web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Raporti i kompanisë amerikane për protestat: E nxitur kryesisht nga aktorë amerikanë anti-Trump, amplifikuar nga rrjete të lidhura me shtetin rus

Raporti i Blackbird AI bazohet në analizën e 879,067 postimeve në rrjetet sociale nga 222,854 autorë të ndryshëm, të cilat kanë gjeneruar rreth 3,2 milionë ndërveprime në katër platforma – Reddit, X, Telegram dhe TikTok – si dhe në media të ndryshme online. Kompania sjell si shembull një postim të publikuar më 2 qershor nga llogaria në X me emrin @Iranwarupdate, i cili, sipas raportit, u amplifikua brenda 20 minutash nga një rrjet llogarish që promovojnë narrativa në përputhje me interesat e shtetit rus.

21 Qershor 2026, 18:15, Politikë CNA

Raporti i kompanisë amerikane për protestat: E nxitur kryesisht nga

Qeveria shqiptare ka qarkulluar në qarqet diplomatike një raport të kompanisë amerikane Blackbird AI, i cili analizon përhapjen në rrjetet sociale të narrativave kundër projektit të Kushner në Zvërnec dhe amplifikimin e tyre të mundshëm nga aktorë të koordinuar.

Ndryshe nga sa ka deklaruar publikisht qeveria, raporti pranon se pakënaqësitë që ushqejnë protestën janë “legjitime” dhe nuk pretendon se vala e tubimeve është e nxitur nga aktorë të huaj, por thekson se jehona e tyre është amplifikuar në platformat sociale nga rrjete amerikane që kundërshtojnë qeverisjen e Trumpit dhe nga ato të lidhura me qeverinë ruse.

“Pjesa më e madhe e aktivitetit negativ të lidhur me zhvillimin e resortit Kushner–Trump ndodhi në platformën X, e nxitur kryesisht nga aktorë me bazë në SHBA, të lidhur me kampin anti-Trump dhe Partinë Demokratike, të cilët e shfrytëzuan këtë çështje për të avancuar narrativat e tyre politike dhe për ta zgjeruar jehonën e saj përtej audiencës vendase”, shkruan raporti.

“Më pas, aktorë të lidhur me shtetin rus i amplifikuan këto narrativa, me gjasë për të thelluar ndarjet ekzistuese dhe për të forcuar kundërshtimin ndaj projektit”, shton raporti.

Amplifikimi nga aktorët anti-Trump

Blackbird AI është një platformë që analizon narrativat që qarkullojnë në rrjetet sociale, duke përdorur inteligjencën artificiale për të identifikuar kërcënime dhe mundësi për klientë qeveritarë dhe kompani private.

Sipas kompanisë, raporti i përpiluar prej saj synon të ofrojë një pasqyrë të narrativave kundërshtuese që lidhen me projektin e propozuar prej 4 miliardë dollarësh të Jared Kushner në Zvërnec gjatë periudhës 22 maj – 9 qershor, në platformat X, Telegram, TikTok, Reddit dhe në mediat online.

Raporti i kompanisë amerikane për protestat: E nxitur kryesisht nga

Raporti i Blackbird AI argumenton se polemikat rreth resortit Kushner–Trump u transformuan nga një debat lokal, i lidhur me shqetësimet për qeverisjen dhe mjedisin, në një çështje me profil të lartë politik ndërkombëtar, e nxitur kryesisht nga aktorë amerikanë anti-Trump dhe e amplifikuar më pas nga rrjete të lidhura me shtetin rus.

Sipas raportit, toni dominues i diskutimit ishte armiqësor ndaj projektit, ndërsa narrativat kryesore shënjestronin fillimisht Kushnerin përmes retorikës konspirative, denigruese dhe antisemite, përpara se ta zhvendosnin fokusin te qeveria shqiptare.

“Angazhimi në rrjetet sociale u rrit në mënyrë dramatike kur aktorë me ndikim anti-Trump e amplifikuan debatin”, shkruan Blackbird AI. “Përfshirja e tyre e zgjeroi çështjen përtej Shqipërisë dhe e transformoi atë në një përplasje më të gjerë politike rreth Trumpit, akuzave për korrupsion, Izraelit dhe ndikimit të elitave”, shton raporti.

Sipas Blackbird AI, volumi i postimeve në rrjetet sociale u rrit ndjeshëm më 2–3 qershor dhe sërish më 6 qershor, si rezultat i amplifikimit të debatit nga figura amerikane anti-Trump, përfshirë Hunter Biden, djalin e ish-presidentit amerikan Joe Biden, si dhe nga përmbajtje të publikuara në gjuhën shqipe në TikTok.

Influenca malinje e huaj

Raporti i Blackbird AI bazohet në analizën e 879,067 postimeve në rrjetet sociale nga 222,854 autorë të ndryshëm, të cilat kanë gjeneruar rreth 3,2 milionë ndërveprime në katër platforma – Reddit, X, Telegram dhe TikTok – si dhe në media të ndryshme online.

Nga kjo masë prej qindra mijëra postimesh, Blackbird AI thotë se ka identifikuar shtatë postime ose diskutime të amplifikuara nga ekosistemi informativ i lidhur me qeverinë ruse, përfshirë llogari anonime që shfaqin shenja koordinimi.

Kompania sjell si shembull një postim të publikuar më 2 qershor nga llogaria në X me emrin @Iranwarupdate, i cili, sipas raportit, u amplifikua brenda 20 minutash nga një rrjet llogarish që promovojnë narrativa në përputhje me interesat e shtetit rus.

Sipas kompanisë amerikane, megjithëse mesazhi ishte formuluar në gjuhë neutrale, ai synonte të nxiste dyshime dhe të inkurajonte audiencën të vinte në pikëpyetje motivet që qëndronin pas projektit. Postimi u pasua nga një valë ripostimesh pothuajse identike, të cilat krijuan përshtypjen e një shqetësimi të gjerë publik, ndonëse buronin nga një rrjet i përqendruar llogarish. Ky proces amplifikimi, sipas Blackbird AI, vazhdoi në disa valë të njëpasnjëshme, duke e mbajtur narrativën të dukshme deri më 4 qershor.

Megjithatë, raporti jep pak detaje mbi ndikimin real që kanë pasur këto diskutime të amplifikuara ose mbi shkallën e ndikimit të aktorëve që, sipas kompanisë, shpërndanin narrativa të lidhura me Rusinë.

Ndërhyrja greke?

Një nga pretendimet e qeverisë shqiptare për protestat popullore kundër projektit të Jared Kushner në Zvërnec ka qenë se ato janë nxitur nga Greqia, për shkak të konkurrencës në sektorin e turizmit mes dy vendeve.

Raporti i Blackbird AI analizon postimet në gjuhën greke që përmendin projektin, por nuk vendos asnjë lidhje mes tyre dhe protestuesve në rrugët e Shqipërisë.

Sipas raportit, postimet në gjuhën greke përbëjnë më pak se 1 për qind të përmbajtjeve të identifikuara si pjesë e narrativave kundër resortit. Nga këto, kompania pretendon se rreth 20 për qind shpërndahen nga llogari që publikojnë shpesh qëndrime ose narrativa të lidhura me shtetin rus.

“Aktiviteti u përqendrua në një periudhë prej rreth 10 ditësh, çka përputhet më shumë me amplifikimin e zhvillimeve konkrete (bllokimin e llogarive bankare nga SPAK, deklaratat e Ramës dhe vetë protestat) sesa me një fushatë të planifikuar dhe të ushqyer gradualisht nga aktorë të caktuar”, shkruan raporti.

“Baza e autorëve ishte ideologjikisht e larmishme, ku grupe që zakonisht qëndrojnë në kampe të kundërta – nga e djathta ekstreme dhe nacionalistët te e majta dhe aktivistët mjedisorë – u bashkuan vetëm në kundërshtimin e projektit”, përfundoi raporti./Marrë me shkurtime nga BIRN





Lajmet e fundit nga