LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Pse vrasja e një komandanti iranian, nuk do të shkaktojë Luftën e Tretë Botërore

7 Janar 2020, 07:13, Blog CNA
Pse vrasja e një komandanti iranian, nuk do të shkaktojë

Nga Ray Takeyh ?Politico?

* Pasi organizoi për shumë vite operacionet në mbarë Lindjen e Mesme, gjenerali iranian Kasëm Sulejmani, kreu i Forcës Kuds, u vra më në fund nga sulmet ajrore amerikane në orët e para të mëngjesit të së premtes së shkuar.

Historia nuk do të vajtojë një nga vrasësit më brutalë të epokës sonë, që ishte përgjegjës për qindra të vdekur, kryesisht arabë dhe amerikanë. Sulejmani nuk ishte vetëm fytyra e terrorizmit iranian. Ai përfaqësonte dimensionet e tij në ndryshim. Republika Islamike, ka qenë gjithmonë një regjim i dhunshëm, por terrori i saj është fokusuar më shumë mbi Izraelin.

Dekadën që kaloi, Sulejmani e shndërroi terrorizmin në një instrument efektiv të ekspansionit perandorak të Iranit, duke komanduar një forcë transnacionale shiite, e cila ka dominuar në konfliktet në të gjithë Lindjen e Mesme. Vdekja e tij është padyshim një goditje për teokracinë iraniane.

Por në dallim me atë që parashikojnë shumë analistë, ka shumë të ngjarë që oligarkët klerikë, të tërhiqen përballë vendosmërisë amerikane. Në dekadat e saj të para në pushtet pas revolucionit të vitit 1979, Republika Islamike e përqendroi tërbimin e saj mbi Izraelin.

Ajo ndihmoi grupimet palestineze të rezistencës, dhe çështë më e rëndësishmja, krijoi grupin militant Hezbollah në Liban. Një rekord sulmesh vetëvrasëse, atentatesh dhe rrëmbimesh, e bënë shumë shpejt Hezbollahun një organizatë terroriste, me një shtrirje globale mbresëlënëse.

Edhe para themelimit të Al-Kaidës, Hezbollahu kishte pasur një vend të spikatur në botën e fondamentalizmit. Ajo promovoi jo vetëm taktika të reja, si sulmet vetëvrasëse me bomba, por përdori ndërkohë me zgjuarsi edhe fenë për të justifikuar dhunën e saj të padallimta.

Gjithsesi, sado vdekjeprurës mund të ishte Irani dhe grupimet e mbështetura prej tij, dhuna e tyre ka pasur përgjithësisht një shënjestër konkrete, me Izraelin si preja më e preferuar. Pastaj në skenë u ngjit Kasëm Sulejmani, ?komandanti hije? i forcës elitare Kuds brenda trupave të Gardës Revolucionare Islamike, dhe trazirat e transformuan Lindjen e Mesme.

Sulejmani ishte njeriu i duhur në kohën e duhur. Pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001 në SHBA, sistemi shtetëror i Lindjes së Mesme u shemb, duke krijuar pjesën e tij të vakumeve por edhe të mundësive. Iraku u zhyt në një konflikt sektar, të cilën Irani u angazhua shumë që ta shkaktonte. Siria u shkatërrua nga një luftë civile, e cila po zgjat edhe falë Iranit.

Dhe shtetet monarkike të Gjirit Persik, u shfaqën shumë të brishta. Republika Islamike, dëshironte të përfitonte nga kjo. Por pavarësisht pretendimeve të saj të mëdha, ajo ishte ende një fuqi e shkallës së dytë, me një ekonomi të keqmenaxhuar. Nëse Irani do të niste një sipërmarrje ekspansioniste, ai duhej të ishte një imperializëm më pak i kushtueshëm.

Nuk ishte Sulejmani, ai që shpiku përdorimin e milicive për të destabilizuar vendet e tjera. Por ai e çoi në një nivel tjetër atë metodë të vjetër. Nën syrin vigjilent të Liderit Suprem Ali Khamenei, Sulejmani nisi të zgjerojë kufijtë perandorakë të Iranit. Për herë të parë në historinë e tij, Irani u bë një fuqi e vërtetë rajonale, duke e shtrirë ndikimin e tij nga brigjet e Mesdheut, deri në Gjirin Persik.

Suleimani e kuptoi, që iranianët nuk do të ishin të gatshëm të vdisnin në fushat e largëta të betejës për hir të arabëve. Prandaj, ai u përqëndrua në rekrutimin e arabëve dhe afganëve, si një forcë ndihmëse. Ai mburrej shpesh se mund të krijonte në pak kohë një milici të re, dhe ta përdorte atë kundër armiqve të ndryshëm të Iranit.

Në Irak, kjo nënkuptoi vrasjen apo gjymtimin e gati 1000 amerikanëve që ishin në mision atje. Ndërsa në Siri, terrorizimin e civilëve, dhe garantimin e funksionimit të makinerisë vrastare të presidentit Bashar Al-Asad. Përdorimi i milicive të tilla, i dha Iranit një lloj imuniteti, pasi mund të arrinte fitore strategjike pa qenë drejtëpërsëdrejti i përfshirë.

