LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Si historia tragjike në familje, e nxiti Samuel Morsin të shpikte telegrafin

9 Janar 2020, 07:39, Blog CNA
Si historia tragjike në familje, e nxiti Samuel Morsin të shpikte

Ishte shkurti i vitit 1825, dhe 34-vjeçari Samuel Mors, një piktor i realizuar ndodhej në Uashington, duke punuar mbi një portret të porositur nga një biznesmen i madh. Ai i shkroi një ditë gruas së tij të dashur:?Dua të më shkruash se çfarë po bën?. Në fakt, prej saj nuk do të vinte më kurrë asnjë përgjigje.

Në mungesë të tij, ajo vdiq befas nga një sulm në zemër. Lajmi tragjik mbërriti shumë vonë tek Mors, dhe ai nuk ishte i pranishëm as në funeralin e bashkëshortes së tij. Kjo ngjarje do të linte një shenjë të thellë në shpirtin e artistit, dhe do ta nxiste atë të shpikte në një pajisjet më revolucionare, që do të ndryshonte historinë e komunikimit.

Po kush ishte Samuel Mors? Lindi në prillin e vitit 1792 në Çarlstaun të Masaçusetsit. Ai ishte fëmija i parë i Xhedidiah Mors, gjeograf në profesion. Samuel u arsimua në Akademinë Filips në vendlindje. Ai nuk ishte një student shumë i mirë, edhe pse shfaqi që herët talentin e tij artistik. Më vonë ai nisi studimet në Kolegjin e Jeilit.

Mors ndoqi kurse në matematikë, filozofi fetare por dhe për energjinë elektrike, një fushë që më vonë do të kishte një rëndësi të madhe për të. Samuel donte të bëhej një artist, por i ati kishte plane të tjera. Ai synoi ta bënte një botues librash. Por kur e pa se i riu Mors nuk po përshtatej dot, vendosi të mbështesë aspiratat e tij artistike.

Në vitin 1811, Mors shkoi për 3 vite në Angli, duke studiuar dhe përsosur artin e tij të pikturës. Ai u zgjodh anëtar i Akademisë Mbretërore Britanike. Në atë kohë, realizoi tablonë që cilësiohet nga kritika si vepra e tij më e mirë, një imazh të heroit mitik Herkulit, në grahmat e vdekjes.

Pasi u rikthye në SHBA, ai vazhdoi të pikturojë në një studio në Boston. Në vitin 1818 u martua me Lukrecia Uokerin, që do të vdiste papritur në moshën 25-vjeçare. Në 7 vitet e martesës, çifti do të sillte në jetë 3 fëmijë. Më e madhja, Suzan, ishte vetëm 5-vjeçe kur i vdiq e ëma.

Edhe pse veprat e tij, tërhoqën vëmendjen e publikut, shitjet e tyre ishin të pakta. Ndaj Samuel u detyrua të merrte porosi për portrete aty ku mundte, duke udhëtuar kudo ku kërkohej. Një porosi e tillë ishte ajo e francezit Zhilber dë Motje, i njohur më shumë si Marezi dë Lafajet.

Ai ishte një personazh i nderuar në Amerikë, për shkak të ndihmës që dha si komandant ushtarak në mposhtjen e britanikëve gjatë Luftës Revolucionare.

Pagesa për portretin do të ishte 1.000 dollarë, një shumë e madhe për kohën. Mors u largua nga shtëpia e tij në Nju Hejvën në Konektikat, dhe udhëtoi për 4 ditë derisa mbërriti në Uashington. Ai la në shtëpi bashkëshortjen e tij Lukrecia, që ishte në muajt e fundit të shtatzënisë me fëmijën e tyre të tretë.

Ajo i shkroi me dashuri burrit të saj:?Jam e lumtur kur mendoj, se nuk ka mbetur edhe shumë kohë kur t?i do të jesh sërish këtu, në gjirin e familjes tënde të dashur?. Mors mori pak ditë më vonë një letër tjetër, por këtë herë nga i ati që e njoftonte:?Zemra ime është e copëtuar, dhe jam thellësisht i trishtuar, të të njoftoj për vdekjen e papritur të gruas tënde të dashur!?.

Për shkak të vonesave të pashmangshme, si pasojë e shpërndarjes së ngadaltë të postës me kuaj në vitet 1820, Mors nuk arriti të ishte i pranishëm në funeralin e saj. Edhe pse u shkatërrua shpirtërisht nga humbja e Lukrecias, Samuel e vazhdoi dhe për disa vite karrierën e tij si artist. Ai udhëtoi sërish drejt Evropës në vitin 1829. Këtë herë destinacioni i tij ishte kryeqyteti francez, Parisi. Nga aty ai vizitoi Zvicrën dhe Italinë.

Ai realizoi atje disa tablo, të cilat nuk u shitën sa shpresonte. Në vitet 1830 i hyri politikës, dhe kandidoi për kryetarin e Bashkisë së Nju Jorkut, po u zhgënjye shpejt dhe doli prej saj. Pasi as piktura nuk po i garantonte dot një jetesë normale, Mors nisi t?i kushtojë vëmendje telegrafit. Ai e kishte përshkruar konceptin mbi të që në vitin 1832.

Ai synonte të ndërtonte një makinë që do të dërgonte sinjale përmes një teli, dhe një qarku elektrik të mbyllur. Makina marrëse do të përdorte një elektromagnet, për të shënuar sinjalet si një seri pikash dhe vijash. Këto të fundit mund të deshifrohen më pas, me përdorimin e një çelësi të koduar, që do të shndërronte sinjalet e thjeshta në numra dhe shkronja, të cilat do të formonin një mesazh.

Në eksperimentet e tij, u ndihmua nga kimisti i Universitetit të Nju Jorkut, Leonard Gejl.

Ky shpiku një metodë, për të rritur fuqinë e baterisë dhe magnetit që përdorte Mors. Ata dërguan me sukses një mesazh përgjatë një linje 500 metra të gjatë. Më vonë pajisja u përshtat, për të dërguar sinjale në një distancë të pakufizuar.

Në fillim shpikja e tij u prit ftohtë. Ndaj Mors e pati shumë të vështirë me mbledhjen e fondeve, për ndërtimin e të parit rrjet telegrafik në botë. Ai arriti të bindë Kongresin dhe Senatin Amerikan vetëm në vitin 1842, përmes një demonstrimi konkret. Qeveria i dha 30.000 dollarë një vit më vonë, për të ndërtuar një linjë telegrafike midis Uashingtonit dhe Baltimorës, në një distancë 61 km.

Ajo u hap zyrtarisht në vitin 1844, dhe mesazhi i parë i transmetuar ishte një citat biblik nga Libri i Ligjit të Përtërirë:?Çfarë ka bërë Zoti??. Falë vendosmërisë së Mors, bota kishte për herë të parë një sistem komunikimi të menjëhershëm në distanca të gjata. Shumë shpejt, sistemi telegrafik i Mors dhe kodi i tij, do të përhapeshin në mbarë botën. Samuel Mors vdiq në vitin 1872, në moshën 80-vjeçare si një njeri i pasur dhe i nderuar./ Historicalpost-Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga