web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

“Rama turpëron Shqipërinë”/ Këlliçi: Akti i radhës, rreshtimi i kartonave në Kuvend për një super skandal

13 Korrik 2026, 17:21, Politikë CNA

Deputeti demokrat, Belind Këlliçi, ka akuzuar sot kryeministrin Edi Rama se po turpëron vendin përmes një akti  normativ që synon të votojë në Kuvend.

Në një postim në rrjetet sociale, Këlliçi shprehet se bëhet fjalë për rreshtim kartonash jeshilë për faturën e koncertit të zhvilluar në Tiranë të reperit amerikan Kanye West.

Këlliçi, ndërsa e cilëson si një skandal të madh, shprehet se kjo është jo vetëm një mënyrë e keqe për të mbyllur legjislaturën, por edhe një precedent i rrezikshëm.

Reagimi i plotë:

Edi Rama turpëron Shqipërinë, po mbyll legjislaturën e Kuvendit duke votuar faturën për koncertin privat!

Në seancën e fundit të kësaj legjislature, atë të 23 korrikut, Edi Rama do të rreshtojë kartonat e tij në Kuvend për të votuar një super skandal. Për të hedhur firmën deputetët e tij që një organizues eventesh të marrë 4.2 milionë euro për koncertin e Kaney Ëest.

Duke qënë se çdo mënyrë tjetër ishte shkelje ligji, Edi Rama nxori një akt normativ dhe mori gati gjysmën e parave dedikuar emergjencave civile, për të qerasur një koncert privat.

Kapital.al ka zbuluar se përfituesi është pronari i kompanisë “Red Cloud” thuajse në faliment, Klodian Makashi. Kërkesa e tij për para, motivohet me argumentin se eventi vihet në rrezik, dhe duhen shlyer detyrimet ndaj këngëtarit.

Dhe menjëherë i del në krah qeveria, që sipas Edi Ramës i jep këto para për ta shpëtuar vendin nga turpërimi!

Me votën e tyre me 23 korrik, deputetët e Edi Ramës do të bëhen të gjithë pjesë e një skandali dhe e një precedenti të rrezikshëm.

Çdo operator privat që ka njohje me kryeministrin, mund të marrë në vijim para nga taksat e qytetarëve për aktivitete private.

Edi Rama e ktheu në koncert shtetëror atë të Kaney Ëest, pasi detyroi administratën dhe shkollat të mbushin stadiumin. Dhe e gjitha vetëm e vetëm për të mos dështuar një antimiting ndaj protestës në shesh që kërkon largimin e tij prej 43 ditësh tashmë.

Kjo e 4.2 milionë eurove për një koncert, është e gjitha një histori skandali dhe shkelje e ligjit.

SPAK prej sot ka në dorë një kallëzim penal të depozituar nga Partia Demokratike për këtë abuzim të rëndë me pushtetin.

Edi Rama ka përdorur arkën e shtetit si të jetë kasaforta personale për interesat e veta politike.

Çfarë duhet më shumë që Struktura e Posaçme Anti-korrupsion të vihet në lëvizje e të bëjë detyrën?!

Është ky lloj shpërdorimi detyre dhe abuzimi me postin që i ka ngritur njerëzit në revoltë. Dhe ata që janë kukullat e Edi Ramës në Kuvend, të mos ankohen për komentet që u bëjnë njerëzit apo për vezët që u hedhin, sepse po bëhen pjesë e një maskarade.

Po të kenë minimumin e dinjitetit, të refuzojnë keqpërdorimin edhe një herë tjetër, duke e mbyllur me turp legjislaturën./CNA





Lajmet e fundit nga