LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Makina e shtetit për të kontrolluar teknologjinë

11 Shkurt 2024, 08:19, Tech CNA

Makina e shtetit për të kontrolluar teknologjinë

Javët e fundit të vitit 2023, ishin plot me ndodhi të reja për botën e teknologjisë. Më 28 nëntor, Abu Dhabi krijoi një kompani të re të Inteligjencës Artificiale të mbështetur nga shteti, me emrin AI71, e cila do të tregtojë “modelin më të madh gjuhësor”, të quajtur Falcon.

Më 11 dhjetor, një firmë franceze e Inteligjencës Artificiale me emrin Mistral, njoftoi një raund financimi prej 400 milionë dollarësh, që parashikohet ta ngrejë vlerën e firmës në mbi 2 miliardë dollarë.

Katër ditë më vonë, firma startup indiane, e quajtur Krutrim, shpalosi modelin e madh gjuhësor të Indisë, të ofruar në shumë gjuhë.

Vetëm një javë më parë, firma startup indiane e quajtur Sarvam, kishte grumbulluar 41 milionë dollarë për të ndërtuar modele të ngjashme në gjuhën indiane.

Makina e shtetit për të kontrolluar teknologjinë

Që kur kompania amerikane e Inteligjencës Artificiale OpenAI, hodhi në treg bashkëbiseduesin njerëzor ChatGPT, në nëntor 2022, pothuajse çdo muaj kanë dalë lajme të ngjashme.

Në këtë sfond, katër ndodhitë e fundit në botën teknologjike mund të duken të zakonshme.

Megjithatë, po të vështrojmë më thellë, ato tregojnë një dukuri më të gjerë. Të tria kompanitë, sipas mënyrave të tyre, po garojnë për t’u bërë kampione kombëtare.

“Ne duam që AI71 të garojë globalisht me kompani si OpenAI”, thotë Faisal al-Bannai nga Këshilli i Kërkimeve të Teknologjisë së Avancuar në Abu Dhabi.

“Bravo Mistral, ky është një shembull i gjenialitetit francez”, tha së fundmi presidenti i Francës, Emmanuel Macron. ChatGPT dhe modele të tjera të mëdha gjuhësore në anglisht, “nuk mund të kapin kulturën, gjuhën dhe moralin tonë”, deklaroi themeluesi i Krutrim, Bhavish Aggarwal.

Firma Sarvam filloi me gjuhët indiane sepse, sipas fjalëve të bashkëthemeluesit të saj, Vivek Raghavan: “Ne po ndërtojmë një kompani indiane”.

Gara teknologjike

Inteligjenca Artificiale është tashmë në qendër të garës teknologjike në rritje midis Amerikës dhe Kinës. Vitin e kaluar, dy qeveritë kanë premtuar nga 40-50 miliardë dollarë secila për investime të tjera. Shtetet e tjera nuk duan të mbeten mbrapa ose nuk duan të jenë të varura nga një teknologji thelbësore që është nën kontrollin e huaj.

Kështu, në vitin 2023, përveç Amerikës dhe Kinës, gjashtë qeveri ambicioze në botë, Britania, Franca, Gjermania, India, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, u zotuan të financojnë Inteligjencën Artificiale me shifra që arrijnë një vlerë totale prej 40 miliardë dollarësh (shih grafikun).

Pjesa më e madhe e kësaj shume, do të shkojë në blerjen e njësive të përpunimit grafik (GPU, lloji i çipave që përdoren për të trajnuar modelet e Inteligjencës Artificiale) dhe ndërtimin e fabrikave për të prodhuar çipa të tillë. Pjesa tjetër do të përdoret për të mbështetur financiarisht kompanitë e Inteligjencës Artificiale.

Natyra dhe shkalla e përfshirjes së shtetit, ndryshon nga një superfuqi në tjetrën. Kështu, duket se po shfaqen kornizat e reja të Inteligjencës Artificiale, me ndërhyrjen e qeverive.

Fillojmë me Amerikën, e cila ka kompani teknologjike që shkaktojnë zili në gjithë botën. Sektori i saj i gjallë privat po rinovohet furishëm pa mbështetjen e drejtpërdrejtë të qeverisë amerikane. Në vend të kësaj, qeveria federale amerikane do të shpenzojë rreth 50 miliardë dollarë gjatë pesë viteve të ardhshme, për të rritur kapacitetin vendas të prodhimit të çipave.

