LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Dokumentet ekskluzive-Skandali me tenderin e inceneratorit/ Kompania fituese pa asnjë aktivitet biznesi, shkeljet proceduriale

7 Prill 2020, 14:46, Politikë CNA

Dokumentet ekskluzive-Skandali me tenderin e inceneratorit/ Kompania fituese pa

Koncesionet, PPP-të, janë ato që qeveria i quan zgjidhje të problematikave të çështjeve ekzistuese, ku investon biznesi dhe taksat e qytetarëve paguajnë në vazhdim, janë një skemë e qartë korruptive që nuk fillon dhe nuk përfundon vetëm tek akuzat e hedhura nga palët politike.

Por, që zbulohet duke investiguar rast pas rasti dokumentat. “Ndiq paratë”, dhe në këtë rast ndiq edhe letrat e kompanive që përfitojnë koncesione, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur, si lidhen me njëra-tjetrën, kush janë ato, kush janë përfituesit e parave dhe kompanitë që përfshihen, skemat që përdorin, nga të cilat kupton lehtësisht se gjithçka është pjesë e një klientele të politikës dhe korrupsioni që po të hetohet nga drejtësia rrëzon ministra, e deri te kryeministri.

CNA.al ka kryer një investigim të plotë në lidhje me koncesionin e inceneratorëve, ku rrugës na dolën edhe ortakëri me politikanë, personazhe që sot drejtojnë media, të fshehura në Bullgari, Hollandë e gjetkë.

Problemi i mbetjeve urbane në Shqipëri, është një çështje mjaft delikate dhe një problematikë që vërtetë donte zgjidhje, pasi për shumë e shumë vite plehrat hidheshin e digjeshin nëpër gropa, fusha, lumenj etj., duke ndotur ambientin.

Kompanitë e përpunimit të tyre kanë marrë dhe jetë njerëzish dhe qeveria ndoshta duke gjetur një moment delikat për këtë çështje, duke qënë se ishte kthyer në një problematikë mjaft të madhe, gjeti një “zgjidhje”  të shpejtë, konçesionin.

Me stilin e ofertës së pa kërkuar dhe me justifikimin se do të zgjidhej gjithçka si problematikë, qeveria nxitoi të jepej me koncesion së pari për zonën e mbetjeve urbane Elbasani dhe më pas vazhdoi me Fierin dhe me Tiranën. E para ka përfunduar, dy të tjerat po paguhen me miliona euro pa u ndërtuar.

Elbasani, e cila quhet një histori suksesi, është një koncesion prej 22 milion eurosh që paguhen nga taksat e shqiptarëve me një kontratë koncesionare sipas një VKM-je dhe kontrate në dhjetor të vitit 2014.

Por, si ka lindur kjo? Kush janë akuzat? Pse dyshohet për korrupsion dhe a është një histori suksesi apo dështimi?

Gjithçka ka filluar me themelimin e një kompanie. Ajo quhet Albtek Energy, e themeluar në datën 10 korrik dhe e regjistruar në Qendren Kombëtare të Biznesit në 14 korrik të vitit 2014.

Pas ardhjes së Rilindjes në pushtet themelohet kjo kompani, ku aksionere e vetme është Stela Gugallja, një personazh i panjohur deri në këto moment në fushën e biznesit dhe aktiviteteve tregtare. Të paktën sipas QKB-së, rezulton se zonja në fjalë ka pasur të vetëm tre kompani, të gjitha pas 2014. Një është kjo që përmendem më sipër. Më pas vjen dhe një tjetër që lidhet sërish me skemën e inceneratorëve ku hyn dhe bashkëjetuesi i saj dhe një kompani konsulence financiare, e cila vazhdon të jetë aktive.

Në vitin 2014, në muajin korrik, themelohet kompania dhe më pas, disa muaj më vonë ajo merr kontratën koncesionare për impiantin e përpunimit të mbetjeve urbane, në nënstacionin Fushë Mbret, Elbasan. Kjo sipas ekstraktit të QKR-së, i cili i tregon mjaft qartë këto të dhëna.

Më pas ka disa ndryshime të objektit, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga zonja, e cila ka bërë dhe disa korrigjime në aktet e saj.

Por, çfarë ka ndodhur?

Stela Gugallja, në atë kohë 36-vjeçare, nuk ka pasur asnjë biznes tjetër dhe as ndonjë pasuri të madhe të deklaruar që të shkonte të merrte një koncesion 22 milion euro. Nga hiçi del dhe merr milionba euro? Kush fshihej pas? Një skemë e madhe korrupsioni ku Stela është fasada e lidhjeve të bashkëjetuesit të saj Mirel Mërtiri me nje italian dhe shtetasin Klodian Zoto, por edhe politikanë të cilët janë ndryshuar rrugës. Bie dikush e ngrihet dikush tjetër. Zoto ka rregjistruar kompanine e tij në të njëjtat zyra në Elbasan dhe më pas ka firmosur dy kontrata konçesionare me qeverinë për Fierin, 28 milionë euro, dhe Tiranën 128 milionë euro, ku në skemë përfshihet italiani, Stela Gugallja, Mirel Mërtiri, por edhe qartazi ish-ministri i mjedisit Lefter Koka dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.

Si fillon Elbasani, çfarë ndodh dhe si sigurohen paratë?

Në 16 dhjetor të 2014-ës, Komisioni i Vlerësimit në Ministrinë e Mjedisit ka shpallur fituese kompaninë Albtek Energy dhe në datën 17, një ditë më pas qeveria ka nxjerrë vendimin e Këshillit të Ministrave, për lidhjen e kontratës me kompaninë.

Pra, sapo është shpallur nga komisioni të nesërmen ka dalë VKM-ja.

Fituesi është shpallur në datën 16 dhe deri të nesërmen janë bërë të gjitha këto proçedurat e tjera, nuk është lënë as  koha për ankimim.

Pra, për një procedurë të tillë ligjore duhet një afat i caktuar për ankimimin, më pas jepet dhe afati i caktuar për shqyrtimin e ankesës. Ndërkohë drafti pas shpalljes së fituesit nga Komisioni Vlerësimit çohet për mendim tek institucionet e tjera, pra ministritë e tjera që janë të përfshira në këtë çështje. Pritet përgjigja dhe komentet apo kontestimet që mund të kenë institucionet. Duhet një hartim i plotë i kontratës nga departamentet ligjore, pra nga institucioni që në këtë rast është Ministria e Mjedisit dhe pastaj negociata mes palëve, firmosja e kontratës dhe në fund është miratimi i saj në mbledhje qeverie përmes një VKM-je. Kjo është procedura ligjore.

Asnjë nga këto që përmendëm më sipër nuk ka ndodhur. Por, në datën 16 dhjetor 2014, Komisioni i Vlerësimit ka shpallur fituese Albtek Energy dhe më pas të nesërmen, duke kaluar të gjitha këto hapa, qeveria ka shpallur fituese kompaninë e Stela Gugallës, e cila do të fitonte 22 milion euro nga koncesioni për ndërtimin e inceneratorit të përpunimit të mbetjeve urbane në Elbasan.

Sipas të dhënave, më pas fillojnë procedurat që zonja të tërheqë paratë dhe të fillojë ndërtimin e inceneratorit, sepse në fakt ajo nuk ka asnjë lek. Nuk ka mundësi financiare që të ndërtojë një incinerator.

Por, çfarë zbulojmë?

Gjashtë muaj më pas sipas Regjistrit të Barrëve Siguruese, zonja Stela Gugallja, regjistron një kontratë me koletaral, e cila thuhet se është firmosur me shtetasin italian në 18 qershor 2015, me çelësa në dorë dhe thuhet se në datën 16 dhjetor 2014 me numrin 148009, të datës 18.06.2015, me objekt “furnizim me celësa në dorë të impiantit të përpunimit termik të përpunimit të mbetjeve urbane dhe me fuqi të përpunimit të energjisë elektrike në Elbasan, sipas faturave që do ti bashkëlidhen kësaj kontrate.

