LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Për avokatët e Ed Sulejmanit dhe ngjarjen tragjike me 16-vjeçarin në Himarë

16 Gusht 2023, 20:17, Aktualitet CNA

Për avokatët e Ed Sulejmanit dhe ngjarjen tragjike me

Rreth 3 javë më parë, CNA denoncoi drejtorin e kufirit në Vlorë, zotin Eduart Sulejmani.

Në një shkrim të parë e quajtëm “peshkaqeni” që ha detin sepse ai pretendonte se zbatonte ligjin, ishte njeri i ndershëm dhe i drejtë, në ruajtje të bregdetit, të sigurisë dhe jetës së njerëzve. Pra, zbatonte të gjithë detyrën sipas asaj që i jepte ligji.

Por si qëndronte e vërteta?

CNA bëri thjeshtë dhe vetëm disa vëzhgime, nga ku kuptoi se në zonën e bregdetit nga Ksamili deri në Vlorë, shumë nga individët punonin pa dokumente të rregullta, jepnin motora me qira pa pasur leje përkatëse, nuk kishin licencat e duhura për të ushtruar aktivitetin, por ishin gjatë gjithë kohës në aktivitet. Ndërsa operatorët seriozë, të cilët bashkëpunonin me policinë, të cilët i siguronin me të vërtetë jetën dhe i jepnin shërbimin e duhur qytetarëve, pengoheshin, shantazhoheshin.

Jo vetëm u përfol, por u tha me fakte dhe u vërtetua më pas nga policia se operatorët korruptonin zyrtarët e policisë deri në nivelet më të larta. Këtë e vërtetoi operacioni i policisë, zhvilluar pak ditë më parë (lexoni këtu), ku u kapën 32 gomone, skafe dhe motora uji, të cilët ushtronin aktivitet pa lejet përkatëse në bregdetin e jugut, ku ishte drejtor Ed Sulejmani.

Në atë kohë, Sulejmani vërsuli komentuesit e tij për të na thënë se nuk kishim fakte. U desh operacioni i policisë i pak ditëve më parë që të kuptonim se si qëndronte e vërteta, sa mjete ishin pa licencë dhe pse Sulejmani në vend që të luftonte ata që shkelin ligjin shkonte dhe në mënyrë arrogante, fyese dhe në gjuhë kërcënuese sfidonte njerëzit të cilët kanë të punësuar, kanë licencat, kanë dokumentet e rregullta, kanë eksperiencën e duhur, paguajnë tatimet, i paguajnë taksa shtetit shqiptar, ndërsa ata në të zezë që punojnë për rrethin e Sulejmanit vazhdonin detyrën.

Në fund do të duhej një ngjarje tragjike për të dërguar tek e vërteta, një ngjarje tragjike që ndodhi dje në Himarë.

Nuk ka diskutim që nuk do ta mbrojë Sulejmani të gjithë bregdetin, apo ku shkojnë motorat, por operatorët që i përdorin kanë programe specifike me harta të kontrolluara, në zonat ku ofrohen, si ulet shpejtësia e tyre dhe si përdoren mjetet lundruese. Këto janë pjesë e licensave që japin.

E në rast se sot ka një person që duhet të kërkojë një ndjesë publike dhe minimalisht duhet të kishte dhënë dorëheqjen nga detyra ky quhet Ed Sulejmani, të cilit në fakt ne i thamë “Peshkaqeni” i detit, pasi po e kafshonte atë duke përdorur abuzivët, duke shkelur vetë ligjin apo duke sulmuar personat dhe subjektet që respektonin vetë ligjin.

Dje pati një viktimë pikërisht sepse Ed Sulejmani nuk e bëri detyrën e tij dhe këtë na e tregoi edhe Policia e Shtetit, e cila shkoi nga Tirana për të kontrolluar se çfarë ndodhte vërtetë në bregdet dhe gjeti me dhjetëra subjekte, motora e gomone pa leje.

Dhe dje një jetë 16-vjeçari u pre në mes. Për këtë askush nuk po mban përgjegjësi, por Sulejmani po përpiqet sërish të shpëtojë dhe të justifikohet.

Herën e parë zgjodhi disa komentues dhe një tufë gjobaxhinjsh e kriminelësh mediatikë që po hetohen nga SPAK e Prokuroria që nga gjobëvënia e bashkëpunimi në korrupsionin e inceneratorëve.

Tani po përpiqet që të fshihet pas gishtit dhe e vërteta nuk vonoi, por erdhi me kohën dhe u tregua se si u gjetën mjetet që kryenin aktivitetin e paligjshëm dhe në fund duhej një jetë adoleshenti për të kuptuar se Drejtoria e Kufirit në Vlorë ishte një strukturë e korruptuar, që nuk bënte detyrën, që nuk mbante përgjegjësi, për më tepër po humbasim jetë njerëzish dhe ende nuk ka asnjë masë për këta përgjegjës që shkelin ligjin, që tolerojnë dhe abuzojnë me detyrën duke sjellë pasoja shumë të rënda./ CNA

Lajmet e fundit nga