web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Zjarr i madh në Paris, ndërhyrje nga ajri për të frenuar flakët

13 Korrik 2026, 08:41, Kosova & Bota CNA

Zjarr i madh në Paris, ndërhyrje nga ajri për të frenuar

Një zjarr i madh ka përfshirë pyllin Fontainebleau, rreth 60 kilometra në juglindje të Parisit, duke detyruar autoritetet franceze të angazhojnë avionë zjarrfikës për të vënë nën kontroll flakët, të cilat janë cilësuar si të një "shkalle të jashtëzakonshme".

Sipas autoriteteve, zjarri ka djegur rreth 800 hektarë pyll dhe vazhdon të përhapet, ndërsa temperaturat e larta dhe era po vështirësojnë punën e ekipeve të emergjencës. Për herë të parë, Franca ka dërguar avionë zjarrfikës nga rajonet jugore të vendit për të luftuar flakët në zonën e Parisit.

Në operacion janë angazhuar gjithashtu dy avione zjarrfikës dhe një avion vëzhgimi, me prioritet mbrojtjen e jetëve dhe pronës.

Zjarri ka shkaktuar edhe probleme të mëdha në transport. Një pjesë e autostradës kryesore veri-jug është mbyllur, ndërsa trafiku është rënduar në fundjavën e parë të pushimeve verore. Po ashtu, një zjarr tjetër ka ndërprerë qarkullimin në një linjë të trenit me shpejtësi të lartë, duke shkaktuar vonesa deri në gjashtë orë për udhëtarët që përdorin stacionin Gare de Lyon në Paris.

Franca po përballet me valën e tretë të të nxehtit këtë vit, me temperatura që në disa zona i janë afruar 40 gradë Celsius. Si pasojë e kushteve ekstreme, tre centrale bërthamore janë mbyllur përkohësisht për të shmangur ngrohjen e mëtejshme të ujërave të përdorura për ftohje.

Temperaturat rekord që kanë përfshirë Evropën gjatë kësaj vere kanë shtuar rrezikun e zjarreve në shumë vende. Spanja është goditur nga disa prej zjarreve më vdekjeprurëse të viteve të fundit, ndërsa edhe në Mbretërinë e Bashkuar shërbimet e emergjencës po përballen me zjarre të mëdha në disa rajone./ CNA





Lajmet e fundit nga