Kjo është marrëveshja që Stela Gugallja ka firmosur me një shtetas italian për të blerë, pra për të montuar në Elbasan inceneratorin e djegies së mbetjeve urbane. E gjitha ka ardhur pasi kjo kompani, pra Albtek Energy ka kërkuar para në një bankë të nivelit të dytë, duke mos pasur para për të bërë investimin, një kompani nga hiçi, e filluar nga zero, fiton një kontratë qeveritare koncesionare për 22 milion euro, në pamundësi financiare shkon dhe i drejtohet një banke. Aty merr kredinë, e cila do ta ndihmojë për të bërë investimin më pas. Investim i cili në fakt në të vërtetë do të paguhet nga taksat e shqiptarëve.

Sipas faturave dhe pasqyrave që kompania ka, po të shikosh vitin 2014, kompania del se nuk ka asnjë lek. Është vetëm deklarimi i kapitalit. Para të tjera për këtë kompani vijnë nëpërmjet një marrëveshje siguruese, ku barëdhënësi është Stela Gugallja dhe shoqëria Albtek Energy, e cila në bankën e nivelit të dytë ka vënë si barrë garancie kontratën me qeverinë shqiptare, kuotat e kapitalit të Albtek Energy shpk dhe kontratën e firmosur me kompaninë italiane për blerjen e inceneratorit.

Pra, një kompani që nuk ka asnjë lek merr nga qeveria një koncesion 22 milion euro, firmos një kontratë me një firmë italiane, shkon në një bankë e siguron këtë kontratë bashkë me kontratën koncesionare të qeverisë, që të fillojë një investim.

Ç’ka tregon qartë se brenda një viti një kompani që lindi nga hiçi fillon të lidhë kontrata dhe të vërë barra siguruese, në vlera disa dhjetëra million euro. Pasi vetëm inceneratori, ndërtimi i tij dhe dorëzimi me çelësa në dorë në Elbasan kushtonte të paktën rreth 15 milion euro.

Më tej në investigimin e CNA.al dolen edhe disa detaje të tjera. Një vit më pas në vitin 2016, regjistrohet një tjetër kompani. Në 3 maj të këtij viti, sipas datës së regjistrimit në QKR, lind kompania Energy Recuperator, e cila e ka themelimin dhe regjistrimin në Shqipëri në 19 prill dhe bërë regjistrimi në QKR në datën 3 maj, vjen si degë e nj?7 kompanie të huaj me përfaqësues ligjorë dy shtetas italianë. Kjo kompani më vonë siguron edhe kontratën për inceneratorin e Fierit, të Klodian Zotos.

Ndërkohë, disa ditë më pas, thuajse në të njëjtën kohë është themeluar ER One Albania, pra Energy Recuperator  ka një “bijë”, këtu hyn në ortakëri Stela Gugallja e inceneratorit të Elbasanit dhe administrimin e merr bashkëjetuesi i saj.

Tek kompania e parë aksioner është Ernesto Graneli dhe Mario Graneli, dy italianë që janë përfaqësuesit ligjor të kësaj kompanie, të cilët shkojnë dhe themelojnë së bashku me Stela Gugallajn, kompaninë ER One Albania, ku ajo fillestarja, pra kompania që ka përfaqësues ligjor dy italianët, ka 60% të aksioneve dhe Stela Gugallja ka 40%.

Këtu administrator emërohet Mirel Mërtiri. I njohur ndryshe si Klodian Mërtiri, një personazh tepër kompleks që është akuzuar edhe për lidhjet e tij të forta politike dhe me një dosje të famshme në prokurori, dhe me identitet të ndryshuar.

