web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Po qajnë Metën apo Veliajn në kafaz?

28 Prill 2026, 13:23, Editorial CNA

Pamjet e ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Ilir Meta dje në GJKKO filluan të bëjnë xhiron e rrjeteve, por dhe të kthehen në çështjen kryesore të debatit publik në Shqipëri. Prej më shumë se një viti e gjysmë, (nga 21 tetori 2024), Ilir Meta ndodhet në qelitë e burgut “313”.

Për shkak të pamjeve të atyre fotove në seancën e GJKKO-së, filluan komentet: “Është mbajtur në mënyrë çnjerëzore”, “I fiket drita”, “Nuk i lejohet të bëjë këtë, nuk i lejohet të bëjë atë”, “Janë shkelur këto të drejta”, etj.

Në fakt, në paraburgim ke disa të drejta, por nuk je me pushime, nuk je për turizëm. Dhe ndoshta ato pamje të Ilir Metës janë sepse para se ai të burgosej, çdo ditë me diell shijonte buzë vilës së tij në Gjirin e Lalëzit dhe merrte rreze dielli. Tani e ka më të kufizuar, njerëzit në paraburgim e burgim nuk nxihen.

Ndoshta dikush s'e ka parë dot aq të verdhë, pa folur pastaj për efektet e dritës, mbyllur brenda kutisë së xhamtë.

Por Ilir Meta dukej në formë, i mungojnë ato rrezet e diellit të shumta që merrte më parë, por problemi i Ilir Metës nuk është se mund të jetë pak i zverdhur në lëkurë, çështja është si i ka analizat shëndetësore. Ishte plot energji, i fortë, me dy gishtat lart, presidenti i 2 marsit qëndronte i ashpër, nuk kishte ndryshuar aspak.

E rëndësishme është që ish-presidentit t'i shikohen analizat nëse është në rregull nga ana shëndetësore dhe duhet që të zhvillohet sa më shpejt gjyqi ndaj tij dhe të merret një vendim.

Përtej pamjeve të Ilir Metës, në fakt, më shumë sesa vetë njerëzit dhe aleatët e Ilir Metës, bashkëpunëtorët e tij apo mediat e opozitës, zërin më shumë po e ngrenë mediat e pushtetit.

I qajnë hallin Metës, të paguarit nga inceneratorët, nga dosja “5D”, nga vëllai i Veliajt, Arbër Veliaj. Ata që e donin pas prangave, qajnë pas pamjeve të tij.

I çmojnë tragjike, ndryshim i madh, ndërkohë që nxjerrin pamje nga kutia me xham në gjykatë pas një viti e gjysmë burg dhe i krahasojnë me foto përpara se ai të arrestohej. Kush nuk ndryshon pas një viti e gjysmë burg? E rëndësishme është që ish-presidenti të jetë mirë nga shëndeti, jo si duket në foto.

Ka edhe raste të tjera, ndoshta e donin si Salianji. Është çuar në qeli Ervin Salianji, por nuk ka qenë në paraburgim. Është çuar të vuajë dënimin dhe hyri më i dobët dhe doli më i shëndoshë dhe hyri tullac e doli me flokë.

Ka raste të tjera, ka kaluar mbi një vit. Erion Veliaj del nëpër gjykata me kostum e kollare, tani së fundmi kishte bërë dhe ndërhyrje, ka hequr dhe lythat. Metën e ka plakur burgu, Salianjin e bëri me flokë, Veliajn po e zbukuron.

Ky i fundit duket të jetë halli i vërtetë i mediave të pushtetit që bërtasin për pamjet e Ilir Metës. Nuk qajnë hallin servilët e Edi Ramës dhe Erion Veliajt pse është zverdhur Ilir Meta dhe pse duket aq keq në ato foto. Duan të dalë shpejt dhe të zbukurohet edhe më tej, dhe nuk duket se ka shkuar keq pas një viti e tre muaj burg.

Qajnë hallin e Erion Veliajt se duan në “Alkatraz”.

