web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Dosja "Partizani"/ Ylli Pango në GJKKO: Nuk mbaj mend detajet e privatizimit

22 Qershor 2026, 13:54, Aktualitet CNA

Dosja "Partizani"/ Ylli Pango në GJKKO: Nuk mbaj mend detajet e

Ish-ministri Ylli Pango është paraqitur në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të dhënë dëshminë e tij lidhur me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Gjatë seancës, Pango është shprehur se kujtesa e tij për këto çështje është e kufizuar për shkak të volumit të gjerë të detyrave që mbulonte.

Pango sqaroi se gjatë periudhës kur drejtonte dikasterin përkatës, në varësi të tij ndodheshin katër sektorë të ndryshëm, përfshirë trashëgiminë kulturore dhe strukturat sportive. Sipas tij, në mbledhjet e para të qeverisë së asaj kohe ishte kërkuar përshpejtimi i procesit të privatizimeve, por ai mohoi të kishte dijeni për detaje specifike mbi kompleksin “Partizani”.

"Unë do të flas vetëm për atë që mbaj mend. Kam mbuluar katër sektorë dhe nuk mund të kujtoj procedura 18 vjet më vonë," deklaroi Pango, duke shtuar se fokusi i tij kryesor në atë kohë ishte te turizmi dhe trashëgimia kulturore.

Ish-ministri pranoi se kishte dijeni të përgjithshme për gjendjen e kompleksit, duke u shprehur se ishte rritur në atë lagje dhe e dinte që disa pjesë të territorit ishin të zaptuara. Ai kujtoi se ish-drejtoresha e sporteve, Violeta Shqevi, i kishte përmendur çështje të rrethimit të territorit, por theksoi se nuk mban mend nëse kishte ndërmarrë ndonjë hap konkret ligjor për këtë shkresë.

Sa u takon figurave të përfshira në proces, Pango u shpreh se emrin e Afrim Tolës e ka dëgjuar vetëm së fundmi, ndërsa theksoi se nuk ka pasur probleme të ndikuara nga sporti gjatë ushtrimit të detyrës.

"Logjika ime është që një ministër me kaq shumë përgjegjësi nuk mund të mbajë mend detajet e çdo prone apo statusin e regjistrimit të çdo shoqate," u shpreh Pango./ CNA





Lajmet e fundit nga