Pra, nga kompania zero e cila është e Stela Gugallës, ajo e quajtur Albtek Energy, pas pothuajse dy vitesh nga themelimi i të parës, kemi dy kompani të tjera, të cilat vijnë menjëherë pasi kompania e parë ka marrë koncesionin nga qeveria.

Nëpërmjet kontratës koncesionare ka firmosur një tjetër kontratë për inceneratorin dhe këto të dyja më pas i ka bërë me një marrëveshje siguruese në një bankë, duke pasur si garanci për pjesën e financimit dhe investimit, duke qënë e sigurtë se shuma të mëdha parash do të derdheshin në favor të saj për shkak të faktit se ajo tashmë kishte firmosur një dokument dhe shtatë muaj pas firmosjes së kontratës do të fillonte dhe lëvrimi i parave nga qeveria shqiptare.

Këto janë të gjithë dokumentat, përfshirë këtu ekstraktin historik, pasqyrën e parave të vitit 2015, ku duket se kompania nuk ka asnjë lek, marrëveshjen me një bankë të nivelit të dytë, regjistrin e barave siguruese, sikurse e shikoni në foto, dhe dy ekstraktet e Qendrës Kombëtare të Biznesit në lidhje me dy kompanitë e tjera.

 

Pra janë 22 milion euro nga taksat e shqiptarëve për një koncesion inceneratorësh, e marrë nga një firmë e cila lind nga hiçi dhe më pas mbijnë një kompani italiane, një degë e një shoqërie të huaj, e cila krijon një kompani shqiptare ku përfshihet edhe aksionerja që ka fituar koncesionin e inceneratorit të Elbasanit. Më pas fillon dhe merr paratë nga taksat e shqiptarëve, për të ndërtuar. Merr kredi dhe investon. Por, mund të theksojmë se nuk ka pasur një garë. Ka pasur thjeshtë dhe vetëm një shpikje me stilin PPP.

Firmosësi i kësaj kontrate është ministri i Mjedisit i asaj kohe, Lefter Koka, i cili duket se ka kryer një sërë shkeljesh proceduriale, por jashtë nuk ngelet dhe kryeministri i vendit i cili ka shpallur vendimin e Këshillit të Ministrave, të nesërmen e firmosjes së kontaratës.

Por edhe Komisioni i Vlerësimit, i cili mesa duket nuk ka mundur dhe nuk ka pasur sy të shohë kush është kompania e Stela Gugallës, Albtek Energy, e cila në kohën e garës së supozuar apo ofertës së pa kërkuar kishte vetëm pesë muaj që ishte themeluar, nuk kishte asnjë aktivitet tjetër, nuk kishte asnjë garanci se mund të investonte, por gjithçka është luajtur mes letrash mes shkeljesh proceduriale dhe mes gënjeshtrash dhe mbushje dosjesh me dokumenta, për të justifikuar një kontratë koncesionare, korruptive, e cila është paguar nga taksat e shqiptarëve.

Janë 22 milion euro që do të paguhen nga taksat e shqiptarëve, edhe pse Elbasani shikohet si një histori suksesi.

Të gjithë tashmë përpiqen ta justifikojnë këtë koncesion, me faktin se gjithçka u zgjidh në Elbasan. Fusha e mbetjeve u zhduk. Atje janë mbjellë pemë. Nuk ka mbetje, nuk ka plehra.  Dhe ky është justifikimi.

Po, është e vërtetë. Në Elbasan mund të kenë ndryshuar shumë gjëra. Por, ka edhe disa detaje.

Së pari, cilësia dhe standarti i inceneratorit, por qytetarët ndoshta thonë se “për ne kjo nuk ka rëndësi. Ne mjafton që nuk shohim plehra dhe tym të digjet, por atje është kthyer në një park”.  Edhe kjo vlen, por ai ambient i kthyer në park dhe ai objekt hekuri i madh është paguar me lekët e shqiptarëve. Është paguar me taksat e shqiptarëve me një procedurë dhe shkelje të pafundme ligjore, që ngre akuza të forta për korrupsion. Por edhe cilësia e tij, standarti kanë mjaft pikë pyetje.

Pra, paratë e shqiptarëve janë marrë për të ndërtuar atë koncesion, i cili mund të quhet i suksesshëm, por që ka një histori aferash.

Së pari, do të duhej të kishte një garë të hapur ndërkombëtare. Së dyti, kompanitë në garë mund të ofronindhjetëra zgjidhje më efiçente financiare e mjedisore.

Së treti, në garë mund të kishte ulje çmimi.

Së katërti, procedura duhet të ishte e rregullt dhe ligjore. Asnjë nga këto nuk ka ndodhur pa folur më tej për bëmat e gjëmat e dosjes.

Në një proces të ndershëm nuk mund të fitonte dot një kompani me një aksionere që nuk ka asnjë lek, që dorëzon ca letra mbush disa dosje dhe më pa

s ditën e lidhjes së kontratës, të nesërmen në mëngjes qeveria shpall vendimin e Këshilllit të Ministrave, për të thënë se kontrata ishte lidhur dhe inceneratori do të ecte përpara.

Një lëvizje të tillë mund ta bëjnë vetëm forca madhore politike. Korrupsioni dhe asgjë tjetër. Dhe të gjitha shkeljet ligjore, deri më sot nuk janë hetuar dhe nuk janë hapur dosje të plota. Megjithëse shpresohet dhe pretendohet se drejtësia e re do të vërë pikat mbi i. Dhe në rastin e Elbasanit, Komisioni i Vlerësimit, ministrat e deri te kryeministri rrezikojnë jo pak, sepse kanë shkelur një sërë procedurash. Në dosje ka dokumenta të pavlefshme, pra gënjeshtra për të justifikuar kontratën. Pa hyrë më tej tek pagesat dhe tek dëmi i shkaktuar që në rast se do të bëhej me një garë të hapur, do të llogaritej disa miliona euro.

Por, ky është vetëm rasti i parë, ai i Elbasanit, me 22 milion euro.

Ne do të sjellim më tej aferen e inceneratorit të Fierit, e cila hap oreksin dhe e çoi deri në 28 milion euro. Më pas landifillin dhe inceneratorin e Tiranës, e cila shkon deri në Hollandë. Por, sërish nuk mund të shmangim dot Klodin dhe kompanitë rreth Mirel Mërtirit, Klodian Zotos dhe qarkut të disa kompanive që kanë zyrat në të njëjtin vend, por janë një zinxhir shpk-sh, apo institucionesh financiare investuese të huaja, kompani të huaja, të cilat luajnë dhe fshehin aksionerët deri tek hapi i fundit që është a i  tentativës për të zhdukur emrat e kompanisë dhe mbajtësve apo pronarëve të vërtetë të inceneratorit të Tiranës i cili është tentuar të zhduket nëpërmjet një zinxhiri disa institucioneve dhe ligjeve të shtetit holandez.

Por, këto do t’i përkasin investigimeve të tjera që do publikojmë në vazhdim. Ne sot po publikojmë dosjen e dytë pas asaj të publikuar dje dhe nesër do të sjellim më të plotë, me dokumenta, edhe dosjen e investigimit që kemi bërë për inceneratorin e Fierit. Deri tani nuk ka asnjë hetim. Asnjë institucion nuk është përgjigjur. SPAK nuk ka reaguar, por kjo do t’i përkasë të tjerave materialeve të publikuara dhe lidhjeve okulte të disa institucioneve me Klodët e inceneratorëve, disa pronarë mediash por edhe strukturat e drejtësisë së re në Shqipëri./ CNA.al

Skandali-Nga pronarët e mediave tek kompanitë off shore/ Skema e plotë e koncesionit të inceneratorëve, emrat e përfshirë

Lajmet e fundit nga