web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Një dokument pune dhe “lufta” për një Kod të ri Penal në Shqipëri

31 Korrik 2025, 20:35, Editorial CNA

Një dokument pune dhe “lufta” për një Kod të ri

Një grup ekspertësh, pa asnjë diskutim nga më të mirët në vend paraqitën në publik disa ditë më parë një draft për Kodin e ri Penal. A është i nevojshëm një Kod Penal i ri  në Shqipëri? Po të pyesësh të gjithë juristët përgjigjja është në unison: po. Shqipëria ka një kod të vjetër, thuajse të kohës së Bashkimit Sovjetik, të arnuar, qepur dhe shqepur, mirë apo keq... dhe tashmë ka hapur kapitujt e negociatave me Bashkimin Europian. Pa diskutim duhet të ketë një Kod të ri Penal, i cili të jetë i standardeve të BE-së.

Një grup ekspertësh që në vitin 2019, në kohën kur ministre e Drejtësisë ishte Etilda Gjonaj, filluan ta diskutonin. Në vitin 2023 gjithçka është bërë me firmën e ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, zyrtare. Pra që këta grup ekspertësh po punojnë në funksion të një Kodi të ri Penal dhe në shtator të vitit të shkuar, 2024, ata kanë përfunduar punën e tyre. Qeveria tashmë ka përballë një draft.

Ministri i Drejtësisë së bashku me hartuesit, por dhe drejtuesit e institucioneve të drejtësisë dolën dhe e paraqitën në opinionin publik.

Çfarë ndodhi?

Thjesht u morën copëza të këtij kodi, u hodhën në treg dhe është ngritur një “furtunë në gotë”. Sikur ky draft-kod është Kodi i ri Penal që do të shkojë në Parlament dhe mbaroi. Në fakt kjo është një gënjeshtër. Dje kishim një Kod me rreth 350 nene, sot kemi një Kod të ri me rreth 900 nene, ku janë reflektuar shumë nga rekomandimet e dhëna nga Bashkimi Europian dhe pasi është përgatitur nga një grup ekspertësh, tashmë do të merret do të shqyrtohet me grupet e interesit, me juristë, me avokatë, me gjyqtarë, me prokurorë, që do të japin mendimet e tyre. Jo duke dalë në konferenca shtypi dhe duke folur “kaluar” si dembelë të palexuar, që as nuk kanë pasur kohë, ndoshta nuk e kanë hiç draftin në tavolinë, por dalin dhe flasin.

Kur del ndonjë avokat që bën detyrën e tij, mbron krimin etj. dhe e konteston ka të drejtën e tij. Megjithëse dhe ata të fushës së avokatisë, nuk janë budallenj, e dinë shumë mirë që ky nuk është një Kod i ri Penal që duhet ta miratojë Parlamenti, por është një draft, një dokument pune. Po kujt ia thua?! A mund të gabojnë avokatët dhe të luajnë me interesat e tyre? Pa asnjë diskutim.

E çuditshme është si ka kritikë Sokol Sadushi?! Ndoshta duhet ta kishin thirrur mikun e Mero Bazes, që të mbante dhe ai qëndrim për Kodin Penal, por harron zotëria që është kryetar i Gjykatës së Lartë. Do ta marrë draft-kodin zyrtarisht dhe do të japë mendimet e tij si institucion. Në qoftë se ka një njeri që duhet ta mbështeste i pari hartimin e një kodi të ri duhet të jetë ai, pikërisht kryetari i Gjykatës së Lartë, ky institucion është një nga shtyllat e rëndësishme të drejtësisë shqiptare. Por kur Sokol Sadushi doli nga dera e drejtësisë dhe hyri nga dritarja, pa bërë veting dhe shkon kryetar i Gjykatës së Lartë çfarë mund të presësh?!

Pikëpyetjet që ngrejnë qëndrimet e drejtuesve të institucioneve

Nuk është çudi kur flet Maks Haxhia, se nuk ka kohë ta lexojë draft-kodin se ka dhe halle të tjera, por habi e madhe është Olsian Çela, Prokurori i Përgjithshëm. Del dhe i fut një tufë me fjalë, a thua se kishte gjetur një grup armiqësor brenda prokurorisë që po e sabotonte detyrën e tij dhe shtetin shqiptar. Kur në fakt ai ka pasur përfaqësuesit e tij në hartimin e këtij dokumenti pune a draft-kodi, le ta quajnë siç u pëlqen, por nuk është një Kod i  ri Penal.

