web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Korça, për tri ditë kryeqytet i video-artit ndërkombëtar

28 Gusht 2025, 13:55, Qyteti im CNA
Korça, për tri ditë kryeqytet i video-artit
Yllka Gjollesha

Korça është kthyer për tri ditë në skenën e artit ndërkombëtar, ku imazhi, tingulli dhe eksperimentimi marrin jetë në një festival unik. International Video Art Festival rikthehet në edicionin e tij të tretë, duke nisur rrugëtimin pikërisht aty ku pati fillesat, në muzeun “Gjon Mili”.

Në këtë hapësirë simbolike, arti bashkëkohor takohet me traditën e qytetit, duke e vendosur Korçën në hartën kulturore ndërkombëtare. Këtë vit, festivali mbledh 62 artistë të përzgjedhur nga e gjithë bota, por edhe emra të njohur të skenës shqiptare, për të prezantuar punime që lidhen me temën “Drita e lëkurës”.

Përmes videos, filmave, dokumentarëve dhe eksperimenteve audiovizuale, artistët synojnë të hapin një dritare të re mbi artin eksperimental, duke e bërë më afër publikut shqiptar.

Themeluesja e festivalit, Yllka Gjollesha, tregon se ideja është të ndryshohet mentaliteti ndaj filmave eksperimentalë dhe të frymëzohen edhe krijues të tjerë që vijnë nga fusha të ndryshme të kinemasë.

"Festivali në edicionin e tij të tretë vjen në vendin e tij të origjinës, në muzeun 'Gjon Mili', atje ku kishte fillesat e tij të para. Këtë vit janë 62 artistë të përzgjedhur nga e gjithë bota, po ashtu kemi dhe një numër të madh artistësh të ftuar shqiptarë e të huaj. I kemi përzgjedhur artistët bazuar në temën e zgjedhur këtë vit, 'Drita e lëkurës'. Ajo që duam të sjellim te publiku është të ndërrojmë mentalitetin e filmave dhe zhanreve eksperimentalë. Video-arti është shumë tërheqës dhe artistët frymëzojnë edhe të tjerë që zhvillojnë zhanre të ndryshme si filmi dhe dokumentari. Janë momente shumë frymëzuese që videot kanë imazhe shumë poetike dhe ftojnë për një inspirim të mëtejshëm të cilitdo artist.

Programi i festivalit do të shtrihet përgjatë tri ditëve në disa pika të ndryshme të qytetit, si Shtëpia e Flamurit, një ndërtesë e rikonstruktuar së fundmi, apo Teatri “Andon Zako Çajupi”, ku do të shfaqen filma të shkurtër dhe dokumentarë nga regjisorë vendas dhe të huaj.

"Në Korçë do të kemi përgjatë tri ditëve një program që zhvillohet në pika të ndryshme të Korçës, një prej tyre është Shtëpia e Flamurit ku artistët do të shohin një ndërtesë të rikonstruktuar. Gjithashtu është edhe teatri i Korçës ku një grup regjisorësh do të shfaqin filma të shkurtër ose dokumentarë gjatë gjithë ditës së nesërme."

Në këtë edicion, një pjesë të rëndësishme mbulon edhe aktorja dhe regjisorja Suela Bako, e cila sjell filma artistikë dhe dokumentarë të veçantë. Mes tyre spikat një premierë e dedikuar kujtimit të Pandi Raidhit, si edhe dokumentari i Bujar Alimanit, kushtuar një piktori shqiptar që emigroi në Shtetet e Bashkuara gjatë diktaturës.

"Unë kam mbuluar pjesën e filmave artistikë në këtë edicion ku ka prurje shumë interesante. Ka gjithashtu filma që risjellin artistë si memoriami i Pandi Raidhit që do të jetë premierë në Korçë në teatrin 'Andon Zako Çajupi'. Kemi një film dokumentar shumë të mirë nga Bujar Alimani për një piktor të jashtëzakonshëm që ka emigruar në SHBA në kohën e diktaturës dhe dokumentari është i zhvilluar brenda një dhome të vetme me pikturat e tij. Festivali ka shumë ngjyra dhe nuk është vetëm një festival video-arti, por kalon përtej kufirit në filma dhe eksperimentime të ndryshme audio-vizuale. Mendoj që të shijuarit e 'sound'-it është po aq i rëndësishëm sa imazhi i videos dhe punës së artistëve."

International Video Art Festival nuk është thjesht një kalendar shfaqjesh, por një përjetim i veçantë i artit bashkëkohor që sjell në Korçë energjinë e krijuesve nga mbarë bota. Për tri ditë, qyteti shndërrohet në një hapësirë ku ndërthuren imazhi dhe tingulli, poezia e videos dhe eksperimentimi audio-vizual, duke e vendosur publikun në qendër të një udhëtimi ndryshe nga çdo përvojë tjetër kinematografike.

Festivali e kthen Korçën jo vetëm në mikpritëse të artit ndërkombëtar, por edhe në një laborator të gjallë idesh, ku artistë shqiptarë e të huaj ndajnë historitë, kujtesën dhe frymëzimin e tyre. Përmes temës së këtij viti, “Drita e lëkurës”, spektatori ftohet të reflektojë mbi mënyrën se si arti prek jetën, përtej kufijve të gjinisë, teknikës apo traditës./ CNA





Lajmet e fundit nga