LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ku shkuan reklamat?

10 Shkurt 2024, 22:23, Tech CNA

Ku shkuan reklamat?

Rrjeti social Facebook ndjek sjelljen e përdoruesve në një mënyrë aq intime, saqë është në gjendje të personalizojë reklamat me një saktësi aq të madhe, sa që ndonjëherë duket sikur ato të lexojnë mendjen.

Lajmet në Facebook janë të mbushura me reklama, duke reflektuar edhe botën e internetit në përgjithësi. Ajo mbështetet në rregullin se konsumatorët gëzojnë shërbime falas, por duhet t’u nënshtrohen bombardimeve me reklama nga kompanitë e ndryshme.

Megjithatë, konsumatorët më të pasur, gjithnjë e më shumë po përfitojnë nga mundësia për t’u shpëtuar reklamave pa fund në internet. Së fundmi, Meta, kompania që zotëron Facebook, filloi t’u ofronte klientëve në Europë abonime pa reklama në Facebook dhe në Instagram, për 9,99 euro (10,85 dollarë) në muaj. Në tetor, kompania X (më parë e quajtur Twitter), krijoi një version pa reklama.

Në të njëjtin muaj, TikTok, një aplikacion videosh në pronësi kineze, njoftoi se po vinte në provë një version abonimi pa reklama. Muajin pasues, Snapchat, një tjetër rival i mediave sociale, tha se po bënte të njëjtën gjë.

Rrjetet sociale nuk janë platformat e vetme që u mundësojnë klientëve më të pasur (dhe më të shënjestruar nga reklamuesit) që t’u bëjnë bisht reklamave. Duke filluar nga platformat me video dhe audio, e deri tek ato me lajme dhe lojëra, rregulloret e ndryshme dhe ndryshimet teknologjike, po i nxisin kompanitë e mediave që të ofrojnë alternativa pa reklama.

“Ne po shkojmë drejt një bote ku do të jetë gjithnjë e më e mundur të shmangim reklamat”, thotë Brian Wieser, nga firma e reklamave Madison and Wall. Duke qenë se të pasurit po zgjedhin të heqin dorë nga reklamat në disa platforma, reklamuesit po kërkojnë hapësira të reja ku mund t’i shënjestrojnë ata.

Ku shkuan reklamat?

Është bërë gjithnjë e më e vështirë të tërheqësh vëmendjen e njerëzve më të pasur nëpërmjet platformave të vjetra mediatike. Pasi interneti uli vlerën e reklamave të tyre, gazetat dhe revistat kanë një dekadë që janë orientuar drejt burimeve të tjera të të ardhurave.

Në vitin 2014, vetëm 5% e të rriturve në vendet e pasura, paguanin për një abonim në një faqe lajmesh në internet, ndërsa këtë vit, kjo shifër është rritur në 13%, sipas Institutit Reuters të Universitetit të Oksfordit (shih grafikun 1).

Gjatë së njëjtës periudhë, radio e mbështetur nga reklamat i ka lënë vendin muzikës dhe podcast-eve të transmetuara në platforma si Spotify, ku 40% e 575 milionë përdoruesve, paguajnë 10,99 dollarë në muaj për të dëgjuar muzikë pa reklama.

Edhe televizioni, ku reklamat kapin vlerën 160 miliardë dollarë në vit, po kalon nëpër një tranzicion dixhital. Vitin e kaluar, transmetimi me server, u bë mënyra më e ndjekur e televizionit në Amerikë, sipas Nielsen, një firme që gjurmon shikueshmërinë.

Tre të katërtat e klientëve amerikanë të transmetimit me server paguajnë për të mos parë reklama, sipas vlerësimeve të firmës Antenna, një firmë të dhënash (shih grafikun 2).

Ku shkuan reklamat?

Transmetuesit si Netflix dhe Disney+ kanë krijuar platforma të mbështetura nga reklamat; Prime Video nga Amazon do të ndjekë të njëjtin shembull së shpejti. Por ato tregojnë vetëm rreth katër minuta reklama në orë, krahasuar me më shumë se 15 minuta në televizionet amerikane.

Ndërsa shikuesit po zgjedhin gjithnjë e më shumë versionin “streaming”, inventari i reklamave të televizionit në Amerikë, do të ulet me një të katërtën në katër vitet e ardhshme, vlerëson zoti Wieser.

