LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Si përhapet koronavirusi, dhe si mund të mbroheni prej tij?

1 Shkurt 2020, 11:51, Blog CNA
Si përhapet koronavirusi, dhe si mund të mbroheni prej tij?

* Gati 10.000 njerëz janë infektuar nga koronavirusi i ri, që po vazhdon të përhapet në gjithnjë e më shumë vende, që kur u zbulua për herë të parë në qytetin kinez të Vuhanit në fillim të dhjetorit 2019. Më shumë se 200 njerëz kanë vdekur deri më tani, të gjithë në Kinë, dhe thuajse të gjithë në provincën e Hubei, që ka për kryqytet pikërisht Vuhanin. Ja çfarë duhet të dini mbi këtë sëmundje të rrezikshme.

Si përhapet koronavirusi?

Koronavirusi 2019-nCoV përhapet nga personi në person, në mënyrë të ngjashme me sëmundjet e tjera të frymëmarrjes, sikurse edhe është gripi i zakonshëm. Sëmundja mund të transmetohet përmes teshtitjes ose kollitjes, që shpërndajnë pikëla nga lëngjet e trupit, si pështyma apo mukoza.

Sipas shkencëtarëve, kollitjet dhe teshtitjet mund të përhapin pikëla të vogla deri në disa metra, të cilat qëndrojnë të pezull në ajër deri në 10 minuta. Ato mund të bien në kontakt të drejtpërdrejtë me njerëz të tjerë, ose mund të infektojnë ata që prekin sipërfaqet ku rrëzohen pikëlat e infektuara, ose duke prekur një sipërfaqe të infektuar, dhe më pas fytyrën e tyre.

Ende nuk dihet se sa kohë mund të mbijetojë virusi në sipërfaqe, por tek viruset e tjera diapazoni është midis disa orë apo edhe disa muaj. Transmetimi i sëmundjes, përbën një shqetësim të veçantë për transportin, ku pikëlat e përshtymës apo mukozës që përmbajnë koronavirusin, mund të kalojnë midis pasagjerëve, ose përmes sipërfaqeve në ndenjëset e avionit.

Periudha e inkubacionit të koronavirusit, pra koha nga infektimi deri para shfaqjes së simptomave të parë, është 1-14 ditë. Megjithëse nuk është konfirmuar ende, autoritetet shëndetësore kineze besojnë se virusi mund të transmetohet edhe përpara se të shfaqen simptomat e tij.

Nëse kjo është e vërtetë, do të kishte pasoja të mëdha për masat që po merren për parandalimin e përhapjes së tij, thotë Gerard Krauze, drejtues i Departamentit të Epidemiologjisë në Qendrën Helmholc për Infeksionet. ?Kjo është diçka e pazakontë për sëmundjet e transmetueshme të frymëmarrjes. Por nëse ndodh, pasojat janë të rënda. Pasi autoritetet e shëndet publik duhet të identifikojnë njerëzit që janë të rrezikuar ta transmetojnë sëmundjen?- thotë ai.

A mund të jenë njerëzit e imunizuar ndaj koronavirusit të ri?

Viruset që përhapen shpejt, kanë zakonisht nivele më të ulëta të vdekshmërisë, dhe anasjelltas.

Edhe pse numri i përgjithshëm i të vdekurve është rritur, shkalla e vdekshmërisë aktuale është rreth 2.4 për qind e rasteve të identifikuara deri tani.

Dhe ajo është më e ulët se sa ekspertët u frikësuan që fillim, dhe shumë më poshtë Sindromës së Rëndë të Frymëmarrjes Akute, SARS, një koronavirus tjetër që shpërtheu midis viteve 2002-2003, dhe që vrau 9.6 për qind të të infektuarve. Meqë virusi është një shtam krejtësisht i ri, nuk ka ende një imunitet ekzistues tek cilido që ai mund të prekë.

Një lloj niveli imuniteti, do të zhvillohet natyrshëm me kalimin e kohës, por kjo do të thotë që ata që kanë një sistem imunitar të dobët, siç janë të moshuarit apo të sëmurët kronikë, janë më shumë të rrezikuar që të sëmuren rëndë, ose të vdesin nga koronavirusi.

