LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Balotazhi i zgjedhjeve vendore në Maqedoni/ Beteja kryesore në komunat shqiptare  

29 Tetor 2017, 09:13, Aktualitet CNA

Në 35 komuna të Maqedonisë po zhvillohet rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale ku të drejtën e votës e kanë 833.716 qytetarë të regjistruar në listën e përgjithshme zgjedhore.

Votimet që kanë nisur në orën 7 dhe do të mbyllen në orën 19:00 po zhvillohen në 1,517 vendvotime.

Ndryshe nga zgjedhjet e 15 tetorit, kur u votua edhe për këshillat komunale dhe Qytetin e Shkupit, tani votohet vetëm për kryetarë të komunave, që kaluan në balotazh ndërmjet dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në rrethin e parë të zgjedhjeve.

Në garë janë 68 kandidatë të 8 subjekteve politike dhe 2 kandidatë të pavarur.

Beteja kryesore zhvillohet kryesisht në komunat shqiptare, pasi nga 14 prej tyre me shumicë shqiptare, në rrethin e parë janë zgjedhur kryetarët e vetëm dy komunave. Beteja do të zhvillohet për komunat e Çairit në Shkup, Tetovë, Gostivar, Strugë, Dibër, si dhe komunat tjera që janë në zonat rurale. Beteja zhvillohet mes kandidatëve të BDI-së, e cila ka mbështetjen e LSDM-së dhe atyre të koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.

Për rrethin e dytë të zgjedhjeve janë akredituar 5,101 vëzhgues vendorë dhe 473 të huaj. Nga vëzhguesit vendorë, numrin më të madh e ka asociacioni qytetar MOSTmë 2,917 ? ndërsa nga të huajt misioni i OSBE/ODIHR-it me gjithsej 289 vëzhgues.

Zgjedhjet do të mbikëqyren edhe nga delegacioni i BE-së, Ambasada Amerikane, e cila ka akredituar 35 vëzhgues, ndërsa ka edhe vëzhgues nga vende tjera, si nga Britania e Madhe, Franca, Rusia, Shqipëria, Kosova e vende tjera.

Rezultatet e para nga balotazhi pritet të nisin të publikohen në mënyrë elektronike në faqen e internetit të KSHZ-së varësisht se si arrijnë nga qendrat e votimit, por ashtu sikur edhe në rrethin e parë rezultatet do të publikohen më herët nga partitë politike që kanë anëtar dhe vëzhgues nëpër të gjitha vendvotimet.

Lajmet e fundit nga