Sulejmani ishte i aftë në marrëdhëniet me publikun. Ai postonte shpesh fotot e veta nga fushat e betejës në mediat sociale, ndërsa ndjekësit e adhuronin. Por, ndërsa në Perëndim ai cilësohej si një udhëheqës i mundshëm politik, nuk pati në fakt një ndikim të tillë në mesin e popullit iranian.

Mëkëmbësit e regjimit, nuk vlerësohen shumë për shkak të shpërdorimit të burimeve të pakta ekonomike të Iranit në luftërat arabe.

Ndërkohë ai bëri edhe shumë llogaritje të gabuara. Kështu Sulejmani nuk parashikoi ngritjen e Shtetit Islamik në Irak, një vend, politikën e të cilit ai pretendonte se e kishte nën kontroll. Protestat e mëdha nga shiitët e Irakut kundër ndikimit iranian muajin e kaluar, ishin një goditje e mëtejshme e supozimeve të tij mbi vendin fqinj.

Përpjekja e Sulejmani për të ndërtuar një urë tokësore nëpër Irak dhe Siri, u shkatërrua nga sulmet ajrore izraelite. Ai supozoi sërish në mënyrë të gabuar, se mund të vepronte i pandëshkuar pranë kufijve të Izraelit. Tani shtrohet pyetja:Ç?do të ndodhë më pas? Khamenei ka emëruar tashmë një pasardhës të Sulejmanit, zëvendësgjeneralin e tij, Esmail Qani.

Mullahët me siguri që do të turfullojnë nga podiumet e tyre mbi ?agresionin e Amerikës?. Regjimi ka nisur të mendojë, se cili do të jetë kundërpërgjigja e tij. Por pavarësisht të gjitha frikërave që qarkullojnë, se Shtetet e Bashkuara sapo shkaktuan nisjen e Luftës së Tretë Botërore, reagimi i Iranit ka të ngjarë të jetë i matur.

Ali Khamenei është një lider mendjemprehtë. Ai që nuk u bë një nga sundimtarët më jetëgjatë në Lindjen e Mesme, duke kërkuar me padurim një luftë me Amerikën. Oligarkët klerikë, e respektojnë forcën dhe vendosmërinë e SHBA-në, dhe e kuptojnë pabarazinë midis një superfuqie, dhe një aktori rajonal që ka shumë probleme të brendshme.

Ata nuk e kanë kuptuar kurrë Donald Trumpin, që nga njëra anë shprehet i gatshëm për bisedime të pakushtëzuara, dhe nga ana tjetër po punon për të shkatërruar ekonominë iraniane. Ne nuk duhet të presim që Irani ulet të bisedojë me një president, që sapo urdhëroi vrasjen e njërit prej komandantëve të tij më të famshëm.

E kaluara në Iran, është shpesh një prolog. Kur Ronald Regani fitoi zgjedhjet, Irani liroi me nxitim ??diplomatët amerikanë që kishte mbajtur peng për 444 ditë. Kur fushata ushtarake e Xhorxh Bushit, rrëzoi me shpejtësi talibanët në Afganistan dhe Sadam Huseinin në Irak, Irani reagoi duke e pezulluar programin e tij bërthamor.

Mullahët kënaqen të sulmojnë verbalisht Amerikën, por bëhen memecë përballë një presidenti që ka një sjellje të ashpër dhe të paparashikueshme. Republika Islamike, ishte zotuar të tërhiqej javën e ardhshme nga detyrimet e saj, në kuaadër të marrëveshjes mbi programin bërthamor.

Një lëvizje në këtë drejtim, duket tashmë më e mundshme, në krahasim me sulmin ndaj selive diplomatike dhe bazave ushtarake amerikane. Ndërsa në Iran po mbahet zi për gjeneralin, është e rëndësishme të theksohet se ?ngrehina? perandorake që ndërtoi Sulejmani, ishte tashmë e rrënuar.

Sanksionet e vendosura nga administrata Trump, pas shfuqizimit të marrëveshjes bërthamore të prsidencës Obama, e kanë dobësuar shumë ekonominë e Iranit, duke vënë në pikëpyetje serioze objektivat e tij në politikën e jashtme. Në nëntor të vitit të shkuar, Irani u trondit nga protestat e mëdha popullore, pasi regjimi u detyrua të zvogëlonte subvencionet që merrnin familjet iraniane mbi energjinë.

Oligarkët klerikë, kanë një rrugë të vështirë përpara. Gjëja e fundit për të cilën ata kanë nevojë, është një përballje ushtarake e kushtueshme, me një president amrikan që është i gatshëm të bëjë gjëra, të cilat dikur konsideroheshin të paimagjinueshme.

Shënim:Ray Takeyh, është bashkëpunëtor në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, dhe autor i librit ?Shahu i fundit:Irani, Amerika dhe rënia e dinastisë Pahlavi?./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga