LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Sa e rrezikshme është platforma kineze "TikTok"?

6 Mars 2023, 08:20, Tech CNA

Sa e rrezikshme është platforma kineze "TikTok"?

Javën e kaluar Kanadaja, Shtetet e Bashkuara dhe disa institucione europiane, përfshirë Komisionin Europian, njoftuan, me disa dallime, se nëpunësit civilë duhet të fshijnë nga celularët e tyre të punës rrjetin social kinez "TikTok". Këto vendime kanë ripërtërirë një debat që po zhvillohet prej disa vitesh mbi përhapjen e disa aplikacioneve të kompanive kineze në Perëndim.

Disa qeveri kanë frikë se duke pasur parasysh natyrën autoritare të qeverisë kineze, këto aplikacione mund të përdoren për të kryer abuzime dhe akte spiunazhi, edhe pse tani për tani këto rreziqe janë kryesisht hipotetike. Arsyet për ndalimet e fundit janë të ngjashme me njëra-tjetrën.

Komisioni Europian e ka urdhëruar stafin e tij të fshijë aplikacionin nga të gjitha pajisjet e përdorura për punë nga punonjësit për të “mbrojtur të dhënat e KE si dhe për të rritur sigurinë kibernetike”. Edhe qeveria amerikane u ka kërkuar të gjithë punonjësve të agjencive federale amerikane ta fshijnë "TikTok"-un nga telefonat e tyre të punës brenda 30 ditëve, duke e quajtur këtë “një hap kyç në menaxhimin e rrezikut që paraqet aplikacioni për të dhënat e ndjeshme të qeverisë”.

Ndërkohë edhe Kanadaja ka vendosur fshirjen e aplikacioni nga të gjitha pajisjet e ofruara nga qeveria që përdoren për punë, sepse për të "TikTok"-u paraqet “një nivel të papranueshëm rreziku mbi privatësinë dhe sigurinë”. Në të gjitha rastet "TikTok" - në pronësi të kompanisë kineze ByteDance - tha se nuk ishte paralajmëruar apo konsultuar përpara këtyre vendimeve.

Duke komentuar këtë vendim, kryeministri kanadez Xhastin Trudo tha se “shpreson që ky vendim të nxisë shumë kanadezë, qofshin punonjës të kompanive apo individët, që të reflektojnë mbi sigurinë e të dhënave të tyre dhe të bëjnë zgjedhjet e tyre”.

Sa e rrezikshme është platforma kineze "TikTok"?

"TikTok" është ndaluar në Indi që nga viti 2020, pasi aplikacioni konsiderohet, ashtu si dhjetëra aplikacione të tjera kineze, “një element armiqësor ndaj sigurisë kombëtare dhe mbrojtjes së Indisë”. Vende të tjera, si Australia dhe Britania e Madhe, kanë vendosur të mos ndërmarrin asnjë hap për ta kufizuar "TikTok"-un në pajisjet qeveritare, sepse ekspertët e tyre të sigurisë kibernetike nuk e konsiderojnë të nevojshme.

"TikTok" ka qenë prej 3 vitesh një nga rrjetet sociale më të shkarkuara dhe më të njohura në botë. Platforma ka aktualisht 1 miliard përdorues aktivë, shumë prej të cilëve jetojnë në Europë dhe Shtetet e Bashkuara. Kompania e miraton modelin mbizotërues të biznesit në sektorin e saj.

Ajo u ofron përdoruesve të saj mundësinë falas për t’u argëtuar duke parë dhe ndërvepruar me përmbajtje (në rastin e "TikTok", video të shkurtra) të krijuara nga përdorues të tjerë, duke mbledhur në këmbim sasi të mëdha të dhënash personale, që i japin mundësi t`u tregojë përdoruesve reklama të synuara.

Pavarësisht kësaj, qeveritë kanë treguar një shqetësim të veçantë për praktikat e mbledhjes së të dhënave dhe mbrojtjen e privatësisë së përdoruesve të "TikTok" në vitet e fundit. Arsyeja kryesore është se "TikTok"-u është e vetmja platformë popullore në Perëndim që i përket një kompanie kineze.

Është e qartë se Kina shihet nga Shtetet e Bashkuara (dhe në një masë më të vogël nga Bashkimi Europian) si një vend armiqësor, autoritar dhe i pabesueshëm. Dhe nga ata që kanë frikë se "TikTok"-u mund të përdoret nga qeveria kineze për të spiunuar përdoruesit, për të promovuar interesat politike, dhe për ndërhyrjet në punët e brendshme të vendeve të tjera.