Si mund të mbrohen njerëzit? A janë të dobishme maskat e fytyrës?

Në kushtet e vetëmbrojtjes dhe parandalimit të virusit, ekspertët bien dakord se është e rëndësishme që të lani plotësisht duart me sapun; të mbuloni fytyrën kur kolliteni ose teshtitni; të shkoni menjëherë tek mjeku i famijles nëse keni simptoma të gripit, dhe të shmangni kontaktin e drejtpërdrejtë me kafshët e gjalla në zonat e prekura.

Ndërsa maskat e fytyrës janë shumë popullore, shkencëtarët dyshojnë në efektivitetin e tyre kundër viruseve që përhapen përmes ajrit. Ato mund të ofrojnë një lloj mbrojtje për ju dhe të tjerët, por janë të lirshme dhe të prodhuara nga një material që është lehtësisht i përshkueshëm, çka do të thotë që sërish pikëlat e përshtymës apo mukozës, mund të depërtojnë. Disa vende si Britania e Madhe dhe Nigeria, i kanë këshilluar qytetarët e tyre që kthehen nga Kina të futen në karantinë për të paktën 2 javë.

Çfarë po bëhet për të ndaluar përhapjen e koronavirusit, dhe kur mund të gjendet vaksina?

Kina ka vendosur nën karantinë Vuhanin dhe disa qytete të tjera. Kjo masë ka prekur më shumë se 50 milion njerëz, edhe pse nuk e ka ndaluar përhapjen e virusit në të gjitha provincat e vendit. Ndërsa numri i të prekurve vazhdon që të rritet, bizneset dhe vendet e ndryshme po ndërmarrin veprime gjithnjë e më drastike.

Disa linja ajrore, kanë ndaluar tashmë fluturimet e tyre drejt Kinës, nga kompanitë britanike deri tek ato afrikane, ndërsa një numër vendesh evropiane dhe aziatike, janë duke evakuuar qytetarët e tyre nga Vuhani. Rusia do të mbyllë kufirin e saj me Kinën.

Transmetimi nga personi në person është konfirmuar në Gjermani, Kanada, Vietnam, Korenë e Jugut dhe Japoni. Shefi i Emergjencës në OBSH, Majkëll Rajan e ka cilësuar këtë gjë një ?shqetësim shumë të madh?. Pavarësisht përparimeve më të fundit në teknologjinë mjekësore, nuk ka të ngjarë që një vaksinë kundër koronavirusit të jetë në dispozicion, për t?u shpërndarë në mënyrë masive brenda vitit.

Kjo do të thotë që masat e shëndetit publik për të përmirësuar parandalimin e virusit, do të jenë jetike për të mbajtur nën kontroll pandeminë. Kufizimet e lëvizjeve, nuk do të ndalojnë përhapjen e sëmundjes në tërësi, por do të ngadalësojnë përparimin e saj, dhe do të ?blejnë kohë? për zonat që e kanë shmangur deri tani infeksionin, në mënyrë që ato të përgatiten si duhet. Kjo gjë do të kufizojë masat në infrastrukturën shëndetësore, duke e zvogëluar numrin e infeksioneve mendon Krauze.

Sa e rëndë është kjo epidemi?

Duke pasur parasysh reagimin dhe ndikimin, koronavirusi i ri po trajtohet si një shqetësim serioz. Infeksioni është aktualisht më i përhapur sesa episodi i SARS-it në vitet 2002-2003, që ishte gjithashtu me origjinë nga Kina. Por kjo për sa i përket personave të prekur, por jo numrit të të vdekurve.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e ka përcaktuar shpërthimin e kësaj epidemie me nivelin më të lartë paralajmërues, atë të emergjencës globale, siç ka vepruar edhe në 5 raste të tjera në të shkuarën, përfshirë Ebolën në vitet 2014 dhe 2019, poliomielitin në vitin 2014, virusin Zika në vitin 2016, dhe Gripin e Derrit në vitin 2009./ Aljazeera.com-Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga