web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

"Fest Folk 2025"/ Tradita kulturore në 5 bashki të Qarkut Shkodër

30 Korrik 2025, 15:38, Qyteti im CNA

"Fest Folk 2025"/ Tradita kulturore në 5 bashki të Qarkut

Ka çelur siparin në Koplik të Malësisë së Madhe koncerti “Fest Folk 2025”, edicioni i dytë i Ansamblit Popullor të Qarkut Shkodër, nën kujdesin e Këshillit të këtij qarku dhe Bashkisë Malësi e Madhe. “Fest Folk 2025”, që po kthehet në traditë, në natën e parë solli këngë, valle dhe interpretime të ndryshme.

"Unë dua të falënderoj Qarkun e Shkodrës që bëjnë organizime të tilla. Të kaluarën ne nuk duhet ta harrojmë sepse kjo është kultura jonë ndër shekuj", tha kryetari i Bashkisë të Malësisë së Madhe.

"Kam kënaqësinë që të përshëndes në këtë edicion të dytë 'Fest Folk', e cila vjen si trashëgimia jonë kulturore. Do të rrugëtojmë në 5 bashkitë e Qarkut Shkodër. Si një edicion që shërben për transmetimin e vlerave tona. Folku nuk është vetëm muzikë, por edhe një thirrje për ta trashëguar brez pas brezi. Përmes valleve, këngëve ne synojmë të mbajmë gjallë këtë kulturë që kemi. Ne jemi përfaqësuar përherë me dinjitet edhe në Festivalin e Gjirokastrës, ndaj le të jetë 'Fest Folk' një dritare për të ndarë sa më shumë këtë trashëgimi tonën", tha Edmond Ndou, kryetar i Këshillit të Qarkut Shkodër.

 

Ky aktivitet i bën jehonë trashëgimisë së pasur kulturore të Qarkut Shkodër. Artistët e Malësisë së Madhe sollën në skenë vlerat muzikore të kësaj treve, që janë ruajtur dhe pasuruar gjithnjë nga shpirti artistik i popullit.

 

Më pas, në skenë ngjitet grupi artistik i Qendrës Kulturore “Pjetër Gaci”, Shkodër. Shkrihen kështu hijshëm këngët qytetare shkodrane me ato të Malësisë së Madhe – lirika të paraqitura përmes teksteve që burojnë nga shpirti poetik, ku tingujt magjepsës të instrumenteve muzikore krijojnë një atmosferë tejet mbresëlënëse.

 

Për muzikantët evente të tilla sjellin përherë emocion teksa shërbejnë veçanërisht edhe për edukimin e brezit të ri me traditën folklorike.

 

"Ishte një manifestim i këndshëm ku tradita vjen me energji të reja dhe një publik që mezi e pret këtë event. Aktivitete të tilla vlejnë sidomos për të përcjellë te brezi i ri këtë traditë të mrekullueshme që ne e kemi si trashëgimi të rëndësishme kulturore", tha kompozitori Zef Çoba.

"Është një event që ia vlen të ndiqet edhe nga artistë të tjerë të rinj. Publiku është dashamirës dhe falënderoj organizatorët për këtë iniciativë", u shpreh këngëtarja Gentjana Tafili.

 

Ndërsa për At' Pashko Gojçajn nga Tuzi, mirëpritet bashkëpunimi në këto aktivitete edhe me Malësinë përtej kufirit:

 

"Ky bashkëpunim ndihmon sepse ne orientojmë dhe ndihmojmë njëri-tjetrin. Pra, evente dhe bashkëpunime të tilla janë tejet të domosdoshme", tha At' Pashko Gojçaj.

 

“Fest Folk 2025” nga Malësia e Madhe do të rrugëtojë drejt bashkive të tjera të Qarkut Shkodër, sipas një grafiku të posaçëm, ku angazhohen qindra artistë për të promovuar këngët, vallet dhe kostumografinë shumëngjyrëshe, duke dhënë kështu kontributin e tyre në ruajtjen e trashëgimisë sonë dhe vendosjen e saj në shërbim të zhvillimit të turizmit kulturor./ CNA





Lajmet e fundit nga