Për këtë arsye, thonë shumë analistë, dyshimet e qeverive perëndimore ndaj "TikTok" janë më shumë të natyrës politike sesa teknologjike. Ajo që i shqetëson mbi të gjitha vendet perëndimore, është fakti se megjithëse "TikTok" është një kompani private, qeveria kineze ka një rekord të gjerë për ndërhyrje shumë të rënda në aktivitetet e kompanive që i konsideron të rëndësishme dhe strategjike.

Në një artikull të kohëve të fundit, gazetari i "BBC"-së, Xho Tidi, analizoi shqetësimet kryesore, duke arritur në përfundimin se për momentin ato janë vetëm rreziqe hipotetike, që nuk janë materializuar. Por disa studiues australianë që e analizuan këtë platformë korrikun e vitit të kaluar thanë se ai mbledh detaje të tilla si vendndodhjen, pajisjen në të cilën përdoret dhe cilat aplikacione të tjera ndodhen në pajisje.

Por dy studiues të tjerë nga grupi kanadez “Citizen Lab” dhe nga Instituti i Teknologjisë në Xhorxhia, SHBA, arritën në përfundimin se "TikTok" funksionon ashtu si shumica e rivalëve të tij në industrinë e rrjeteve sociale. Më pas "BBC" analizoi nëse "TikTok" mund të përdoret për të spiunuar përdoruesit e tij, siç hipotetizohet që nga viti 2020 nga Donald Trump, sipas të cilit aplikacioni mund ta ndihmojë qeverinë kineze të “gjurmojë pozicionet e punonjësve dhe kontraktorëve federalë amerikanë, të krijojë dosje me informacione personal me synim shantazhimin dhe kryerjen e spiunazhit mbi korporatat”.

Sa e rrezikshme është platforma kineze "TikTok"?

"TikTok" ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se është plotësisht e pavarur nga qeveria kineze. Kreu i saj Zi Chew deklaroi për "Washington Post" se qeveria kineze nuk ka kërkuar kurrë të dhëna të përdoruesve të platformës në SHBA, duke theksuar se “edhe nëse do ta bënin, ne besojmë se nuk do t’ia jepnim ato, sepse nëse përdoruesi ndodhet në SHBA, të dhënat u nënshtrohen ligjeve amerikane”.

Për më tepër, "TikTok" ka bashkëpunuar prej muajsh me Komitetin e Investimeve të Huaja të SHBA-së për një plan prej 1.5 miliardë dollarësh, të njohur si Projekti Teksas, për të rregulluar akoma më mirë mbrojtjen e privatësisë dhe për ta siguruar qeverinë amerikane për pavarësinë e saj nga Kina.

Projekti Texas nisi pasi administrata e ish-presidentit Donald Trump u përpoq të ndalonte "TikTok"-un në vitin 2020, pa ndonjë sukses të veçantë. Plani u pezullua kohët e fundit për shkak se administrata Bajden ndaloi pjesëmarrjen në negociata. Dyshimet mbi "TikTok"-un janë pjesë e një shqetësimi më të gjerë ndaj të gjitha kompanive, teknologjike dhe jo vetëm, me bazë në Kinë.

“Shqetësimet, sidomos në Shtetet e Bashkuara dhe tani në Europë, kanë të bëjnë me ligjet kineze, që ia nënshtron kompanitë kushtëzimeve të caktuara për sa i përket bashkëpunimit me shërbimet sekrete, mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe detyrimin e kompanive dhe qytetarët privatë për të ndarë me autoritetet të dhënat e mbledhura”- thotë Rebeka Arçesati, eksperte e kibernetikës.

Sipas saj kjo gjë krijon jo vetëm fërkime midis kufizimeve legjislative dhe politike të këtyre kompanive në Kinë dhe kërkesave që duhet të përmbushin kur operojnë në tregje të tjera. Partia Komuniste Kineze po përpiqet të vërë nën një kontroll më të fortë gjigantët e teknologjisë kineze.

Sipas "BBC", tani për tani mundësia që Kina të përdor "TikTok" për qëllime spiunazhi mbetet “vetëm një rrezik teorik”. Edhe studiuesit nga “Citizen Lab”: të Universitetit të Torontos dhe Instituti i Teknologjisë së Xhorxhias arritën në përfundimin se "TikTok" “nuk imponon një censurë të dukshme të postimeve”.

Madje zëdhënësi i qeverisë kineze, Mao Ning, akuzoi qeverinë amerikane për “ekzagjerim të konceptit të sigurisë kombëtare dhe abuzim me pushtetin shtetëror për të shtypur kompanitë e huaja”. Por nga ana tjetër vetë Kina nuk e lejon të gjithë popullsinë e saj që të përdorë të gjitha platformat amerikane, duke përfshirë "Facebook", "Instagram", "WhatsApp", "Twitter", "YouTube", "Tumblr" dhe "Tinder", mbi të gjitha për arsye censurimi dhe kontrolli të informacionit.

Përkthyer nga CNA.al

Lajmet e fundit nga