web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

“Një vend mbresëlënës me vlera të rralla”/ Tumën e Kamenicës e vizitojnë studiues dhe arkeologë austriakë

13 Korrik 2025, 16:17, Qyteti im CNA

“Një vend mbresëlënës me vlera të rralla”/

Tuma e Kamenicës ka qenë këtë të diel ndalesa e radhës për një grup vizitorësh nga Austria, të përbërë jo thjesht nga turistë të zakonshëm, por nga arkeologë, studiues dhe mësues të gjuhëve të lashta, që po zhvillojnë një tur kulturor në Shqipëri me fokus te sitet arkeologjike dhe trashëgimia prehistorike e vendit. Pjesë e grupit janë profesionistë nga universitetet e Vienës dhe Salsburgut, të cilët shfaqën interes të theksuar për strukturën unike të tumës, për mënyrën e ruajtjes dhe prezantimit të saj, por edhe për rëndësinë që ky objekt mbart në kuadër të historisë së hershme të rajonit.

Vizitorët u njohën me të gjithë historikun e Tumës, me strukturën e saj komplekse dhe me të dhënat e dala nga gërmimet shumëvjeçare, të cilat e kanë kthyer këtë sit në një prej destinacioneve më domethënëse arkeologjike në Shqipëri. Të ardhur nga fusha të ndryshme të studimit, përfshirë arkeologjinë nënujore, historinë e mjekësisë, latinishten dhe gjuhët e vjetra, ata e konsideruan këtë vizitë si një ndalesë shumë të vlefshme për formimin e tyre akademik dhe profesional.

“Një vend mbresëlënës me vlera të rralla”/

Annamaria Lesigang, mësuese e latinishtes dhe anglishtes në Vjenë, u shpreh shumë e kënaqur për këtë vizitë, duke përmendur edhe vende të tjera antike që ka vizituar në Shqipëri.

 “Kemi 2-3 ditë që kemi ndërmarë këtë tur dhe kemi parë Tiranën dhe Shkodrën. Jemi duke vizituar sitet antike dhe prehistorike dhe ky vend është shumë i pasur. Jam mësuese e latinishtes dhe anglishtes në Vjenë, Austri. Kemi një program shumë të ngjeshur, kemi parë gërmimet e Linit dhe ishte një pamje shumë e bukur në liqen.  Është mahnitëse, kemi qenë më herët në një tur në Bullgari dhe aty kemi parë tuma të ngjashme, çka më kujton disi atë kulturë.  Interesi im kryesor është kultura romake dhe më pëlqeu shumë rruga 'Egnatia' në Elbasan, por mendoj që ky muze këtu është shumë informues, dhe i mbajtur shumë mirë”,- tregon Lesigang.

Barbara Beckenberger, gjithashtu mësuese e latinishtes në Vjenë, vlerësoi mënyrën sesi prezantohet historia.

 “Vij nga Viena dhe jam mësuese e latinishtes ndaj jam shumë e interesuar për arkeologjinë e Ballkanit. Ne kemi shumë studentë me origjinë nga vendet e Ballkanit si Maqedonia e Veriut, Bosnja si edhe Shqipëria, ndaj më shërben të kuptoj më shumë për vendet nga ata vijnë.  Mendoj që është shumë interesante dhe keni bërë një punë shumë të mirë në mënyrën sesi e prezantoni historinë tuaj. Mendoj që është ende duke u zhvilluar dhe ajo që i shkrova bashkëshortit tim dje është që jam shumë kurioze sesi do të duket pas 10 vitesh, ndaj shpresoj të vijmë pas 10 vitesh për ta parë”,-tha Beckenberger.

Rupert Breitwieser, specialist në arkeologji nënujore dhe histori të mjekësisë në Universitetin e Salzburgut, theksoi rëndësinë e Tumës nga këndvështrimi shkencor.

 “Punoj në Departamentin e Antikitetit në Universitetin e Salsburgut dhe fokusi im janë arkeologjia nënujore dhe historia e mjekësisë. Shumë mbresëlënëse, më pëlqeu shumë. Një zonë shumë e rëndësishme këtu dhe nga sa dëgjova ka një lidhje mes vendodhjes dhe Tumës këtu, gjë që është shumë e rallë. Është shumë e rëndësishme puna që është bërë këtu, jo vetëm në anën e mjekësisë, pra është shumë impresionuese. Shqipëria është një vend shumë interesant, jam i lumtur që jam këtu. Kam qenë vite më parë dhe kam vizituar Butrintin dhe këtë herë kam parë shumë vende historike dhe arkeologjike”,-tregon Breitwieser.

“Një vend mbresëlënës me vlera të rralla”/

Vizita u shoqërua nga arkeologu dhe udhërrëfyesi kombëtar Ols Lafe, i cili ka qenë pjesë e gërmimeve që në vitin 2000. Ai theksoi se ky ishte një grup i përzgjedhur profesionistësh nga fusha të ndryshme të antikitetit, të cilët e kishin vendosur Tumën e Kamenicës si një ndalesë të domosdoshme në turin e tyre në Shqipëri. Lafe shtoi se puna shumëvjeçare në këtë sit, përfshirë mirëmbajtjen, përkujdesjen dhe pasurimin e përhershëm të informacionit, po e kthen gjithnjë e më shumë Tumën në një destinacion referencial për studime arkeologjike dhe antropologjike në Ballkan.

 “Vizita që zhvilluam sot në Tumën e Kamenicës është një vizitë e planifikuar që prej vitit të kaluar. Grupi austriak, të cilin kam kënaqësinë të shoqëroj nëpër Shqipëri për rreth 1 javë, e kishte pikë të veçantë Tumën e Kamenicës sepse është një objekt i veçantë, pra nuk kemi dy të tilla në territorin e Shqipërisë. Puna e bërë këtu prej shumë vitesh, fakti që dhe vetë kam marrë pjesë në gërmimet e vitit 2000, mirëmbajtja e vazhdueshme, përkujdesja dhe prezantimi që rritet dita-ditës, për ta bërë një destinacion të domosdoshëm në Korçë. Tuma e Kamenicës mbetet një pikë e rëndësishme për tu shpjeguar për historinë e saj. Është shumë e rëndësishme nga pikëpamja arkeologjike dhe antropologjike. Çështjet e datimeve janë gjëra që ne i diskutuam. Grupi në fjalë janë ekspertë të fushës, ka arkeologë nga Universitete të Vienës dhe Salsburgut, historianë të antikitetit, filologë të latinishtes dhe greqishtes së vjetër, pra profesionalizmin e tyre e lidhin me zhvillimet në territor”,-tregon Lafe.

“Një vend mbresëlënës me vlera të rralla”/

Kjo vizitë shërben jo vetëm si një shembull i interesit në rritje të akademisë ndërkombëtare për trashëgiminë shqiptare, por edhe si nxitje për të investuar më tej në promovimin dhe integrimin e saj në rrjete më të gjera kërkimore dhe turistike./CNA





Lajmet e fundit nga