Ideja është që të ulet varësia e Amerikës nga prodhuesit tajvanezë të gjysmëpërçuesve si TSMC, kompania më e madhe dhe më e sofistikuar e çipave në botë. Shumë politikanë në Uashington kanë frikë se furnizimet nga Tajvani mund të rrezikohen nëse Kina vendos të pushtojë ishullin, të cilin e konsideron si pjesë të territorit të vet.

Një mënyrë tjetër se si Amerika synon të qëndrojë në krye të garës, është duke dëmtuar rivalët. Administrata e presidentit Joe Biden ka imponuar kontrolle të rrepta eksporti që ndalojnë shitjen e teknologjisë më të fundit të Inteligjencës Artificiale ndaj kundërshtarëve si Kina dhe Rusia, duke përfshirë çipat dhe pajisjet e prodhimit të çipave.

Ajo gjithashtu i ka ndaluar amerikanët që të ndajnë ekspertizën në Inteligjencën Artificiale, me ato shtete.

Tani po i detyron vendet që janë të  paanshme, të zgjedhin një anë. Në tetor, qeveria amerikane filloi t’u kërkonte kompanive në vendet e treta, duke përfshirë Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, që të siguronin një licencë për të blerë çipa të Inteligjencës Artificiale nga firma amerikane Nvidia, që shet shumicën e tyre.

Rregullat “priren për të dhënë miratim”. Kjo do të thotë se qeveria amerikane “ndoshta do të lejojë” shitje për firma të tilla, thotë Gregory Allen, i cili dikur punonte në Departamentin e Mbrojtjes, për sa kohë që ato nuk kanë lidhje të ngushta me Kinën.

Më 6 dhjetor, Xiao Peng, i cili drejton një firmë startup të Inteligjencës Artificiale të mbështetur nga Abu Dhabi, me emrin G42, njoftoi se kompania do të ndërpresë lidhjet me furnizuesit kinezë të harduerit, si kompania kineze elektronike Huawei.

Makina e shtetit për të kontrolluar teknologjinë

Loja e Kinës

Strategjia e Kinës për Inteligjencën Artificiale, është në një pjesë të madhe një përgjigje ndaj përpjekjeve amerikane për frenim. Sipas të dhënave nga firma kërkimore JW Insights, midis viteve 2021 dhe 2022, shteti kinez shpenzoi gati 300 miliardë dollarë për të rikrijuar zinxhirin e furnizimit të çipave në atdhe (për inteligjencën artificiale dhe gjysmëpërçues të tjerë), me qëllim për të qenë imun ndaj sanksioneve perëndimore.

Një pjesë e madhe e këtyre parave ndoshta janë shpërdoruar, por i ndihmuan kompanitë Huawei dhe SMIC, prodhuesi më i madh i çipave në Kinë, që të modelojnë dhe të prodhojnë një GPU shumë të sofistikuar vitin e kaluar.

Autoritetet qendrore dhe lokale kanalizojnë gjithashtu kapitalin në firmat e Inteligjencës Artificiale përmes “fondeve udhëzuese” të mbështetura nga shteti, ku rreth 2000 prej tyre investojnë në të gjitha llojet e teknologjive që shihen si me rëndësi nga ana strategjike.

Partia Komuniste po i orienton edhe paratë private drejt prioriteteve të saj teknologjike. Shpesh, ajo e bën këtë duke goditur disa sektorë (së fundmi, në dhjetor, sektorin e videolojërave), duke dhënë në të njëjtën kohë orientim se në cilat industri duhet të përqendrohen investitorët.

Qeveria po nxit gjithashtu shkëmbimin e të dhënave, ku bizneset mund të tregtojnë të dhëna tregtare për gjithçka, nga shitjet te prodhimi, duke i lejuar firmat e vogla ambicioze që të garojnë në fusha ku më parë mund të garonin vetëm kompanitë e mëdha të pasura me të dhëna. Ka tashmë 50 shkëmbime të tilla në Kinë.

