web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Vrasja e ish-ministres/ Antiterrori merr në dorë hetimet

13 Korrik 2026, 22:07, Kosova & Bota CNA

Vrasja e ish-ministres/ Antiterrori merr në dorë hetimet

Policia kundër terrorizmit ka marrë nën kontroll hetimet për vdekjen e ish-ministres konservatore britanike, Ann Widdecombe, pasi janë shfaqur informacione dhe prova të reja.

Një 28-vjeçar nga Rotherham, i cili ishte arrestuar fillimisht për vrasje, është riarrestuar tani nën dyshimin për kryerjen, përgatitjen ose nxitjen e akteve terroriste. Widdecombe, 78 vjeçe, u gjet e pajetë në shtëpinë e saj në Haytor, Devon, të enjten e kaluar, pasi kishte pësuar lëndime të rënda.

Shefi i Policisë Kombëtare Kundër Terrorizmit, Laurence Taylor, deklaroi se po ndiqen linja të shumta hetimore për të përcaktuar motivin e këtij sulmi, ndërsa theksoi se arrestimi i ri vjen pas zhvillimeve "dinamike dhe komplekse" të hetimit.

Ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood, në një deklaratë për Dhomën e Komunëve, konfirmoi se i dyshuari nuk ka qenë më parë në listën e vëzhgimit të programit qeveritar kundër ekstremizmit "Prevent".

Ajo vlerësoi Widdecombe-n si një figurë "të guximshme dhe të drejtpërdrejtë", ndërsa shtoi se vdekja e saj ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e figurave publike, duke njoftuar se po rishikohen protokollet e mbrojtjes për deputetët.

Deri më tani, hetimet kanë zbuluar pamje nga kamerat e sigurisë që tregojnë të dyshuarin teksa largohej nga Rotherham-i me automjet drejt Devon-it, orë përpara se të mendohet se ka ndodhur sulmi.

Pavarësisht natyrës së re të hetimit nga antiterrori, autoritetet vijojnë të mbeten të hapura për të gjitha pistat, ndërsa prania e policisë në zonën ku ndodhi ngjarja do të mbetet e shtuar në javët në vijim.

Kjo ngjarje ka tronditur opinionin publik në Britaninë e Madhe, ku liderë politikë të të gjitha krahëve kanë shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të një prej figurave më të njohura dhe më të debatueshme të politikës britanike ndër dekada. /CNA





Lajmet e fundit nga