Është i njëjti qëllim, e njëjta strategji. Hap pas hapi ndjekin gjyqin e ish-presidentit, veprimet ndaj tij, për të kërkuar të njëjtën gjë në Strasburg, për të kërkuar që të lirohet sa më shpejt Erioni. Ilir Meta i ka bërë një vit e gjashtë muaj burg, kurse Erioni po e ndjek nga pas.

Ajo që ndryshon midis Metës dhe Veliajt është se Ilir Meta është mbajtur në burgun “313”, të cilin kryebashkiaku i Tiranës e quante ”Alkatraz”.

Pse Erion Veliaj nuk është çuar te “313”-ta aty ku është çuar Ilir Meta? Për çfarë arsyeje? Pse kjo preferencë?

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj, çohet në burgun e Durrësit ku shpesh raportohet se futet raki e pije, dhe kushtet janë ku e ku me “313”. Erioni me plot shokë, ndërkohë që Ilir Meta mbahet te “313”-ta. Pse Erioni nuk mbahet te “313”-ta? Pse nuk çohet Ilir Meta në Durrës?

Për ata që shqetësohen për fotot e Metës, pra. Ndërkohë që Erioni na del me kollare dhe bën edhe ndërhyrje afërsisht estetike për të hequr lythat.

Ndjekin nga pas Ilir Metën, jo se kanë hallin e shëndetit të tij apo fotove të zverdhura. Sepse kështu flasin për kafazin, për drejtësinë, për “burgosjen e padrejtë”.

Ilir Meta ka të drejtë dhe akuzon Edi Ramën se është në opozitë dhe gishtin e ka te kryeministri që ka marrë peng drejtësinë, McGonigali, e keqpërdor dhe e ka mbajtur stekën lart edhe me Dumanin e prokurorët.

Kurse Erion Veliaj kujt i drejtohet? Kë do të akuzojë, Edi Ramën? Redaktorin e tij? Me Dumanin duket se s'ia mban, maksimumi sulmon Ols Dadon me shpresën që ta tërheqë në debat me akuzat e tij dhe mashtrimet e tij publike, pa folur pastaj për gjyqet administrative ku tërheq zvarrë Bashkinë e Tiranës.

Të gjitha tregojnë thjesht dhe vetëm një qëllim.

Të gjithë këta që bërtisnin për Ilir Metën, por që janë të Veliajt dhe të Ramës, në finale kërkojnë atë që kemi parë në përgjimet e Veliajt.

Atë që shikojmë me strategjinë që ndjekin publikisht, daljen e kryebashkiakut të Tiranës. Nuk kanë hallin se është zverdhur Ilir Meta.

Për më tepër, e shijojnë pafund shumë prej tyre kur e shikojnë në atë gjendje Ilir Metën.

Të tjerë deklarojnë se dhe është çmendur fare, “ka lëshuar pëllumbat”, se i dëgjon në tavolinë, i dëgjon në dalje publike, i dëgjon në qarqet politike e mediatike.

Dje përvëloheshin për Ilir Metën. Nuk kanë hallin e Ilir Metës, kanë hallin e Erion Veliajt.

Ai që është në burgun e Durrësit fërkonte barkun kur u arrestua Ilir Meta. Për më tepër, Policia e Shtetit dhe pushtetit, përdori dhe dhunë ndaj Metës. Ndërsa Erion Veliaj doli si zotëri nga zyra, pa pranga. U shoqërua si të ishte princ dhe mbahet në burgun e Durrësit, dhe s’ka ndonjë pretendim për keqtrajtim, kurse Ilir Meta ka të tjera pretendime.

Ndaj edhe ata që fërkuan barkun me Ilir Metën gjoja duke u hidhëruar për ato foto, hall kanë Erion Veliajn.

Nuk duket se ka për të ndodhur që zdromsin ta shikojmë njësoj si Metën, kjo s'ka për të ndodhur se ka kushte të tjera në burgun e Durrësit, trajtim tjetër, ndërsa Ilir Meta në kushte të tjera, në burg tjetër dhe trajtim tjetër. Këtu s’kemi trajtim të barabartë, por halle të barabarta. /CNA





16:05 Editorial

PD-ja e Mero Bazes

Mero Baze ka filluar të jetë pjesë e grupit të strukturuar...

Lajmet e fundit nga