Demokracia liberale, përmban “farat” e shkatërrimit por edhe të shpëtimit të vetes

11 Nëntor 2019, 08:45, Blog CNA
Demokracia liberale, përmban “farat” e shkatërrimit por

Nga Jeremy Cliffe ?New Statesman?

* Ishte shumë evokuese të marshoje me turmën e madhe në Berlin përmes Sheshit Potsdamer, mbrëmjen e 9 nëntorit. Përkujtimet e 30 vjetorit të rënies së Murit, rikujtuan elementë të natës së 9 nëntorit 1989:masat që ecnin nëpër rrugët e Berlinit, jehonën e ngazëllimit të tyre, frymën e mijëra njerëzve që kondensohej në ajrin e ftohtë.

Natyrisht, kishte edhe ndryshime të mëdha. Rruga u ndez nga shkëlqimi i mijëra smartfonëve. Zërat ishin gjermanë, por edhe të shumë gjuhëve të tjera:anglisht (amerikanët dhe britanikët), spanjisht, polonisht, danisht etj. Disa prej tyre, kishin vizituar tashmë pjesë të tjera të rrugës ku dikur ngrihej Muri.

Nga larg, fjalimet nga podiumi ishin të vështira për t?u dëgjuar. Por njerëzit i dëgjonin nëpër telefonat e tyre. Presidenti gjerman, Frank Valter Shtajnmajer, deklaroi se ?mbrëmja e sonte nuk ka të bëjë vetëm me kujtimet e djeshme, por edhe me të gjithë ne, këtu dhe tani?.

Në komentet e tij dominonte ndarja e vazhdueshme midis ish-perëndimit dhe ish-lindjes, rritja e Alternativës për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë, dhe debatet mbi identitetin gjerman në epokën e globalizmit. Presidenti tha se Gjermania dhe Evropa, nuk mund të vlerësonin njëherazi heronjtë e vitit 1989, kur ?gjithçka për të cilën ata luftuan, po harrohet?.

Ndërsa vërshuan duartrokitjet nga të pranishmit, ai këmbënguli:?Ne s?mund të pranojmë që demokracia të vihet në lojë, apo të shkatërrohet uniteti i këtij vendi?. Dukej sikur kishte një tension midis dy gjysmave të skenës: ngazëllim i madh në rrugë, paralajmërime ogurzeza nga podiumi.

Si shpjegohet kjo? Nga njëra anë ishte një festë e mbarimit të diktaturës në Gjermaninë Lindore, një sistem që ishte shembur nën kontradiktat e veta. Në vitin 1989, hegjemonia ushtarake dhe ekonomike sovjetike, që qëndronte prapa regjimit në Lindje ishte rrënuar. Hendeku midis kufizimeve, korrupsionit, padrejtësisë dhe autokracisë në jetën e RDGJ, dhe retorikës së drejtuesve të saj, nxori në protestuesit.

Udhëheqja komuniste, ishte e dërrmuar dhe pa ide. Mbrëmë televizioni gjerman transmetoi 30 vjet më vonë, konferencën për shtyp në të cilën Gynter Shabovski, një zyrtar i Gjermanisë Lindore, shpalli në mënyrë rastësore hapjen e kufijve me Perëndimin. Sistemi u shpërbë me shpejtësi:brenda një viti, Gjermania u ribashkua nën udhëheqjen demokratike, dhe u shpall ?fundi i historisë?.

Nga ana tjetër, ngjarjet e së shtunës kishin të bënin me kontradiktat e brendshme që po e dëmtojnë demokracinë liberale; dhe që kanë lidhje me mosmbarimin e historisë. Siç është theksuar gjerësisht në këtë përvjetor, premtimi për një Gjermani dhe një Evropë të ribashkuar, është përmbushur vetëm pjesërisht.

?Shtetet e reja federale? në Gjermani, mbeten ende pas atyre të ish-perëndimit. Dhe siç e treguan edhe zgjedhjet e fundit lokale në Brandenburg, Saksoni dhe Turingi, një pakice e konsiderueshme e votuesish mbështesin AfD. Edhe Evropa është e ndarë, me demokracinë liberale që është dëmtuar, ose më keq se kaq në shtete si Polonia, Hungaria dhe Rumania (që në dhjetor do të kremtojë 30-vjetorin e rrëzimi të Nikolae Çausheskut).

