web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Festa e mollës në Dvoran të Korçës/ Tradita që mban gjallë aromën e vjeshtës dhe punën e fermerëve

5 Tetor 2025, 11:20, Qyteti im CNA

Në fshatin Dvoran të Korçës, pasditen e djeshme u zhvillua Festa e Mollës, një aktivitet që tashmë është kthyer në traditë për komunitetin e zonës. Festa mblodhi bashkë fermerë, banorë e vizitorë nga gjithë rajoni, të cilët morën pjesë në një atmosferë të ngrohtë, me muzikë, ngjyra dhe aromë karakteristike vjeshte.

Në qendër të fshatit ishin ngritur stenda ku ekspozoheshin varietetet e ndryshme të mollës korçare, që nga ato autoktone deri tek ato më të reja të kultivuara pas viteve ’90. Prodhuesit prezantuan punën e tyre, përvojën shumëvjeçare në këtë sektor dhe përpjekjet për të ruajtur cilësinë e frutit që identifikon gjithë rajonin e Korçës.

Fermeri Ferdinand Dalip, një nga prodhuesit më të njohur të zonës, prej vitesh merret me kultivimin e mollës, qershisë dhe kumbullës. Ai tregon se kjo festë është një mundësi për të promovuar prodhimet vendase, për të krijuar lidhje me konsumatorin dhe për të prezantuar varietetet e reja që po futen në treg. Edhe pse pranvera solli vështirësi për shkak të kushteve atmosferike, ai thotë se prodhimi i këtij viti është i mbarë dhe tregjet kanë pritur mirë mollët korçare.

Jam një fermer që kam eksperiencë të gjatë në këtë fushë. Kryesisht merrem me mollën, qershinë dhe kumbullën. Duke qenë një nga prodhuesit potencialë në fshat, detyrimisht do të marr pjesë në festën e mollës sot. Kjo festë shërben për të promovuar prodhimet tona, ti japim mundësi blerësit apo qytetarit të degustojë varietetet e reja që kemi futur. Prodhimi deri diku mirë pavarësisht se patëm probleme në fillim të sezonit. Në pranverë patëm goxha dëme por megjithatë prodhimi është shumë i mbarë. Kryesisht në treg shkojnë varietetet autoktone dhe ato të rejat që futëm pas viteve 1990-të”, tha fermeri.

 

 

Ndërkohë, Serian Bregu, një tjetër fermer i njohur nga Dvorani, thekson se tradita e kultivimit të mollës në këtë fshat është shumë e hershme, që nga viti 1956 kur u krijua ferma e parë. Sipas tij, ngricat e pranverës kanë ndikuar në prodhimin e disa varieteteve, sidomos te “Starking”-u, por pavarësisht dëmeve, molla “Gold” ka pasur rendiment shumë të mirë.

Ai shton se pjesa më e madhe e prodhimit është shpërndarë në tregun e Tiranës, ndërsa pjesa tjetër ruhet në frigorifer për shitje të mëvonshme, çka tregon për një menaxhim më të mirë të prodhimit.

Kjo është një kulturë që vazhdon, se molla jonë ka të paktën që në vitin 1956 që është krijuar ferma e parë ose fidani i parë që ka ardhur në fshatin tonë. Do luftojmë ta mbajmë traditën gjallë sa të mundemi. Sivjet varietetet e mollëve kanë patur mangësi. Varieteti i starking-ut dhe nënvarietetet e tij, kanë mungesë për shkak të kushteve të natyrës, nga ngricat që u krijuan në pranverë. Kurse molla gold ka qenë super, kishte e zona që nuk kishin por mbi 80% jemi ok. Me shitjet kemi vazhduar, unë personalisht në fermën time kam hequr 40% në tregun e Tiranës, kurse 60% po hyn drejt frigoriferit”, u shpreh Bregu.

 

Fermeri Mit’hat Mustafa, që punon rreth katër hektarë tokë me mollë, tregon se përballja me kostot e larta, mungesën e tregut dhe konkurrencën nga importi janë ndër problemet më të mëdha me të cilat përballen fermerët.

Ai shpjegon se çmimi aktual prej 50 deri në 65 lekë për kilogram nuk mbulon gjithmonë shpenzimet e larta të prodhimit, që përfshijnë punën, plehrat, mjetet dhe preparatet bujqësore. Megjithatë, thekson se produkti vendas mbetet më i pastër, më natyral dhe më cilësor.

 

Unë kam 4 ha me mollë, 50% i kam me qira dhe vazhdoj të punoj. Edhe në molla jemi dëmtuar mbi 50%, varej dhe nga varietetet se kush prekej më shpejt nga temperaturat e ulëta. Starking-u është prekur, megjithatë ka e disa parcela që kanë patur. Shumë interes nuk ka patur. Nëse hyn mollë nga jashtë, ky është problemi. Ne e kemi mallin tonë, në vendin tonë, për popullin tonë. Prodhimi ynë është shumë i pastër, shumë cilësor por e keqja e madhe është vjen treg nga jashtë. Çmimi këtë vit ka filluar nga 50 lek të reja deri në 60-65 lek të reja, varet nga varieteti. Nuk mund të them që është çmim i mirë për ne, se ka kosto. Janë krahët e punës tonë, janë mjetet që punojnë, janë preparatet që merren, janë plehrat që ju hidhen pemëve dhe kanë shpenzime”, tha Mustafa.

 

Kjo festë, përveçse një panair bujqësor, është edhe një manifestim i krenarisë dhe identitetit të banorëve të Dvoranit, që prej dekadash janë njohur si prodhues të përkushtuar të mollës. Muzika, vallet tradicionale dhe degustimet e frutave e bënë atmosferën të ngrohtë e plot gjallëri, duke e kthyer Dvoranin për një ditë në qendrën e prodhimit vendas dhe mikpritjes korçare.

Festa e Mollës jo vetëm që promovon bujqësinë dhe punën e fermerëve të zonës, por gjithashtu i jep një frymë të re bashkëpunimit, solidaritetit dhe besimit se prodhimi shqiptar ka vlera të mëdha për t’u mbështetur e zhvilluar më tej./CNA





Lajmet e fundit nga