web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ngjyrat e shpirtit beratas në brigjet e liqenit të Pogradecit/ Agron Polovina sjell ekspozitën e tij personale

9 Gusht 2025, 15:25, Qyteti im CNA

Ngjyrat e shpirtit beratas në brigjet e liqenit të Pogradecit/ Agron

Galeria e Arteve në qytetin e Pogradecit ka mirëpritur ekspozitën personale të piktorit beratas, Agron Polovina. Me një karrierë të gjatë në artin pamor, Polovina ka sjellë për publikun 38 piktura, kryesisht peizazhe që pasqyrojnë bukuritë e Pogradecit dhe zonave përreth, por edhe tablo me veshje tradicionale nga treva të ndryshme të Shqipërisë.

Autori tregon se lidhjet e tij me Pogradecin janë të hershme, që nga vitet e Liceut Artistik, ku një prej pedagogëve të tij, piktori Gjergji Lako, ia afroi këtë qytet dhe magjinë e tij. Sipas Polovinës, liqeni dhe bukuritë natyrore të Pogradecit kanë shërbyer si një muze i gjallë, duke e frymëzuar të krijojë një cikël të veçantë punimesh.

“Nuk është rastësi që unë vij në qytetin e Pogradecit. Lidhjet e mia me Pogradecin janë të hershme, që nga vitet e Liceut Artistik, ku Gjergji Lako, një nga pedagogët e mi më të dashur, na e solli Pogradecin më afër. Edhe miqtë e mi artistë ma kanë bërë më të lehtë ardhjen këtu. Qyteti i Pogradecit është magji, është muzë, me liqenin dhe bukuritë e tjera. Vij me shumë kënaqësi për të pikturuar dhe në përfundim formova një cikël me piktura të qytetit dhe zonave përreth”,-tha artisti.  

Ekspozita përfshin edhe pesë kompozime të reja, të cilat, siç thotë autori, janë frymëzuar nga trashëgimia e qytetit të tij të lindjes, por edhe nga problematika të aktualitetit shqiptar.

“Ekspozita përmban një koleksion prej 38 pikturash, kryesisht peizazhe. Gjithashtu, gjatë udhëtimeve të mia në Shqipëri, kam realizuar disa tablo me veshje karakteristike shqiptare. Pjesa më e rëndësishme për mua janë kompozimet, ku për herë të parë pas shumë vitesh kam publikuar 5 vepra të frymëzuara nga trashëgimia e qytetit tim, por edhe nga probleme aktuale të vendit tonë”,-tregon Polovina.

Ngjyrat e shpirtit beratas në brigjet e liqenit të Pogradecit/ Agron

Kolegë dhe miq të artistit, si piktorët Arben Golemi dhe Vagjo Vasili, e kanë vlerësuar Polovinën si një peizazhist të mrekullueshëm, piktor të përkushtuar dhe me shumë ndjeshmëri artistike.

“Agroni nuk është vetëm kolegu im, por edhe miku im dhe një nga bashkëpunëtorët e mi. Ai është një piktor i afirmuar, një talent dhe një peizazhist i mrekullueshëm. Që të spikatësh për pikturën në Shqipëri duhet të jesh i përkushtuar vetëm me pikturën. Agroni është njeri i përkushtuar dhe piktor shumë i mirë”,-tha Golemi.

“Agroni është piktor shumë cilësor dhe shumë i përgjegjshëm, mbi të gjitha shumë serioz. Ai është piktor me shumë sensibilitet dhe pret momentin që të hedhë në telajo atë që ai do t'u përcjellë të tjerëve. Piktura nuk është kartolinë që të pëlqehet nga të gjithë. Agroni ka punë jashtëzakonisht të bukura,-tha Vasili.

Në Galerinë e Arteve të Pogradecit, Agron Polovina ka sjellë jo vetëm piktura, por kujtime, frymëzim dhe ndjesi që lindin nga dashuria për vendin dhe për artin. Me peizazhe të ngrohta, tablo të traditës dhe kompozime që flasin për realitetin e sotëm, ai fton publikun të ndalet, të shohë e të ndiejë. Kjo ekspozitë është një urë mes së shkuarës dhe së tashmes, mes telajos dhe jetës, ku Pogradeci nuk është thjesht sfond, por pjesë e shpirtit të çdo vepre./CNA





Lajmet e fundit nga