Elementet e kësaj qasjeje të udhëhequr nga shteti po imitohen në pjesë të tjera të botës, veçanërisht në shtetet e Gjirit Persik, të pasura me naftë. Si autokraci, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, mund të lëvizin më shpejt se qeveritë demokratike, të cilat duhet t’i kushtojnë vëmendje shqetësimeve të votuesve për ndikimin e Inteligjencës Artificiale në gjëra si privatësia dhe vendet e punës.

Duke qenë se janë edhe shtete të pasura, ato mund të përballojnë financiarisht prodhimin e GPU-ve (për të cilat dy vendet së bashku kanë shpenzuar deri tani disa qindra miliona dollarë) dhe energjinë e nevojshme për të vënë në punë çipat e etur për energji.

Dy shtetet gjithashtu mund të investojnë para në zhvillimin e kapitalit njerëzor. Universitetet e tyre të mirëpajisura po ngjiten shpejt në renditjen globale.

Programi i Inteligjencës Artificiale në Universitetin e Shkencës dhe Teknologjisë King Abdullah, në Arabinë Saudite dhe programi në Universitetin e Inteligjencës Artificiale Mohamed bin Zayed në Abu Dhabi, shkolla e parë në botë e përqendruar në Inteligjencën Artificiale, kanë rrëmbyer profesorë të shkëlqyer nga institucione të shquara si Universiteti i Kalifornisë, Berkeley dhe Carnegie Mellon University në Pittsburgh.

Shumë nga studentët dhe studiuesit e tyre vijnë nga Kina. Dhe shumë vendosin që të qëndrojnë. Pothuajse të gjithë të diplomuarit e Universitetit Mohamed bin Zayed, që arrijnë në disa qindra, qëndrojnë në rajon për të punuar në firmat dhe laboratorët vendas, thotë profesori Timothy Baldwin (që shkoi për të punuar në Lindjen e Mesme nga Universiteti i Melburnit në Australi).

Qasja e vendeve të Gjirit Persik po jep rezultate. Aftësitë e modelit të Inteligjencës Artificiale Falcon, i ndërtuar fillimisht nga një ekip prej 20 inxhinierësh, po rivalizojnë ato të modelit Llama 2, i krijuar nga gjiganti teknologjik amerikan Meta. AI71 planifikon të përmirësojë modelet me burim të hapur, duke përdorur grupe të dhënash kombëtare nga fusha të ndryshme si shëndeti, arsimi dhe një ditë, ndoshta edhe nafta.

“Në 50 vitet e fundit, nafta e udhëhoqi vendin… tani, ‘nafta e re’ janë të dhënat”, thotë zoti al-Bannai.

Problemi i harmonizimit

Disa qeveri të tjera po ndërthurin elemente të qasjes së Amerikës, me ato të Kinës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. BE-ja ka versionin e saj të stimujve amerikanë për prodhimin vendas të çipave. Po ashtu edhe disa shtete anëtare:

Gjermania do të paguajë një të tretën e faturës prej 30 miliardë eurosh (33 miliardë dollarë), për një fabrikë të re çipash që do të ndërtohet në vend nga prodhuesi amerikan Intel. Jashtë bllokut, Britania ka premtuar të derdhë 1 miliard paund (1.3 miliardë dollarë) gjatë pesë viteve të ardhshme, për Inteligjencën Artificiale dhe superkompjuterët (megjithëse nuk ka hyrë në hollësi se si do të shpenzohen saktësisht këto para).

Qeveria e Indisë po nxit prodhimin e gjysmëpërçuesve, me “stimuj” bujarë, duke nxitur ofruesit e teknologjisë kompjuterike cloud, që të ndërtojnë më shumë qendra të dhënash indiane, ku trajnohen modelet e Inteligjencës Artificiale, si dhe po mendon të blejë GPU me vlerë 1.2 miliardë dollarë.

Ashtu si Kina dhe vendet e Gjirit Persik, por ndryshe nga Amerika, ku qeveria federale dhe ato shtetërore nuk pranojnë të ndajnë të dhënat publike, India dhe disa shtete europiane, nuk kanë ngurruar t’i bëjnë të dhëna të tilla të disponueshme për firmat e Inteligjencës Artificiale.

Qeveria e Francës “ka qenë shumë mbështetëse” në këtë drejtim, thotë Arthur Mensch, shefi i firmës franceze Mistral. Britania po shqyrton mundësinë që firmat të përdorin të dhëna të pasura që i përkasin Shërbimit Shëndetësor Kombëtar.

