web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Studimi/ Zemra e derrit, mund të transplantohet tek njerëzit me probleme të rënda kardiake

4 Nëntor 2019, 07:54, Blog CNA

Në periferinë e qytetit të Mynihut në Gjermani, studiuesit në Qendrën e Modeleve Mjekësore Inovative të Universitetit Ludvig Maksimilian, po shumojnë derrat e modifikuar gjenetikisht, duke shpresuar të përdorin organet e pasardhësve të tyre për transplante tek njerëzit.

Aktualisht në Shtetet e Bashkuara, 7.300 njerëz vdesin çdo vit, pasi nuk mund të gjejnë dot një dhurues organesh, ku 2/3 e tyre kanë pasur nevojë për një veshkë. Në shumë raste, shpresa e vetme është tragjedia e dikujt tjetër:një aksident që vret dikë, dhe organet e të cilit mund të përdoren për transplant.

Kirurgët që kërkonin një burim tjetër organesh veç njeriut, eksperimentuan në fillim me majmunët, për shkak se ato janë kafshët më të ngjashme me ne. Në vitin 1984, një vajzë e vogël e njohur si Bebi Fae mori një zemër të vogël, por vdiq 20 ditë më vonë, pasi sistemi i saj imunitar nuk e pranoi zemrën e majumit.

Jeta e shkurtër dhe vdekja e shpejtë e vogëlushes, tërhoqën vëmendjen e mbarë botës. Shumë njerëz e dënuan idenë për të vrarë majmunët, me qëllim që të shpëtojmë veten. Pastaj, në vitet 1990, studiuesit dhe kompanitë e bioteknikës, nisën të studiojnë derrat për të njëjtin synim.

Meqë njerëzit e konsumojmë mishin e derrit (120 milionë derra therren në vit vetëm në SHBA), marrja e organeve të tyre iu duk si moralisht më e pranueshme shumë njerëzve. Shkencërisht, organet e derrave janë të përafërta me ato të njeriut në madhësi, kanë një anatomi të ngjashme, dhe derrat e arrijnë moshën e rritur kur janë rreth 6-muajsh, shumë më shpejt sesa majmunët.

Por lindi një problem:derrat janë bartës të viruseve, që mund të transmetohen tek njerëzit. Më shumë se dy dekada më vonë, përparimet në inxhinierinë gjenetike, kanë ringjallur perspektivën e të ashtuquajturave ksenotransplante. Debati më i nxehtë në këtë fushë:sa redaktime gjenesh nevojiten tek derrat e modifikuar gjenetikisht, për të kapërcyer pengesat për një transplant të sukseshëm.

Një numër më i vogël redaktimesh, mund të kontrollohet dhe matet më mirë, dhe efektet e tyre janë më të lehta për t?u dokumentuar, thotë Ekhard Volf, drejtues i Qendrës së Modeleve Inovative Mjekësore në Mynih. Nëse diçka shkon keq, siç ndodh shpesh me ksenotransplantet, do të jetë e qartë se ku qëndron problemi.

Në vitin 2018, zemrat e derrave nga qendra e Mynihut iu transplantuan 14 majmunëve babuinë. Dy nga majmunët mbijetuan për 6 muaj, periudha më e gjatë që ka jetuar ndonjë kafshë me zemrën e një specieje tjetër. Nga 5 babunët e parë, që iu transplantua zemra e një derri, 4 prej tyre vdiqën brenda 1 ose 2 ditësh, ndërsa kur i pesti vdiq pas 1 muaji, zemra e transplantuar ishte e sëmurë.

Në grupin tjetër të babunëve, bashkëpunëtori i Volf, Bruno Rajhart, kirurg në pension i transplanteve të zemrës, e mbushi organin me lëndë ushqyese, hormone dhe rruaza të kuqe të gjakut, nga momenti kur zemra u hoq nga derri, derisa ajo të ishte plotësisht funksionale tek kafsha marrëse.

Tre babunët e trajtuar me këtë qasje, jetuan respektivisht për 18, 27 dhe 40 ditë. Pesë babuinët e fundit, iu nënshtruan të njëjtës procedurë, por u mbajtën edhe me barna imuno-supresive. Dy prej tyre jetuan për 182 dhe 195 ditë, dhe në fund u vranë kur ishin ende në gjendje të mirë shëndetësore, pasi ishte e vështirë të vazhdohej me terapinë kundër refuzimit të organit të huaj nga sistemi imunitar.

Rahjhart thotë se është duke punuar mbi një sistem më të mirë të shpërndarjes, që do t?i japë mundësi babuinëve të kurohen me barnat kundër refuzimit imunitar për të paktën një vit, koha e nevojshme për të vërtetuar se ksenotransplantimi është gati për t?u testuar tek njerëzit./Technologyreview-Përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga