LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Përplasja Top Channel-Nadir Çausholli/ Nga akuzat, kallëzimet penale tek "dashuria në kohën e kolerës"

24 Mars 2020, 13:42, Politikë CNA

Përplasja Top Channel-Nadir Çausholli/ Nga akuzat, kallëzimet

Në tetor të vitit 2015 bëri jo pak bujë në media arrestimi i biznesmenit Nadir Çaushollit, pronari i një prej kompanive më të mëdha farmaceutike në vend, CFO Pharma.

Arrestimi i tij u bë lidhur me skandalin e recetave të rimbursueshme dhe ilaçit ‘Ketosteril’.

Prangosja e Çaushollit ishte faza e dytë e hetimeve të prokurorisë në lidhje me skandalin e recetave të rimbursueshme ku më parë po për të njëjtën mënyrë vjedhje të parave publike u gjykuan dhe ish-zyrtar të drejtorisë rajonale të fondit të kujdesit shëndetësorë Tiranë.

Ka qenë një analizë që i është bërë recetave të rimbursueshme për 6 muaj nga Prill në Shtator 2015 nga ku ka rezultuar se në mënyrë të pajustifikuar është rritur rimbursimi i ilaçit “Ketosteril” me një dëm prej 400 mijë eurosh.

Por ndaj Çaushollit ka pasur edhe akuza të tjera. Ndërkohë që Çausholli ishte në burg, në nëntor të vitit 2015 ish- kryeministri Sali Berisha duke folur nga salla e seancave plenare tha se Ministria e Shëndetësisë, 3 ditë pas arrestimeve të bujshme për skemë mashtrimi me ilaçet i ka dhënë tender kompanisë “Omega Pharma”. Tenderi, sipas Berishës, ka të bëjë me blerje ilaçesh dhe është shpallur më 2 Nëntor.

Por, vetëm një vit pas arrestimit të tij, në tetor të vitit 2016, biznesmeni Çausholli, së bashku e personat e tjerë të arrestuar në lidhje me këtë çështje u liruan nga burgu. (Lexo këtu)

Por, emri i Çaushollit do të rikthehet në media sërish rreth një vit më parë, pas një përplasje mjaft të fortë që ka ndodhur mes televizionit Kombëtar Top Channel, dhe kompanisë  farmaceutike, CFO Pharma.

Në fillim ishte emisioni Top Story, i cili në muajin shkurt të vitit 2019 filloi sulmet ndaj kompanisë farmaceutike, CFO Pharma. Në një kronikë të datës 27 shkurt 2019, Top Story akuzonte fondin e kujdesit shëndetësor, se favorizonte një kompani farmaceutike, në lidhje me barnat e rimbursueshme, edhe pse nuk përmendej emri i kompanisë. (Lexo ketu)

Por në lidhje me kronikat që transmeton Top Story, ka pasur akuza në media, sipas të cilave ky emision përdoret për shantazh ndaj subjekteve të caktuara.

Vetëm një ditë pas publikimit të kësaj kronike, në datë 28 shkurt 2019, portali i gazetarit Çim Peka publikoi një shkrim, në të cilin pretendohej se emisioni investigativ Top Story u bënte presion për ti zhvatur disa kompanive, në bazë të investigimit që kishte bërë.

Ndër të tjera në shkrimin e publikuar nga portali i Çim Pekës, thuhej se “Top Story” është një emision në dukje investigativ i cili që prej ditës së parë, është shnëdrruar në një kamzhik me të cilin po goditen ata që janë armiqtë e  pushtetit të Ramës, të jashtëm e te brendshëm.

SYRI.net ka siguruar një dokument, i cili ka mbërritur në adresën e katër kompanive të cilat në rast se nuk pranojnë të “reklamojnë” për 200 mijë euro secila në Top Channel atëhere do të bëhen objekt investigimi i emisionit “Top Story” që menaxhohet direkt nga Drejtori i televizionit Ben Blushi. (Lexo Këtu)

Por, përplasja mes Top Channel dhe Nadir Çaushollit u thellua më tej dhe u pasua nga një seri kronikash televizive, duke përfunduar edhe me kallëzime në prokurori.

Pas një seri përplasjesh, Nadir Çausholli akuzoi Top Channel për gjobëvenie.

