LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

REPORTAZH- Punimi i thuprës, zanati që rrezikon të zhduket/ Mjeshtrat që mbajnë gjallë traditën

11 Qershor 2021, 06:52, Kulturë CNA
REPORTAZH- Punimi i thuprës, zanati që rrezikon të zhduket/

Në qytetin e Korçës vazhdon të ruhet tradita e punimit të thuprës.

Anife Hysa është 70 vjeç dhe ende vazhdon të punojë. Ajo njihet në gjithë qytetin e Korçës për punimet e saj prej thupre. Anife bën shporta, kanistra, kosha të formave e përmasave të ndryshme, madje edhe karrige e tavolina.

Këtë profesion ajo e ushtron prej vitesh, por zanatin e ka marrë që në vogëli, atëherë kur ndihmonte babain e nënën në punën e tyre. Prej tyre e ka trashëguar thurrjen e thuprës, që edhe pse duket e thjeshtë është një proçes i lodhshëm dhe ka vështirësitë e veta.

?Kam punuar 16 vjet në Artistiken e Korçës, në repartin e punimit të thuprës dhe që pas mbylljes së këtij reparti në vitin 1992 punoj privatisht. Por zanatin e kam marrë që e vogël. Unë lashë shkollën, vetëm katër klasë kam bërë, dhe shkoja ndihmoja nënën e babain në pyjore. Atëherë purtekat i mblidhnim në Tushemisht. Prej tyre e mësova këtë profesion. Purtekat më vonë i mbillja dhe i mblidhja vetë, por me kalimin e moshës nuk mundem më, ndaj tani e blej lëndën e parë?, tregon Anife.

Pavarësisht moshës dhe lodhjes që i kanë shkaktuar vitet e jetës, ajo vazhdon të punojë me të njëjtin pasion, për të siguruar të ardhura për një jetë normale, për atë dhe familjen e saj. Këtë zanat Anife ua ka trashëguar djemve të saj dhe tani përpiqet tua mësojë edhe nipërve e mbesave.

?Ne pothuajse të gjithë si familje punojmë me thuprën. Unë kam patur babain dhe më pas edhe vjerrin që kishin këtë zanat. Tani ua kam mësuar edhe djemve dhe ata po ua mësojnë edhe fëmijëve të tyre. Njëri nga nipat që sot është 25 vjeç e ka marrë këtë zanat dhe punon mirë?, shprehet 70 vjeçarja Hysa.

Puna me thuprën nuk është e thjeshtë, ajo kërkon shumë përkushtim. Në fillim bëhet zhveshja e lastarëve, larja e tyre e pastaj tharja. Në momentin e punimit ato futen sërish në ujë që të zbuten, në të kundërt nuk i punon dot.

Anife na tregon se kjo punë ka vështirësitë e veta, por eksperienca e viteve të bën mjeshtër të këtyre punimeve me dorë. Ndodh që thuprat të thyhen, çahen apo plasariten dhe ndonjëherë nuk janë të lehta për tu punuar, pasi të vrasin duart me fortësinë e tyre. Por ajo tashmë është një profesioniste, ku vitet e punës i kanë mësuar edhe sekretet e këtij profesioni.

?Nuk është e lehtë, të vriten duart, thupra mund të thyhet, të çahet. Ne punojmë më kallëpe dhe bëjmë çdo gjë që kërkojnë klientët. Dikur në vitet ’90 mallin tonë e shisnim edhe në Greqi, na e blinin për tregti, ndërsa sot shitjet janë të pakta. Më tepër shes nëpër biznese, dyqane lulesh apo bare e hotele që i përdorin për vazot e luleve apo zbukurimin e ambienteve, edhe nëpër shtëpi, ndaj vij vërdallë gjithë ditën për të shitur ndonjë gjë?, shprehet ajo më tej.

Anifen e sheh në çdo cep të qytetit, ja kështu me këtë pamje që duket në foto, me shportat e saj në krahë, në dimër e në verë.

Ajo është fjalë pak e punë shumë, nuk ndihet kur ecën nëpër rrugët e rrugicat e Korçës. Ndalet vetëm nëse dikush kërkon të shohë apo të blejë ndonjë nga shportat që ajo mban mbi supe.

Në çdo punim të sajin ndihet pasioni dhe dashuria që ajo ka për këtë zanat, që e ka rritur e që e ka shoqëruar gjithë jetën.

Por Anifeja nuk është e vetmja në familjen Hysa, që merret me punimin e thuprës. Edhe bashkëshorti i saj ka punuar dikur, por tani për shkak të moshës e ka të pamundur.

