LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Reportazh- Art në mur/ Njihuni me të riun korçar që po frymëzon të rinjtë me pikturat 3D

29 Maj 2021, 06:53, Kulturë CNA
Reportazh- Art në mur/ Njihuni me të riun korçar që po

Reportazhin e rradhës vendosëm që t?ia dedikonim një të riu korçar, që njihet jo pak nga artdashësit e qytetit të kulturës e traditës.

Bëhet fjalë për Arjol Pepin, 33 vjeçari i cili nëpërmjet artit të tij po sjell një risi për këtë qytet dhe po frymëzon të rinjtë gjimnazistë. Arjoli prej 5 vitesh është mësues i lëndës së arteve në shkollën e mesme ?Raqi Qirinxhi?, por kontributi që po jep për këtë shkollë dhe nxënësit e saj, e tejkalon të zakonshmen që jemi mësuar të shohim.

Këtë profesion ai nuk e sheh thjesht si një punë, por e konsideron një mision që duhet t?i bëjë nxënësit e tij të komunikojnë me një botë tjetër brenda vetes së tyre.

Duke parë mungesën e aktiviteteve dhe ekspozitave jo vetëm në Korçë por edhe në Shqipëri, duket se figurat e njohura të artit thjesht njihen si emra nga të rinjtë e sotëm, pak prej tyre mund të kenë njohuri të plota për ta.

Lënda e artit është e vetmja që mund t?i afrojë ata me qindra e mijëra punime të famshme të autorëve nga e gjithë bota.

Ndërkohë që, misioni tjetër i Arjolit është të pikasë nxënësit e talentuar, të cilët mund të gjenden në  çdo shkollë, jo vetëm tek gjimnazi që ai ushtron profesionin momentalisht.

E gjithë çështja sipas tij qëndron tek fakti se duhet të evidentohet talenti e më e rëndësishme pas saj, të punosh për t?a shfaqur këtë talent në mënyrën më të mirë të mundshme.

Talentin e tij Arjoli e ka treguar në gjërat e bukura e të veçanta që ai ka bërë që prej kthimit të tij nga kryeqyteti pasi përfundoi studimet në Akademinë e Arteve, talent të cilin e tregon edhe sot e kësaj dite me një risi që ka sjellë për qytetin e Korçës.

Ai e ka kthyer gjimnazin ku punon në një shkollë arti, ndonëse parimisht ky institucion nuk është i tillë. Të gjithë do pyesnim  çfarë ka bërë ky mësues me nxënësit e tij që e veçon nga të gjitha shkollat e tjera të qytetit? Shiheni foton më poshtë:

Në pamje të parë do të mendonim se është një bibliotekë me libra dhe disa banka të vendosura mes saj, por nëse shohim me vëmendje, e dallojmë qartë që ajo bibliotekë është e pikturuar në mur në stilin 3D.

Pikërisht kjo është risia që ai ka sjellë në çdo klasë të gjimnazit, ku së bashku me 15 nxënës çdo vit shkollor, i kanë realizuar për një periudhë 4 vjeçare. Në  çdo klasë, në  çdo kat e në korridorin në hyrje të shkollës do të hasim pikturat murale, secila me një mesazh të përcjellë për llojin e kabinetit në të cilin studiohet.

Arjoli merr shembull kabinetin e gjuhës frënge, ku piktura murale i përket ndërtesave më të famshme në Francë, përfshirë këtu Kullën Eiffel.

Një tjetër kabinet që ka fatin të ketë pikturë murale është ai i letërsisë ku janë pikturuar në mur dhjetra figura të njohura të kësaj fushe. Mënyra se si janë pikturuar këta autorë është tepër e veçantë dhe ka qënë ndër më të vështirat që është punuar nga nxënësit, me ndihmën e Arjolit padyshim.

Arjoli është një ndër të rinjtë që i ka ?dhuruar? qytetit edhe dy piktura murale të cilat mund t?i shohim në muret e dy pallateve në Korçë. E këtu ka qënë pikënisja e të gjithë punës që është ndjekur më pas.

Piktura e parë murale, e cila është e një vajze me tullumbace në dorë, u realizua prej tij në bashkëpunim me nxënësit e shkollës ku ai punon, një bashkëpunim që deri më sot ka qënë në vazhdimësi dhe duket se mes tyre ka një lidhje që s?mund të ndërpritet asnjëherë.

Ndërsa piktura e dytë murale ka qënë një fëmijë me top dhe një pedal makine me një këpucë sipër saj, e realizuar në një pallat në afërsi të unazës së qytetit, për të dhënë mesazhin e kujdesit gjatë drejtimit të makinës.

Për qytetin e Korçës këto kanë qënë të parat që janë realizuar nga një piktor, me qëllimin e vetëm për të promovuar sa më shumë artin dhe për të afruar më tepër të rinjtë drejt tij.

Me keqardhje, Arjoli shprehet se viteve të fundit nuk po i jepet shumë rëndësi konkurseve që dikur bëheshin së tepërmi në gjithë vendin, konkurse të cilat do të nxirrnin në pah talentet e rinj, do të risillnin vullnetin për të pikturuar një botë ndryshe nga ajo që jetojmë, dhe do t?u falnin kënaqësi jo vetëm artdashësve por edhe banorëve që rrallë herë mund të jenë ndeshur me të tilla punime.

Ndërsa e pyesim nëse ka menduar të krijojë ekspozita së bashku me nxënësit, ai na tregon se deri më tani kanë zhvilluar tre prej tyre, me tematika të ndryshme por ajo çka bie në sy tek këto ekspozita janë pikërisht pikturat që nxënësve u është dashur shumë kohë e durim deri në realizim, dhe duket se ja kanë dalë mrekullisht t?a shfaqin talentin në këto punime të vështira duke u kujdesur deri në detaj.

Por nuk mbyllet me kaq, në dy javët e para të muajit Qershor, Arjoli me nxënësit e tij do të shfaqin ekspozitën e katërt për qytetarët korçarë e me këtë rast na fton edhe ne të bëhemi pjesë e saj. Ndonëse pa përfunduar totalisht, ai na zbulon sekretin e tematikës së saj, ku në qendër do të ketë qytetin e Korçës dhe do të quhet ?The Town?.

E nuk na mbetet gjë tjetër veçse të presim çeljen e ekspozitës e ndërkohë të shohim në galerinë më poshtë punimet murale të realizuara nga piktori Arjol Pepi së bashku me nxënësit e shkollës ?Raqi Qirinxhi?./CNA.al

Lajmet e fundit nga