Qeveria e Indisë ka sasi të mëdha të dhënash nga grupi i saj i shërbimeve publike dixhitale, të njohura si “India Stack”. Pritet që vendi të integrojë modelet indiane të Inteligjencës Artificiale në shërbime dixhitale.

Ndryshe nga Kina, e cila imponon ligje të rrepta rregullatore ndaj Inteligjencës Artificiale të orientuar drejt konsumatorëve, Britania, Franca, Gjermania dhe India, të paktën tani për tani, kanë mbështetur ligjet e buta rregullatore për inteligjencën artificiale, madje India nuk ka asnjë ligj të tillë.

Qeveria franceze dhe ajo gjermane kanë filluar të jenë skeptike ndaj Aktit të BE-së mbi Inteligjencën Artificiale, hollësitë përfundimtare të të cilit po debatohen ashpër në Bruksel.

Arsyeja e skepticizmit të tyre është se ligji mund të kufizojë firmën franceze Mistral dhe atë gjermane Aleph Alpha, ndërtuesin më të suksesshëm të modeleve të mëdha gjuhësore në Gjermani, që grumbulloi 460 milionë euro në nëntor.

Është e natyrshme që shtetet duan njëfarë kontrolli mbi këtë teknologji që mund të ketë efekt rrënjësor në botë. Kur bëhet fjalë veçanërisht për sektorë të ndjeshëm dhe shumë të rregulluar, si mbrojtja, bankat apo kujdesi shëndetësor, shumë qeveri nuk do të donin të mbështeteshin në Inteligjencën Artificiale të importuar nga jashtë.

Megjithatë, çdo dozë nacionalizmi në këtë fushë, ka rreziqet e veta.

Makina e shtetit për të kontrolluar teknologjinë

Amerika

Qasja e Amerikës, ka të ngjarë të shqetësojë jo vetëm kundërshtarët e saj, por edhe disa aleatë. Ligjet e rënda rregullatore të Kinës mund të zbehin disa nga përfitimet e mundshme të shpenzimeve të mëdha.

Ndërtimi i modeleve për gjuhët lokale, siç planifikojnë të bëjnë firmat Krutrim dhe Sarvam në Indi mund të jetë një nismë e kotë nëse modelet e huaja vazhdojnë të përmirësojnë aftësitë e tyre shumëgjuhëshe.

Përpjekjet e vendeve të Gjirit Persik për modelet me burim të hapur, mund të dështojnë nëse qeveritë e tjera kufizojnë përdorimin e tyre, siç ka lënë të kuptohet zoti Biden në një urdhër ekzekutiv të kohëve të fundit dhe BE-ja mund të bënte të njëjtën gjë nëpërmjet aktit të inteligjencës artificiale, nga frika se modelet e mëdha gjuhësore të hapura, mund të përdoreshin për qëllime keqdashëse nga keqbërësit.

Institucionet saudite dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe, mund të kenë vështirësi në mbajtjen e talentit.

Një ekspert i inteligjencës artificiale që ka punuar në Falcon, e pranon se ka përfituar shumë nga një ortakëri me një ekip inxhinierësh francezë, të cilët më pas janë tërhequr nga firma startup Hugging Face, në Silicon Valley. Siç vëren një investitor skeptik, nuk është ende e qartë se sa të gjera ose të dobishme janë në të vërtetë të dhënat publike të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Siç e përmbledh Nathan Benaich, nga firma Air Street Capital, shumica e përpjekjeve të qeverive për të krijuar modele kombëtare “ndoshta janë shpërdorim parash”.

Por me siguri, paralajmërimi i zotit Benaich nuk do t’i shkurajojë qeveritë kurioze për Inteligjencën Artificiale dhe të ndërgjegjshme për shpërblimet e mundshme nëse kanë sukses. Zoti Macron nuk do të jetë i vetmi udhëheqës që do t’i presë paralajmërime të tilla me një ngritje supesh të stilit Galik./ Monitor.al

22:23 Tech

Ku shkuan reklamat?

Rrjeti social Facebook ndjek sjelljen e përdoruesve në një...

Lajmet e fundit nga