Në hyrje të Pazarit të Vjetër të Korçës, ne takojmë Xhevahirin, djalë i familjes Hysa. Sot ai është 65 vjeç dhe del çdo ditë në zona të ndryshme të qytetit, për të shitur ndonjërën prej shportave që ka përgatitur.

Mjeshti i thuprës, na tregon se këtë zanat e ka trashëguar nga babai dhe nga gjyshi i tij. Ai i përket brezit të katërt të kësaj tradite familjare.

Me punimin e thuprës Xhevahiri është njohur që në moshë të vogël. Ai filloi të mësonte që kur ishte 10-12 vjeç këtë zanat dhe prej atij momenti nuk e ka ndarë nga vetja, pavarësisht vështirësive apo të ardhurave të pakta që fiton nga kjo punë.

Ai së bashku me tre vëllezërit e tij e kanë trashëguar nga paraardhësit e tyre këtë zanat. Por për fat të keq asnjëri prej djemve të tij nuk e ka mësuar zanatin e punimit të thuprës, edhe pse dëshira e mjeshtit ishte që kjo traditë familjare të mos humbiste në breza.

?Unë kam filluar të mësoj punimin e thuprës që kur isha 10-12 vjeç, nga babai dhe nga gjyshi. Ne e kemi traditë familjare. Por edhe pse kemi shumë dëshirë tua përcjellim të rinjve këtë zanat që është një pasuri për kulturën e qytetit, është e pamundur. Unë kam tre djem, asnjëri prej tyre nuk kishte dëshirë të mësonte punimin e thuprës?, thotë Xhevahiri.

Mjeshtri Hysa na tregon gjithë procesin që ndjek për përgatitjen e një shporte prej thupre.

?Kërkon shumë punë. Fillimisht me mbledhjen e purtekave. Unë vazhdoj ti mbledh vetë, i marr në fshatin Qafëzez të Korçës. Ja tani në muajin gusht shkoj aty për 15-20 ditë dhe grumbulloj material për të punuar më pas gjatë gjithë vitit. Bëhet në fillim mbledhja, zhveshja dhe tharrja e tyre. Më pas kur do të bësh një punim i fut purtekat në ujë dhe mund të fillosh nga puna?, tregon 65 vjeçari.

Xhevahiri bën shporta, të cilat përdoren kryesisht për mbajtjen e frutave, perimeve apo rrobave. Ai bën gjithashtu edhe veshje për zamzane (enë e madhe qelqi, me bark të gjerë e me grykë të ngushtë) për të mbajtur verë, raki etj. Ai bën edhe punime me porosi sipas kërkesave të klientëve.

?Kemi kallëpe për të gjitha shportat. Ja për shembull njërën prej këtyre shportave të mëdha unë mund ta bëj për rreth dy orë. Por bëj edhe gjëra me porosi, ashtu si e kërkojnë njerëzit?, shprehet mjeshtri.

Ajo që shqetëson Xhevahirin, nuk është puna, por fakti që ky zanat mund të zhduket me kalimn e kohës. Sipas tij, artizanët që kanë ngelur janë në moshë të thyer dhe të rinjtë nuk po preferojnë ta trashëgojnë më këtë zanat. Ata zgjedhin të vazhdojnë studimet, të punësohen në sektorë të tjerë dhe jo të vazhdojnë këtë traditë familjare.

Për mjeshtrin e thuprës, ky nuk është vetëm një zanat, por kërkohet më tepër vëmendje dhe mbështetje që të ketë vazhdimësi.

?Ky nuk është zanat, është art, por për fat të keq nuk vlerësohet shumë në vendin tonë, prandaj dhe të rinjtë zgjedhin të punojnë në punë të tjera, të cilat sigurojnë më tepër të ardhura. Duhet të kemi më shumë mbështetje, sidomos për të rinjtë?, shton më tej 65 vjeçari Hysa.

Edhe pse kërkesat për objekte të tilla janë gjithmonë në rritje, të rinjtë nuk po e mësojnë më zanatin e të parëve. Mësimi i punimit të thuprës sipas mjeshtrit, është i rëndësishëm jo vetëm për trashëgiminë e këtij zanati, por edhe një mundësi e mirë e vetëpunësimit, për të siguruar të ardhura për shumë familje.

Vetëm njëri prej nipërve të tij, Pëllumbi e ka trashëguar këtë zanat të familjes Hysa dhe vazhdon ta ushtrojë edhe sot e kësaj dite. Ai ka hapur një punishte të vogël në qytetin e Korçës, por për të ne do ju tregojmë një herë tjetër./CNA.al

Lajmet e fundit nga