web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Festa e Koranit në Pogradec/ Simboli i liqenit të Ohrit mes traditës dhe turizmit

22 Gusht 2025, 14:44, Qyteti im CNA

Festa e Koranit në Pogradec/ Simboli i liqenit të Ohrit mes

Për të dytin vit radhazi, Pogradeci ka festuar “mbretin e liqenit të Ohrit”, koranin, një peshk unik në botë dhe simbol i qytetit. Festa e Koranit, e kthyer tashmë në traditë, mblodhi jo vetëm banorë vendas, por edhe turistë të shumtë që erdhën për të shijuar specialitetet e kësaj specieje endemike. Në kuadër të aktivitetit u organizuan ekspozita fotografike që treguan historinë e peshkimit ndër vite, u servirën gatime tradicionale e moderne me koran, si dhe u hodhën në liqen afro 2 milionë rasat, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë, me qëllim mbrojtjen dhe shtimin e kësaj pasurie të rrallë.

Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, theksoi rëndësinë e koranit për turizmin dhe zhvillimin ekonomik të qytetit. Ai premton se vitin që vjen, festa do të organizohet akoma më e madhe se këtë vit.

"Në fakt, kjo specie, pra korani, është unike në botë dhe një nga pjatat e para që ne ofrojmë për turistët. Pogradeci sivjet ka më shumë turistë se vitin e kaluar, kjo falë kulinarisë pogradecare ku hyn edhe gatimi i koranit. Gjithashtu edhe mençuria e biznesit të Pogradecit që kanë ruajtur një nivel të caktuar çmimesh që janë të përballueshme nga familje të zslonshme shqiptare, por edhe të huaj. Eksperiencen e kemi krijuar dhe besoj se vitet e tjera patjetër që është në kalendarin tonë të festave dhe unë premtoj se vitin e ardhshëm do të jetë një festë akoma më e madhe."

Ndërkaq, edhe vetë përfaqësuesit e restoranteve pogradecare ndanë përvojën e tyre. Endri Çollari, përfaqësues i një restoranti, tha se koranin e gatuajnë në dy mënyra dhe mbetet pjata e preferuar nga turistët vendas e të huaj. Ndër të tjera, Çollari tregon se në muajin gusht, çmimi i koranit si lëndë e parë ka arritur deri në 40€.

"Sekreti është shumë i thjeshtë, vetëm dashuri dhe zemër e bardhë. Turistët shqiptarë zakonisht vijnë për gatimet tradicionale kurse të huajt janë edhe për tradicionale edhe për moderne sepse koranin e bëjmë në të dyja format. Është e vështirë për ta gjetur, pra që të jetë korani i mirë, por për ta gatuar është i thjeshtë. Këtë muaj kilogrami i koranit ka vajtur 40 euro që po e marrin bizneset, pra me shumicë që e marrim te grumbulluesit. Çmimi është rritur te shitësi, te lënda e parë, por ne si biznes nuk e kemi lëvizur, mundohemi ta mbajmë stabël që të mos largohen klientët e t'i mbajmë sa më afër."

Shefi i kuzhinës, Erton Yzo, e cilësoi pjesëmarrjen në këtë festë si një emocion të veçantë, ndërsa tregoi se korani ka histori në Pogradec, duke theksuar se gatuhet në mënyrë të jashtëzakonshme.

"Është kënaqësi të jem pjesë e kësaj feste që ështe simbol i Pogradecit. Korani është një peshk që ka histori në vendin tonë. Është një peshk i gatuar nga nënat tona dhe tani është pjesë e shumë restoranteve dhe pasuri e këtij qyteti. Di të them që Pogradeci e gatuan në mënyrë të jashtëzakonshme."

Ndërsa përfaqësuesi i një restoranti familjar, Kreshnik Avdullari, u ndal më shumë te sfida e këtij viti, çmimi. Lidhur me këtë problematikë, Avdullari shprehet se rritja e çmimit ka ardhur për shkak të kërkesës së lartë të klientëve për këtë peshk.

"Ne jemi restorant familjar dhe gatuajmë në mënyrën më tradicionale të mundshme. E preferuar është kryesisht në tavë. Korani do pak kujdes, nuk duhet të nxitosh në gatim. Për turistët është pjatë e parë dhe mbetet pjata më e kërkuar në Pogradec. Është në mungesë sivjet për shkak të çmimit shumë të lartë. Peshk ka, por çmimi është shumë i lartë nga kërkesa e madhe. Çmimi i kalon 3500 lekë të rinj. Shpeshherë u kemi thënë klientëve që nuk ka sepse jemi të detyruar. Sivjet është me e theksuar kjo problematikë. Një tavë me koran nuk është shumë e thjeshtë, është çmimi i peshkut plus një 500 lekësh më shumë."

Përmes hedhjes së rasatit dhe përpjekjeve të përbashkëta të institucioneve dhe peshkatarëve, festa e këtij viti shënoi edhe një hap të rëndësishëm drejt ruajtjes së kësaj pasurie natyrore. Korani nuk është thjesht një peshk, por një pjesë e identitetit të Pogradecit dhe një arsye më shumë që turistët të kthehen gjithnjë e më shpesh në brigjet e liqenit të Ohrit./ CNA

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by CNA.al (@cna.lajme)





Lajmet e fundit nga