Aleanca transatlantike është duke u copëtuar, me Emanuel Makronin që thotë se NATO ka marrë fund, dhe me Turqinë, një nga anëtaret kryesore të aleancës, që po e kthen gjithnjë e më shumë kokën nga Rusia. Standardet e jetesës, janë përmirësuar në gati gjithë ish-bllokun sovjetik, por jo aq shumë sa shpresonin qytetarët e këtyre vendeve.

Janë hapur hendeqe midis atyre që kishin lidhje dhe aftësi, për të përfituar nga bota e pas-Murit, dhe qytetarëve të moshuar që u mungonin ato; midis jetës në qytete që lulëzojnë si Berlini apo Lajpcigu, Bratislava apo Varshava, dhe jetës në provincat shpesh të shpopulluara.

Ndërkohë, shoqëritë në perëndim të vijës së vjetër ndarëse të Murit, megjithë snobizmin e tyre ndaj institucioneve të pazhvilluara dhe kulturën demokratike të lindorëve, janë provuar të jenë të ndjeshme ndaj prirjeve të ngjashme. Trump dhe Salvini, mund të kenë lindur në anët e ndryshme të ndarjes së vjetër nga Viktor Orban i Hungarisë apo Bjorn Hecke i AfD.

Por të gjithë ata po shfrytëzojnë pakënaqësinë, me nacionalizmin dhe zgjidhjet e thjeshtëzuara që ofrojnë. Shoqëritë e hapura dhe të lira, janë të ndjeshme ndaj përçarjeve shoqërore destabilizuese, ndaj elitave të vetëkënaqura, ndaj tepricave dhe padrejtësisë, ankesave dhe kundërshtimeve të brendshme.

Edhe ato mund të prodhojnë populistë dhe demagogë. Edhe ato, si komunizmi autoritar që dështoi në vitin 1989, përmbajnë ?farat? e shkatërrimit të tyre. Nëse tensionet e tyre lejohen që të rriten, ky sistem gradualisht mund të shpërbëhet, siç ndodhi me botën e Perdes së Hekurt. Dhe kjo mund të ndodhë në të gjitha mënyrat.

Në librin e tyre ?Si vdesin demokracitë?, Stiven Levicki dhe Daniel Ziblat, ngrenë alarmin mbi efektet kumulative të erozionit të normave demokratike, pabarazisë, zbehjes graduale të mbikëqyrjes demokratike, shtypjes së minoriteteve dhe opozitës politike. Por dallimi i madh midis demokracisë liberale, kaotike, të papërsosur dhe të dobët, dhe autokracisë, është se e para ka një aftësi shumë më të madhe për të ndryshuar dhe përmirësuar.

Ndaj nuk është çudi pse shumë nga autokratët e botës, mbështeten mbi burimet natyrore, rritjen ekonomike të paqëndrueshme, apo mbështetjen e autokratëve më të mëdhenj, për mbijetesën e regjimeve të tyre. Disa janë me fat, dhe vazhdojnë të sundojnë. Të tjerët jo dhe aq. Gjithsesi, demokracia liberale mund të ekzistojë e qetë edhe pa këto gjëra.

Udhëheqësit e saj mund të kundërshtohen dhe largohen nga detyra, pa e shembur sistemin. Institucionet e saj të hapura, janë një lloj matësi i presionit dhe një valvol sigurie, që ndihmojnë në parandalimin e shpërthimit të ?makinës?.

Zgjedhësit e saj mund të humbasin rrugën, por gjithashtu mund të korrigjojnë kursin e gabuar. Elitat e saj mund të kundërshtohen dhe korigjohen. Ashtu si diktatura, edhe demokracia liberale përmban ?farat? e shkatërrimit të vet. Por ajo përmban gjithashtu edhe ?farat? e shpëtimit të vet./ Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga