LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pak shpjegim për aferën në inceneratorin e Fierit

2 Shkurt 2024, 18:54, Denoncim CNA
Pak shpjegim për aferën në inceneratorin e Fierit
Inceneratori i Fierit

Deputeti Luan Baçi ka shpjeguar shkurt aferën në inceneratorin e Fierit gjatë fjalës së tij në protestën që po mbahet poshtë banesës së ish-kryeministrit Sali Berisha.

Baçi tregoi se në vitin 2015 Bashkia e Fierit shpalli emergjencën mjedisore dhe inceneratorin e ndërtoi në mënyrë korruptive.

Ai deklaroi se fillimisht inceneratori donte të ndërtohej në Portëz, por pas protestave të banorëve u vendos të ndërtohej në Mbrostar.

Këtu sërish bashkia u përball me protesta dhe në përfundim e dërgoi inceneratorin në Kallm. Deputeti denoncoi se pavarësisht se ka marrë 32 milionë euro, inceneratori është jashtë funksionit dhe nuk prodhohet energji, por vetëm depozitohen mbetjet.

“A e dëgjuat se çfarë tha Arben Ahmetaj? Ai tha se përgjegjësi kryesor i aferave korruptive është kryeministri dhe Erion Veliaj. Korrupsioni i tyre ka hyrë në çdo cep të Shqipërisë. Korrupsioni i tyre fillon dhe aty në Fier. E dëgjuam me vëmendje se çfarë tha për inceneratorin e Fierit. Në një frazë të tij tha se për Fierin nuk ka qenë emergjencë mjedisore. Jo, zoti Ahmetaj! Ka qenë emergjencë mjedisore, e ka shpallur këshilli bashkiak në 2015-ën.

Unë atëherë kam qenë anëtar i këshillit bashkiak dhe e di mirë se si është ndërtuar ai incenerator, se si është vendosur të ndërtohet. Në mënyrë korruptive është vendosur të ndërtohet në Portëz, në një lagje të Fierit, në një fshat afër Fierit. Banorët e kundërshtuan fuqishëm me protesta, e mbytën bashkinë dhe e shporrën nga Portëza, por ai u ngul në Mbrostar.

Pas Mbrostarit dhe protestave të fuqishme iku dhe vajti në Kallm. A e dini se çfarë bëhet sot me inceneratorin e Fierit. Është një ngrehinë që ka ngrënë 32 milionë euro, por është jashtë funsionit. Nuk punon, teknologjia e saj është e mbaruar. Vit pas viti ka premtuar kryetari i bashkisë se do ta vërë në punë, por mashtron.

A e dini se sot, 6 bashkitë e qarkut Fier, Lushnja, Divjaka, Mallakatsra, Patosi, Roskoveci, Fieri i depozitojnë mbetjet urbane tek inceneratori i Fierit, por nuk kalojnë për incenerim, nuk kalojnë për diegie, nuk prodhojnë energji ashtu siç premtuan, por i depozitojnë në gropa gjigande rreth inceneratorit ku helmojnë nën tokën dhe kanë një erë të rëndë dhe të padurueshme për banorët e Petovës, të Kallmit të Vogël, të Kallmit të Madh, të Vërisë të Vallkanit. E pra, ky është korupsion i kësaj qeverie”, deklaroi Baçi./ CNA

Lajmet e fundit nga