LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Projekti në Danimarkë, fut në shkolla inteligjencën artificiale

14 Janar 2024, 20:59, Tech CNA

Projekti në Danimarkë, fut në shkolla inteligjencën

Që kur programi i inteligjencës artificiale ChatGPT u bë i disponueshëm vitin e kaluar për publikun e gjerë, shkollat në mbarë botën janë ndeshur me vështirësitë e krijuara nga përdorimi i këtij programi nga nxënësit dhe shqetësimet e krijuara nga kopjimi i përmbajtjes. Programi ChatGPT dhe programe të tjera të ngjashme të inteligjencës artificiale u bënë pothuajse menjëherë një burim i kollajshëm kopjimi. Sidoqoftë, pesë shkolla në Danimarkë po inkurajojnë tashmë përdorimin e kësaj teknologjie në lëndë të caktuara, në kuadrin e një projekti të ri dyvjeçar.

Me fillimin e vitit shkollor në Danimarkë, nxënësit në gjimnazin “Horsens” kanë në dispozicion një mjet të ri për ta përdorur gjatë mësimit – programin ChatGPT të kompanisë OpenAI.

“Sapo doli, njerëzit flisnin për të dhe se si mund ta përdornin”, thotë nxënësi 17-vjeçar Jacob Yde Dideriksen.

“Mendoj se të gjithë e marrin si kopjim përdorimin e tij. Është një gjë e re që mund të të japë të gjitha përgjigjet që dëshironi brenda pak sekondave”, thotë nxënësja 18-vjeçare Fie Norskov.

Mësuesja e anglishtes Mette Molgaard Pedersen thotë se u deshën vetëm pak javë që mbi tavolinën e saj të vinin tekste që ishin qartazi të prodhuara nga inteligjenca artificiale.

“Për dy apo tre javë mora tre esetë e para të krijuara nga ChatGPT. Pra, nxënësit e filluan përdorimin menjëherë”, thotë ajo.

Në vend që të merrte masa për ta bllokuar përdorimin e programit ChatGPT, zonja Pedersen filloi të hartojë një projekt për përdorimin e tij gjatë mësimit.

“Nga eksperienca ime, nxënësit do ta përdornin pa u menduar shumë dhe kështu shndërrohet në një pengesë për të mësuar. Nëse mund ta ndryshojmë mënyrën se si përdoret, që të bëhet një mjet mësimor, atëherë do të kemi përfituar shumë, duke u dhënë nxënësve një mjet të ri mësimor, por edhe për marrëdhënien që kemi me nxënësit”, thotë ajo.

Në projektin e filluar tashmë marrin pjesë pesë shkolla të mesme. Vetëm në gjimnazin “Horsens” janë rreth 1200 studentë, nga 15 deri në 20 vjeç. Mësuesja Petersen nënvizon se qëllimi themelor i shkollës nuk është të kapë nxënësit që kopjojnë, por që t’i mësojë ata.

Nxënësit në klasën e saj tashmë e shikojnë inteligjencën artificiale si një mjet të dobishëm për t’u përdorur gjatë mësimit.

“Mendoj se është një mënyrë e mirë përdorimi. Të jep ca përgjigje. Nëse ke dyshime për çfarë bëhet fjalë në tekst, mund ta përdorësh për ta kuptuar më mirë”, thotë nxënësja Fie.

“Është pothuajse një mjet si çdo mjet tjetër në botë. Është si një programi kërkimi, por me të cilin mund të tregohesh më konkret”, thotë nxënësi Jacob.

Megjithëse projekti dyvjeçar është ende në fillimet e tij, mësuesja Pedersen ka filluar që tani të shikojë frutet e para.

“Mund t’i kërkojnë p.sh. programit ChatGPT që të hartojë një listë të pikave kryesore të tekstit që po vështirësohen ta kuptojnë, dhe më pas mund t’i rikthehen atij teksti për të fituar një botëkuptim më të mirë, dhe kjo është e dobishme”, thotë ajo.

Shumë arsimtarë të tjerë kanë marrë përqasjen e kundërt dhe madje i janë rikthyer provimeve në letër, pas vitesh të tëra testimi në forma dixhitale.

Të tjerë arsimtarë nuk janë shumë të shqetësuar dhe thonë se për ata studentë që kërkojnë të gjejnë mënyra për të kopjuar, ky është thjesht opsioni më i fundit.

Konsulentja për arsimin Tine Wirenfeldt Jense është anëtare e grupit të ekspertëve që po këshillojnë Ministrinë daneze të Arsimit për çështjen e programit ChatGPT. Ajo thotë se është e rëndësishme që të ruhet një bashkëbisedim i hapur me nxënësit.

“Në shumë vende fakti është se as nuk mund të flasësh për këtë, pasi konsiderohesh menjëherë si një person i keq, që nuk është i interesuar aspak për formimin e një brezi të ri të shëndetshëm, kurioz dhe kompetent”, thotë ajo.

Lulëzimi i menjëhershëm i programeve të inteligjencës artificiale ka krijuar pikëpyetje të reja për arsimtarët, të cilët i janë përkushtuar punës që nxënësit jo vetëm të marrin përgjigjet e duhura, por edhe të kuptojnë se si duhet të punojnë për këtë qëllim./ VOA

Lajmet e fundit nga