objektet e vendosura, të cilat prezantohen për herë të parë për publikun.

Në dhomën e errët, në njërën anë ndodhet një pikturë me portretin e Anastas Avramidh Lakçe, i cili ishte një bamirës korçar, i cili ishte një ndër shqiptarët e Rumanisë që dha kontributin e tij financiar për hapjen e shkollës së parë shqipe. Piktura me portretin e tij është vepër e piktorit të famshëm shqiptar me origjinë nga Korça Vangjush Mio.

Për herë të parë, sipas Treskës, janë ekspozuar edhe disa dokumenta siç është leja perandorake që u sigurua nga Naim Frashëri në emër të Pandeli Sotirit, për hapjen e Mësonjëtores së Parë Shqipe. Është gjithashtu një deftesë dhe një diplomë e cila merreshe në fundin e vitit shkollor në vitet e para kur ushtronte aktivitetin kjo shkollë.

Në një tjetër faqe muri të kësaj dhome, ndodhen dy fotografi të nxënëseve të Mësonjëtores së Vashave, të bëra në bibliotekën e kësaj shkolle, e cila nuk ishte vetëm e para në Shqipëri, por kolegji i parë për vajza në Ballkan.

Një tjetër objekt i veçantë i ekspozuar në këtë dhomë është edhe bastuni i përdorur nga Jovan Cico Kosturi, një nga themeluesit e Mësonjëtores së Parë Shqipe.

Në dhomën e errët, ndodhet dhe një fjalor enciklopedik 100 vjeçar i gjuhës angleze, i cili i është dhuruar shkollës së vashave nga çifti Phineas dhe Violet Bond Kennedy, dy misionarë protestantë që mbërritën në Korçë në fillim të vitit 1908. Ata morrën në dorëzim drejtimin e Mësonjëtores së Parë Shqipe të Vashave, duke u bërë pengesë serioze e mbylljes së kësaj vatre të gjuhës shqipe dhe emancipimit të femrës shqiptare.

Në katin e parë të ndërtesës ndodhet edhe biblioteka e muzeut, e cila ka në fondin e saj rreth 1500 botime, mes të cilave libra të Muzeut të Arsimit që kanë qënë më parë, rreth 700 botime të dhuruara nga Akademia e Shkencave me rastin e inaugurimit pas rikonstruksionit dhe rreth 250 të tjera të dhuruara nga Ministria e Kulturës. Kryesisht librat janë botime historike, studime albanologjike, akademike si dhe tekste shkollore të cilat mund të përdoren nga nxënës e studentë për kërkimet e tyre shkencore.

Kati i dytë i muzeut përbëhet nga katër dhoma të ndara sipas tematikave të ndryshme: ?Mësonjëtorja e Parë Shqipe?, ?Nxënësit e Mësonjëtores?, ?Mësonjëtorja e Vashave? dhe ?Historiku i Godinës?.

Shirli Treska, guidë e muzeut, thotë se dhoma ?Mësonjëtorja e Vashave? është një tjetër ambient që tërheq vëmendjen e vizitorëve. Në këtë dhomë përmes një video projektori shfaqet një fjalim i Parashqevi Qiriazit, një prej mësueseve të kësaj shkolle. Një material filmik ky i rallë dhe i pashfaqur më parë, i cili është marrë nga Arkivi Shtetëror i Filmit.

Në këtë dhomë janë të prezantuara edhe disa objekte të përdorura nga Sevasti Qiriazi, Persefoni Treni, Lluka Tira, etj, që ishin disa prej mësuesve të parë të shkollës së vashave.

Një model i bangave që janë përdorur në shkolat e para shqipe, është i vendosur në mesin e dhomës tjetër, që ka në brendësi të saj objekte të përdorura nga nxënësit e këtyre vatrave të gjuhës shqipe. Në stendat ekspozuese gjen edhe pllaka grafiti me laps shkrimi, që përdoreshin për shënime nga nxënësit.

Në ballkonin e katit të dytë është shkruar një shënim i Nuçi Naçit, një prej drejtorëve të shkollës, për zyrën e drejtorisë së Mësonjëtores, në të cilin shkruhet: ?Në shkollë dyshemenë e direksisë e kisha bërë gjithë me vidha edhe ndënë dhogat e dyshemesë ishte një depo e madhe prej vivllash, që nuku mundej të shikonin dritën e djellit, pa rezik. E keqja të mson mjeshtërirra.?

Bustet e tre prej drejtuesve të Mësonjëtores, Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi dhe Nuçi Naçi, janë të ekspozuar në dhomën tjetër të katit të dytë. Në të gjenden edhe objekte të përdorura prej tyre ose prej mësuesve të parë si dhe botime të vjetra të asaj kohe.

Në mesin e dhomës qëndrojnë të ekspozuara edhe disa abetare dhe alfabete të Shqipes, të përdorur në mësonjëtoret e para, të gjitha të printuara në një sipërfaqe të madhe xhami, që tërheq vëmendjen e të gjithëve atyre që vizitojnë muzeun.

Tek ?Historiku i godinës? janë të ekspozuara fotot e të gjithë atdhetarëve që dhanë kontributin e tyre e bënë të mundur themelimin e kësaj shkolle. Gjithashtu gjëjmë në këtë ambient të treguar përmes fotove dhe përshkrimeve gjithë rrugëtimin e shkollës së parë shqipe, të gjitha ngjarjet historike që e kanë shoqëruar ndër vite.

Në këtë dhomë gjendet edhe kutia e saksit, një prej veglave muzikore të përdorura nga Banda e Lirisë, themeluar në 1 tetor të vitit 1908, një formacion muzikor e patriotik, i përbërë kryesisht nga nxënës të shkollës shqipe, i cili ka zhvilluar aktivitetin e tij në këtë godinë. Ky objekt i ekspozuar në muze, është i vetmi i mbërritur në ditët tona nga ky formacion muzikor, i ruajtur nga Nikolla Peleshi, ish-pjesëtar i Bandës.

Muzeu Kombëtar i Arsimit, mbetet një nga muzetë më të vizituar në qytetin e Korçës. Pavarësisht kushteve të krijuara nga pandemia e Covid-19 dhe rënies së fluksit të turistëve në qytetin juglindor, pas rikonstruksionit të tij, ai ka tërhequr më tepër vëmendjen e vizitorëve. Shirli Treska na tregon se prej inaugurimit e deri në fund të muajit maj, kanë qënë rreth 1500 persona që e kanë vizituar muzeun, kryesisht turistë që vijnë nga Kosova, Maqedonia e Veriut si dhe nga qytete të ndryshme të Shqipërisë si nga Tirana, Shkodra, Durrësi, Elbasani, etj. Por edhe pse të paktë në numër, sipas Treskës nuk kanë munguar edhe turistët e huaj, të cilët kanë qënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Gjermania, Bullgaria, madje edhe nga Meksika.

Një risi e këtij viti sipas Treskës, është dëshira e madhe e vogëlushëve për të festuar Festën e Abetares në ambientet e muzeut. Gjithashtu sipas saj, nuk kanë munguar gjatë kësaj periudhe edhe grupe të organizuara nxënësish të shkollave të ndryshme të vendit, si dhe studentë të cilët gjatë ekspeditave të tyre mësimore, ndalen edhe tek Muzeu i Arsimit.

Nuk ndodh në fakt, që të kalosh para muzeut e të mos shohësh njerëz në oborrin e kësaj godine, që bëjnë foto krah shkronjave të alfabetit shqip, si për tju treguar të gjithëve se e kanë vizituar qytetin e Korçës./CNA.al

 

Lajmet e fundit nga