Në një shkrim të publikuar nga Pamfleti, në 18 prill të vitit 2019, thuhej se Top Channel është paditur për gjobëvënie 250 mijë euro. Sipas këtij shkrimi Vjollca Hoxha, në bashkëpunim me stafin e saj, u bëjnë presione të vazhdueshme, bizneseve në Shqipëri, për gjobë-vënie, siç janë kompanitë e prodhimeve të qumështit, të mish-sallamit, karburanteve, ndërtimeve, arsimore, kompanive spitalore farmaceutike, mjedisore etj.

Ndërkohë, Çausholli në një dalje për mediat, akuzonte Top Channel, për gjobvënie. (Lexo këtu)

“Unë kam bërë një kallzim penal ndaj kësaj medie, pronares dhe stafit të saj për gjobvënie të pastër ndaj biznesit. Prandaj na intimidon, duke përbërë në këtë mënyrë një gjobvënie të pastër ndaj biznesit tonë dhe për këtë do të përgjigjet para drejtësisë”, u shpreh në atë kohë Nadir Çausholli.

Por, një detaj që vihet re gjatë kohës që ka ndodhur kjo përplasje, është edhe një reagimi i Ambasadës së SHBA.

Shefi i Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën e SHBA në Tiranë, Brian Beckmann në prill 2019, u shpreh se mediat përdoren si armë kundër biznesit, personave apo partive politike dhe jo si mjet për të treguar të vërtetën. “Shohim histori që janë shkruar, jo të bazuara në të gjitha faktet e vlefshme, por në të kundërt, me informacion të pjesshëm, të shtrembëruar që ofrohet për të promovuar interesin e një industrie, partie, një individi kundrejt një tjetri. Ata përdorin median me qëllimin e vetëm që të arrijnë atë që duan. Çdo takim ditor editorial në Shqipëri duhet të fillojë me pyetjen “Cila është historia që duhet të tregojmë?” dhe jo “Kujt do t’i vihemi nga pas sot? Lajmet duhet të përqendrohen tek e vërteta, dhe jo si mund të përdoret forca e shtypit si një armë kundër një personi, biznesi, apo një partie politike”,- deklaroi në atë kohë Brian Beckmann.

Por, Top Channel, nuk u ndal, duke vijuar një seri kronikash disa-ditore, në të cilat deklaronte se kishte zbuluar që ilaçet e importuara nga CFO Pharma shiten në farmacitë e vendit me një çmim shumë herë më të lartë se sa ai i blerjes.

Gazetarët e Top Channel, raportonin në mënyrë të vazhdueshme për ato që televizioni i konsideronte shkelje dhe abuzime nga CFO Pharma.

Në 23.03.2019, u publikua një tjetër denoncim, për një produkt të kompanisë CFO Pharma. Bëhet fjalë për një ilaç të quajtur “Oledrohot”, që përdoret si antigripal. Në videon e postuar nga Lolita, e cila pretendon se është denoncuar nga një farmaciste, thuhet se këtij bari i fshihet data e skadencës.

Në lidhje me këtë denoncim, Gazeta Shqip shkruante se “Oledrohot” vjen nga kompania CFO Pharma, me administrator Nadir Çaushollin. Ky i fundit është akuzuar në të kaluarën për skandalin e rimbursimit të barnave, duke i shkaktuar një dëm prej 2.2 milion eurosh. Por pas një procesi gjyqësor, fitoi pafajësinë dhe sot është rikthyer në tregun farmaceutik. (Lexo këtu) Por, që “rastësisht”, Oledrohot sot është një ndër sponsorizuesit kryesorë të Top Channel.

Kronikat vijuan më tej. Në datën 17.04.2019, Top Story akuzonte biznesmenin Nadir Çausholli, se kishte përdorur ka përdorur një portal për të denigruar Top Story-n dhe televizionin Top Channel, duke iu referuar kështu një shkrimi të datës 28 Shkurt 2019 në këtë portal, që drejtohet nga gazetari Çim Peka.

Top Story pretendonte se rasti konkret i publikuar nga syri.net, tregon më së miri se si ky portal është vënë në shërbim të shpifjes, me një shkrim të sponsorizuar nga biznesmeni Çausholli.

Sikurse pretendon emisioni, Çausholli nëpërmjet shoferit të tij personal i ka dërguar një letër ministres së Financave Anila Denaj, por jo në emrin e vet. Në letrën e nisur ministres Denaj, biznesmeni Nadir Çausholli kishte vendosur emrin e autorit të programit Top Story, Endrit Habilaj. (Lexo këtu)

Në 18.04.2019, Top Channel deklaronte se Çausholli është thirrur në prokurori, sipas tyre me akuzën shantazh ndaj mediave.

