web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Edicioni i VI i "Mokra n'Fest"/ Sjell në vëmendje zakonet, historinë dhe mikpritjen mokrare

17 Gusht 2025, 12:59, Qyteti im CNA

Edicioni i VI i "Mokra n'Fest"/ Sjell në vëmendje

Mokra n'Fest, festa e krahinës së Mokrës e cila ka në qendër të saj promovimin e monumenteve të natyrës, kulturës por edhe traditave të zonës edhe në këtë edicion të saj të VI solli në vëmendje pikërisht zakonet, historinë dhe mikpritjen mokrare.

"Ura e Gurit", monument kulture e kategorisë së parë si pjesë e rrugës "Egnatia" dikur e përshkuar nga karvanët e tregëtarëve, tashmë mbledh banorët, vizitorë e turistët të cilët mahniten me madhështinë e saj, por edhe atë se çfarë në festë ekspozohet e shpaloset, që nga gatimet e mishit, brumit, prodhimet e tokës.

 

"Festa e Mokrës festohet për herën e tretë pranë urës së Golikut, është monument kulture e kategorisë së parë, i përket shekullit të XVII. Është urë mjaft e rëndësishme e degëzmit të rrugës Egnatia që asakohe kalonte përgjatë Mokrës, promovon turizmin, promovon monumentet e kulturës që Mokra i ka të shumta. Krahasuar me vitet e tjera ka një numër mjaft të madh njerëzish kjo falë promovimit që është bërë”, u shpreh Ledjan Zeqollari, drejtori i Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë Pogradec.

 

Mokra e mokrarët janë të njohur sidomos për shëndetin që i pijnë mikut me dolli. Rakia e kumbullës së kësaj zone nuk njeh gjini, pasi dollia ngrihet nga burrat e gra.

 

"Mokra për tradita, për punëdore, për byrek, mishin në hell, fasulet. Kulaçi, bukë me brumë, sodanik, me miell misri. Rakinë e pinë e burrat e gratë, bëjnë dolli”, tha një banor.

 

Vit pas viti Mokra n'Fest mbledh më shumë vizitorë vendas dhe të huaj nga të gjitha qytetet e fshatrat shqiptare nga jugu në veri, pasi nami i mirë i mokrarëve është i madh.

"Kam ardhur së me pëlqen shumë Mokra, gëzuar Festën Mokrës. Jam nga Peshkopia hera e parë në Moker. Shumë bukur", u shpreh një pjesëmarrës.

 

"Nga Rumania. Kam vjehrrin këtu. Kam burrin shqiptar. Kam dy vjet. Me pelqen. Do rikthehem", tha një turiste rumune.

 

Mokra n'Fest u shoqërua me muzikë tradicionale të zonës, vallet popullore e vallet dyshe të burrave, mbrëmja pati edhe sfida dhe performanca në ajër me grupin e të guximshmes Fiona Rushiti, për ta përmbyllur festën me kampingun e të apasionuarve pas natyrës.

Më shumë se 4 mijë të pranishëm "në të lashtën Mokrës me thinja mençurie dhe shpirt fisnikërie", siç shkruante Dritëro Agolli.





Lajmet e fundit nga