LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Mbante dele në Shtëpinë e Bardhë/ Çfarë nuk dini mbi presidentin amerikan Udrou Uillson

5 Nëntor 2019, 08:23, Blog CNA
Mbante dele në Shtëpinë e Bardhë/ Çfarë nuk dini

Presidenti amerikan, Udrou Uillson, është padyshim një nga politikanët botërorë më të dashur për shqiptarët. Në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, pas Luftës së Parë Botërore, ai vuri veton dhe pengoi planet e disa fuqive evropiane për ricopëtimin e Shqipërisë.

Megjithatë historianët i njohin si dështim Lidhjen e Kombeve, organizatën që u themelua me nismën e tij, pjesë e të cilës nuk u bë SHBA për shkak të refuzimit të Kongresit. Por Uillson është kritikuar edhe për qëndrimet e tij raciste ndaj zezakëve. Ja cilat janë disa nga aspektet më pak të njohura të Uillson:

Ishte dëshmitar okular i Luftës Civile në SHBA

I lindur dhe rritur në jug, Uillson ishte djali i pastorit presbiterian Xhozef Uillson dhe i Xhenet Uillson. Prindërit e tij ishin mbështetës të Konfederatës, dhe kur ishte fëmijë, Udrou shihte vazhdimisht të ëmën që shërbente si infermiere për ushtarët e plagosur, që mjekoheshin në kishën e babait të tij.

Shkoi me karrocë në ceremoninë e inaugurimit si president

Pas një karriere të shkurtër si jurist, Uillson shkoi në Universitetin e Prinstonit në vitin 1890,

si profesor i jurisprudencës dhe ekonomisë politike. Në vitet 1902-1910, ai ishte drejtues i universitetit. Në vitin 1910 u zgjodh guvernator i Nju Xhersit.

Për shkak të përçarjes së republikanëve midis kandidatëve Uilliam Taft dhe ish-presidentit Toeodor Ruzvelt, Uillson arriti të fitojë zgjedhjet e vitit 1912, dhe u rizgjodh sërish më 1916-ën. Edhe pse ishte epoka e makinave, Uillson u bë presidenti i fundit amerikan që shkoi me karrocë në ceremoninë e marrjes së detyrës.

Ishte kundër integrimit ndër-racial

Gjatë presidencës Uillson, shumë departamente qeveritare nisën të ndanin punonjësit sipas përkatësisë racore. Ai e lejoi stafin e tij të ruante banjot e ndara për të bardhët dhe zezakët. Për këtë qasje, Uillson pati debate me aktivistin për të drejtat civile, Uilliam Troter. Një shekull më vonë, studentët në Universitetin Prinston organizuan një protestë, ku kërkuan heqjen e emrit të Uillsonit nga institucionet e ndryshme të kampusit universitar.

Mbrojti të drejtën e grave për të votuar

Në fillim, ai ishte indiferent ndaj çështjes së votës së grave. Por qëndrimi i tij ndryshoi si rezultat lëvizjes së vetë grave. Aktivistet nisën një protestë para Shtëpisë së Bardhë në vitin 1917, e cila u përshkallëzua në një grevë urie. Ato u dëbuan me dhunë nga policia, ndërsa Uillson u tmerrua kur mësoi se ato po ushqeheshin me forcë.

Në janarin e vitit 1918, Uillson kërkoi që burrat dhe gratë të kenë të drejta të barabarta në një proces zgjedhor. Lobimi i tij, bëri që Kongresi të ratifikojë në gushtin e vitit 1920 Amendamentin e 19-të, duke i dhënë më në fund grave të drejtën për të votuar.

Mbante në tufë delesh në lëndinën e Shtëpisë së Bardhë

Në vitin 1918, në kulmin e Luftës së Parë Botërore, Uillson donte të ishte një model për amerikanët në mbështetjen e trupave në front. Ai lejoi mbajtjen e një tufe delesh në lëndinën rreth e rrotull Shtëpisë së Bardhë, për të kursyer fondet për prerjen e barit. Ndërkohë leshi i deleve u shit në ankand për 52.823 dollarë, shumë që shkoi për Kryqin e Kuq, që ndihmonte të plagosurit në frontin e luftës.

Bashkëshortja e ndihmoi në drejtimin e vendit

Afër fundit të mandatit të tij të dytë, Uillson kishte një axhendë të mbingarkuar. Ai udhëtonte shumë shpesh, dhe vuante nga disa sëmundje të ndryshme. Më 2 tetor 1919, ai pësoi një goditje në tru, e cila e la pjesërisht të paralizuar. Nga frika e ndikimit që mund të kishte ky lajm, dhe me Kushtetutën e paqartë nëse vendin e Uillson, duhej ta zinte zv/presienti Tomas Marshall, presidenti e vazhdoi detyrën.

Por për shkak të gjendjes së tij të rënduar, bashkëshortja e tij Edit, nisi të marrë një rol shumë më të spikatur në punët e tij, deri në fund të presidencës së tij në marsin e vitit 1921. Udrou Uillson vdiq në vitin 1924./ Mentalfloss.com- Përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga