web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Maliq, 18 vite traditë me Festën e Ëmbëlsirave dhe Produkteve Bujqësore

26 Shtator 2025, 12:51, Qyteti im CNA

Maliq, 18 vite traditë me Festën e Ëmbëlsirave dhe

Në Maliq është mbajtur edicioni i 18-të i Festës së Ëmbëlsirave dhe Produkteve Bujqësore e Blegtorale, një aktivitet që prej pothuajse dy dekadash është kthyer në traditë për banorët e zonës dhe një atraksion për vizitorët.

Kryetari i Bashkisë Maliq, Gëzim Topçiu, u shpreh se kjo festë pasqyron më së miri larmishmërinë e prodhimeve të fushës dhe punën e amvisave, fermerëve e blegtorëve të çdo njësie administrative, nga Liboniku e Pojani, deri te Pirgu, Gora e Moglica. Ai theksoi se nga viti në vit aktiviteti vjen gjithnjë e më i pasur, duke u bërë një mundësi e mirë për të promovuar produktet tradicionale jo vetëm në zonë, por edhe më gjerë në Shqipëri.

18 vjet, jo pak që Festa e Ëmbëlsirave dhe Produkteve Bujqësore e Blegtorale e hap siparin në Maliq. Çdo vit e më mirë, çdo vit e produkte më tradicionale, patjetër edhe produkte të cilat i rezistojnë kohës, por marrin edhe eksperienca të reja nga vendet ku punojnë edhe emigrantët, por dhe të gjithë maliqarët që lëvizin nga një qytet në tjetrin. Dua t'i falënderoj të gjithë fermerët e fushës së Maliqit, blegtorët, amvisat e të gjitha njësive administrative Maliq, Libonik, Pojan, Pirg, Gorë e Moglicë, të cilët e bëjnë këtë festë aq të larmishme sa ndonjëherë çuditemi me produktet, prodhimet që ka kjo zonë. Le të jetë kjo festë një pjesë e vizitueshme për të gjithë qytëtarët, turistët e patjetër këto prodhime të jenë pjesë e produkteve tona jo vetëm në zonën tonë, por në të gjithë Shqipërinë”, tha Topçiu.

 

Amvisat pjesëmarrëse sollën gatime të shumta tradicionale, mes tyre lakrorin në saç dhe lakrorin me spinaq, por edhe ëmbëlsira të njohura si bakllavaja, revania, hallva, keku apo petullat e sapogatuara. Ato treguan se kjo është një traditë që përcillet brez pas brezi dhe çdo vit sjell kënaqësi të madhe për komunitetin.

Në stenda nuk munguan as prodhimet e tjera karakteristike si petkat, trahana e ëmbël dhe e thartë, dromkat, turshitë, specat, misri e panxhari i sheqerit. Po aq të pranishme ishin pijet tradicionale si rakia e thanës, rrushit dhe kumbullës, produktet e Gorës me kulaçin e pengjirin, si edhe djathërat e dhisë e deles.

 

Sot është dita e Festës së Ëmbëlsirave. E kemi festuar gjithmonë vit për vit. Është tradita jonë në Maliq dhe ne tani po bëjmë petulla të gatshme. Kënaqemi vit për vit dhe këtë festë e organizon kryetari Gëzim Topçiu”, tha një amvisë.

Ne si amvisa, disa nga gatimet tradicionale kemi lakrorin në saç, lakrorin me dy petë me spinaq. Kemi sjellë ëmbëlsira tradicionale siç është bakllavaja, revania, hallva, petë portokalli, kek. Një shumëllojshmëri, produkte të ndryshme si turshi, speca, misër, panxhar sheqeri. Janë këto disa nga produktet e perimeve që e karakterizojnë Bashkinë e Maliqit. Zahiretë e dimrit janë petkat, trahana e ëmbël, trahana e thartë, dromkat, e shumë të tjera”, u shpreh një tjetër.

 

“Kemi raki të ndryshme si raki thane, rrushi, kumbulle. Kemi vadhat që janë produkte bujqësore të zonës së Gorës, thanat dhe gatime tradicionale siç janë kulaçi, pengjir, ëmbëlsira të ndryshme. Gjithashtu edhe djathra të ndryshme si dhie e dele, nga prodhimet blegtorale. Këto evenimente e ndihmojnë shumë zonën tonë për t'u bërë e njohur për produktet që ka, sepse është zonë shumë turistike”, deklaroi një amvisë.

 

Sipas pjesëmarrësve, aktivitete të tilla ndihmojnë shumë në promovimin e zonës dhe e bëjnë Maliqin më të njohur si destinacion turistik e kulinar. Festa mbetet një rast për të shijuar prodhimet vendase, për të ruajtur traditën dhe për të nxitur zhvillimin rural./CNA





Lajmet e fundit nga