Mediat sociale dukeshin si një hapësirë më e sigurt për reklamuesit. Për vite me radhë, Facebook ka premtuar se ishte “falas për të gjithë dhe kështu do të jetë gjithmonë”. Këtë e kanë ndryshuar dy gjëra. E para janë ligjet rregullatore.

Plani i kompanisë Meta për të operuar pa reklama në Europë, vjen pas një sërë vendimesh gjyqësore që përcaktojnë se, sipas rregullave rajonale të mbrojtjes së të dhënave, kompanitë e teknologjisë duhet të marrin pëlqimin e përdoruesve përpara se të shfaqin për ta reklama të personalizuara.

Kështu, në vend që t’i bëjë reklamat më pak efektive, Meta po ofron tani alternativën pa reklama, për një çmim të caktuar. (Aktivistët e privatësisë thonë se ky çmim është i padrejtë, kështu që priten më shumë beteja ligjore në të ardhmen e afërt).

Meta nuk do ta vërë në zbatim edhe gjetiu këtë plan, nëse nuk do të jetë e nevojshme: “Ne gjithmonë do të mbrojmë një internet të financuar nga reklamat”, deklaroi kompania më 4 dhjetor. Por shtete të caktuara mund të kenë ide të tjera.

Britania dhe India tashmë po forcojnë ligjet e privatësisë dixhitale. Kompanitë e teknologjisë po shënjestrojnë gjithashtu Brazilin, Indonezinë dhe Australinë (ku Snapchat po vë në provë versionin pa reklama).

Ndryshimi tjetër vjen nga platformat e teknologjisë. Që nga viti 2021, Apple u ka mundësuar klientëve të zgjedhin që të mos gjurmohen nga aplikacionet, duke dëmtuar aftësinë për të personalizuar reklamat dhe duke nxitur metoda alternative të fitimit të parave. Snapchat krijoi një abonim prej 3,99 dollarësh në muaj vitin e kaluar, duke ofruar veçori shtesë; këtë shtator, kishte 5 milionë abonentë.

Lojërat celulare, të cilat shpesh mbështeten në reklama, kanë lëvizur drejt alternativave si blerjet brenda aplikacionit dhe abonimet, thotë Tianyi Gu nga firma Newzoo. Apple dhe Netflix janë ndër kompanitë që kanë mundësuar abonime pa reklama në videolojëra.

Ekzistenca e alternativave pa reklama nuk garanton sukses. Pak europianë do të paguajnë për Facebook ose Instagram, beson Eric Seufert, autor i buletinit “Mobile Dev Memo”. “Meta do ta interpretojë këtë si provë se duhet mbrojtur modeli i biznesit i mbështetur nga reklamat”, parashikon ai.

Megjithatë, ndërsa rrjetet e Meta-s po orientohen gjithnjë e më shumë drejt videove, alternativa e heqjes së reklamave mund të bëhet më joshëse për përdoruesit. YouTube Premium, që tarifon 13,99 dollarë në muaj për të hequr reklamat, kishte 80 milionë abonentë me pagesë vitin e kaluar (shifra e fundit e disponueshme), duke u renditur pas Netflix, Disney+ dhe Amazon Prime, midis platformave perëndimore.

Fëmijët në veçanti po përjashtohen gjithnjë e më tepër si shënjestër nga reklamimet. Në gusht, Snapchat deklaroi se shumica e mjeteve të reklamave nuk do të ishin më të disponueshme për t’u përdorur për moshat nën 18 vjeç në BE dhe në Britani, në përputhje me rregullat e reja të privatësisë. Meta i ka bërë Facebook dhe Instagram tërësisht pa reklama për të rinjtë europianë, ndërkohë që është përfshirë në beteja ligjore.

Tani për tani, ata që paguajnë për heqjen e reklamave, zakonisht janë më të pasurit. Midis abonentëve që paguajnë për të hequr reklamat, tetë nga dhjetë vijnë nga familje me të ardhura të mesme ose të larta, sipas Institutit Reuters.

Përveçse kanë më shumë para, të pasurit zakonisht janë më të vetëdijshëm për privatësinë: përdoruesit më të pasur zakonisht nuk pranojnë të gjurmohen në iPhone-t e tyre, thotë zoti Seufert.

Megjithatë, në botën e televizionit, ndryshimi mund të mos jetë i madh. Në Amerikë, familjet me të ardhura më të larta, përbëjnë 9% të abonentëve që pranojnë reklama dhe 11% të atyre që paguajnë për të mos parë reklama, zbulon firma Antenna.

Zoti Wieser shpjegon se, teksa konsumatorët kanë filluar të shpenzojnë më pak për argëtimet jashtë shtëpisë, me kalimin e kohës, ata mund të jenë më të prirë të paguajnë për televizion pa reklama.

Sido që të jetë, reklamuesit janë të sigurt se kanë rrugë alternative për të arritur konsumatorët e pasur. Shpenzimet e reklamave në mbarë botën (duke përjashtuar spotet publicitare politike amerikane), do të arrijnë shifrën 889 miliardë dollarë në vitin 2023 dhe do të rriten me 5-6% çdo vit për pesë vitet e ardhshme, të udhëhequra nga reklamat dixhitale, parashikon firma Groupm.

Numri i reklamave që shihen në televizion mund të ulet, por aftësia e transmetuesve për të shënjestruar reklamat sipas parapëlqimit të konsumatorëve, do t’i bëjë ato shumë më efektive sesa reklamat konvencionale televizive, argumenton Mark Read, kreu i WPP-së, kompanisë më të madhe të reklamave në botë dhe firma mëmë e GroupM. Reklamat më të shkurtra arrijnë të tërheqin më tepër vëmendjen e shikuesve.

“Klientët tanë e kuptojnë se një ngarkesë reklamash prej dy deri në tre minutash, është më e vlefshme se një ngarkesë reklame nëntë minutëshe”, thotë zoti Read.

Reklamuesit gjithashtu mund të përdorin platforma ku të pasurit nuk kanë mundësi të paguajnë për të hequr qafe reklamat. Shpenzimet për mediat e reklamimit “jashtë shtëpisë”, siç janë ekranet billboard e të tjera të ngjashme, janë rritur me 7% këtë vit dhe tani janë mbi nivelin para pandemisë, tregon agjencia e reklamave Magna.

Sponsorizimi i ngjarjeve sportive dhe eventeve të ngjashme nuk është ndikuar nga revolucioni dixhital. Dhe llojet e tjera të reklamimit të korporatave, si marrëdhëniet me publikun, mund të përfitojnë pasi po bëhet gjithnjë e më e vështirë të arrihet te njerëzit përmes reklamave të metodës së vjetër, thotë zoti Wieser.

Ndoshta tani mundësia më e madhe e reklamimit është në zonat që nuk kanë shfaqur reklama më parë. Rrengu i Amazon për të shitur reklama ngjitur me rezultatet e kërkimit në faqen e shitjes me pakicë (diçka që filloi ta bënte pak më shumë se një dekadë më parë), do t’i japë kompanisë fitime prej rreth 45 miliardë dollarësh këtë vit, më shumë se sa fitoi gjithë industria globale e gazetave nga reklamat.

Vitin e kaluar, Uber filloi të shesë reklama në aplikacionet e udhëtimit dhe dërgesave, duke i personalizuar ato, mbështetur në të dhënat për klientët. Kompania pritet të fitojë plot 1 miliard dollarë vitin e ardhshëm nga kjo metodë e re.

Hotelet Marriott krijuan një rrjet reklamash vitin e kaluar për të dërguar mesazhe të shënjestruara për klientët, në televizorët e dhomave të hotelit. United Airlines po planifikon të shfaqë reklama të personalizuara për pasagjerët gjatë fluturimit. GroupM parashikon se deri në vitin 2028, kjo metodë reklamimi, do të vlejë më shumë se reklamat televizive.

Ku shkuan reklamat?

Pushimet nga reklamat

Edhe në rrjetet sociale, markat do të gjejnë mënyra për të arritur te njerëzit që paguajnë për të mos parë reklama. Reklamuesit po përdorin gjithnjë e më shumë “personalitete” karizmatikë, të cilët reklamojnë produkte te përdoruesit që i ndjekin.

Për shembull, së fundmi, kompania WPP dërgoi një grup influencuesish online, në Lapland, për të vizituar shtëpinë e Santa-s, si pjesë e një reklamimi për Coca-Cola-n.

Kështu, përdoruesit që paguajnë për të bllokuar reklamat në disa vende, ka ende gjasa t’i shohin ato në vende të tjera./ Monitor.al

Lajmet e fundit nga