“Një ditë pas transmentimit të Top Story, biznesmeni Nadir Çausholli u thirr sot në prokurori për të dhënë shpjegime lidhur me letrën e dërguar prej tij tek Ministria e Financës.

Në letër, biznesmeni kishte keqpërdorur emrin e autorit të Top Story-t për të nxitur një konflikt me pronarin e Ora Neës, Ylli Ndroqin.”-thuhej në kroniken e Top Channel.

Më tej, Top Channel nis një seri kronikash, ku në pamje të parë gjithcka duket si një investigim gazetaresk dhe me interes për publikun, edhe pse siç duket më vonë “dardha e ka bishtin prapa”.

Në një kronikë të datës, 17.05.2019, Top Channel akuzon kompaninë farmaceutike se ua shet pensionistëve një ilac për veshkat, 180 herë më shtrenjtë.

Në datën 05.06.2019, Top Channel publikon një tjetër kronikë, ku thuhet se “Abuzimi me çmimin e medikamentit Soludamin nga subjekti farmaceutik CFO PHarma duke e shitur atë 18 herë më shumë se sa çmimi që kishte miratuar komisioni i çmimit të barnave do t’i kushtojë kësaj kompanie një gjobë 10 fish sa përfitimi në mënyrë abuzive që ka pasur kjo kompani nga shitja e Soludaminës.

Kjo deklarohet nga Agjensia kombëtare e barnave në një reagim të parë të këtij institucioni i cili kontrollon tregun e medikamenteve në vendin tonë. Burime të Top Channel thonë se gjoba 10 fish për përfitimin abuziv mund të shkojë deri në 400 milion lekë ndaj CFO PHarma.”

Ndërkohë në 17 qershor 2019, BoldNeës.al publikon një shkrim, sipas të cilit qëllimi i kronikave të Top Channel, është shantazhi.

Më tej, Nadir Çausholli, në një prononcim për “Boldnews.al” deklaroi se kompania CFO Pharma është gjendur nën sulmin e Top Channel, ku në shënjestër u vendosën produktet farmaceutike të kompanisë së tij, të njëjtat që ishin reklamuar deri pak kohë më parë në emisionet e ndryshme të TCH.

Çausholli deklaroi se ai ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë për Krime të Rënda ndaj administatores së Top Channel, Vjollca Hoxha dhe dy personave të tjerë të stafit të televizionit, për veprën penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, e njohur në leksikun e përditshëm edhe si “gjobvënie”.

Pronari i CFO Pharma, në komunikimin me “Boldnews.al” deklaron se në kallëzim, ndër të tjera, ka përmendur faktin që drejtuesit e Top Channel i kanë kërkuar një “gjobë” 250 mijë euro, në këmbim të mbrojtjes që televizioni do u bënte produkteve të tregtuara nga kompania e tij. Kjo shumë do të ishte e veçantë nga ajo që CFO Pharma do të paguante për publicitetin, e etiketuar si PR. (Lexo këtu)

Pra, siç duket se “dardha e ka bishtin prapa”. Top Channel si duket se e përfundoi misionin e tij dhe kompania farmaceutike jo vetëm që nuk sulmohet më, por është tashmë një ndër sponsorit kryesorë të Top Channel me emisione ekskluzive dhe me reklamën e rikthyere të Oledrohot.

Çfarë i ka ngelur tani Top-it, që nuk la fjalë pa thënë dhe akuzë pa ngritur? Ku është morali, etika vlerat e këtij televizioni që akuzon dhe lufton me një biznesmen e kompani ashpër në emër të parimeve dhe  pak muaj më vonë merr nga ai reklamat e produkteve që ka sulmuar.

Ne disa materiale të tjera CNA.al do sjellë detaje mbi këto përplasje dhe si u arrit një marrveshje midis dy palëve që akuzonin njëra tjetrën nga intimidimi deri tek gjobvënia.

Pas shkrimeve dhe kronikave të Top Channel duket se nuk qëndron interesi publik, por thjesht dhe vetëm interesi personal i Vjollca Hoxhës, apo Ben Blushit që e kanë shndërruar Top Channel, nga një media ikonë, në një media që akuzohet, kallzohet penalisht dhe më pas reklamon duke lepirë gjithçka ka pështyrë.

Lufta mes palëve ka përfunduar dhe tashmë kemi “dashuri në kohën e kolerës”.

Kush i pagoi gjobën kujt? Apo çdo akuzë ra porshtë vetëm pas një takimi në dhjetor dhe një kontrate të re reklamash?/ (vijon) CNA.al

Lajmet e fundit nga