 

Nuk është kodi që do të ketë Shqipëria nesër, sepse do kalojë në shumë filtra, jo vetëm në tryeza ku do shkojnë pikërisht edhe këta krerë institucionsh që nuk sillen institucionalisht, por sillen si të jenë në foltoret e konferencave të shtypit të ndonjë partie. Ky është problemi. Se do flasin avokatë, do flasin juristë, profesorë, por kur dalin përfaqësuesit e institucioneve dhe këpusin të tilla budallallëqe apo mbajnë të tilla qëndrime kjo ngre shumë pikëpyetje.

 

Pse e kontestojnë draft-kodin avokatët dhe mediat?!

Ngre pikëpyetje se kush i stimulon nga poshtë, jo vetëm këta drejtues institucionesh, por dhe të tjerë, media apo avokatë. Mirë avokatët kanë interesa të caktuara të lidhura me çështje të caktuara apo media që marrin shpatën për ta kryqëzuar kodin, për ta fshirë. Ndërkohë që ka 900 faqe dhe kanë gjetur 5 probleme, 10 apo 30, ç’rëndësi ka.

Krerët e institucioneve përpara se të flasin duhet ta lexojnë dhe të dalin të mbajnë qëndrim në tryezat e diskutimeve me alternativa konkrete, me propozime, si është standardi i BE, si përputhen këto me realitetin e BE, me realitetin shqiptar. Sepse pikërisht ka të bëjë me vendin tonë dhe me rrugën që kemi për të shkuar drejt Europës.

“Fshikullojnë” në media, shkruajnë budallallëqe, nxjerrin nga konteksti ato që janë në rreshta. Për më tepër ka dhe gjëra të konstestuara që në fakt në BE janë rregulla që shqiptarët i respektojnë, pikërisht dhe vetë këta juristë që kontestojnë, apo këta drejtues institucionesh. Ndoshta në Shqipëri nuk i duan, kjo ka pak rëndësi. Do kalojë një fazë tjetër. Tashmë vjen sezoni i pushimeve, në shtator do fillojnë diskutimet. Po nuk mund të dalin krerë institucionesh të rëndësishme të mbajnë qëndrime të dyshimta. Qëndrime si të jenë jo drejtues të institucioneve të drejtësisë, por si avokatë të rëndomtë që shkojnë dhe kapen me çështjen “filan”.

 

Qëndrimi i Dumanit për draft-kodin

I vetmi që mbajti një qëndrim publik, “të pjekur”, si një drejtues institucioni ishte Altin Dumani, kreu i SPAK, i cili tha: nuk kemi qenë pjesë e hartimit të këtij drafti, nuk jemi njohur me draftin. Pasi të na vijë do të japim propozimet, kundërshtimet tona për hartimin e një kodi të ri, i cili është i nevojshëm.

Mjafton të ishin në këtë qëndrim krerët e institucioneve. Të merrnin draftin, të ngrinin dhe ata grupet e tyre të ekspertëve, megjithëse Olsian Çela e ka pasur përfaqësuesin e tij dhe Gjykata e Lartë ka pasur juristë. Sepse ekspertët nuk janë njerëz të marrë nga rruga, janë profesorë, intelektualë, njerëz me dhjetëra e dhjetëra vite eksperiencë në drejtësinë e Shqipërisë, me të mirat dhe të këqijat e tyre.

Si duhet të reagojnë institucionet e drejtësisë ndaj draft-kodit

Olsian Çela dhe institucionet e tjera të drejtësisë duhet të marrin qëndrim të thjeshtë, duke e marrë atë draft, duke ngritur grup ekspertësh brenda institucionit, duke parë në detaje, duke dhënë propozimet përkatëse sipas asaj që ka BE-ja apo sipas rrethanave dhe realitetit shqiptar. Duke bërë një kod të përshtatshëm me Bashkimin Europian dhe pastaj për të pritur ekspertët e Europës, që ta diskutojnë me korrigjime, me propozimet përkatëse dhe në fund për të pasur një Kod sa më të mirë Penal, që e nderon Shqipërinë dhe patjetër që i duhet një i tillë dhe për këtë nuk ka diskutim.

Ajo që diskutohet është çfarë janë këta njerëz, drejtues institucionesh dhe këto media që i fusin një kryq draft-kodit pa asnjë arsye. Thjesht dhe vetëm kapen në 3 apo 5 pika, kur shumica e atyre që po flasin ndoshta nuk e kanë hiç draft-kodin në dorë dhe maksimumi që mund të kenë lexuar mund të jetë 1/10 e tij. Ndaj dhe reagimet në ato çka lexojmë në lidhje me një kod të ri që na duhet, të gjithë e pranojmë, por në fakt nuk është i tillë ky që kemi në duar. Është një draft, një dokument pune. Kur dëgjon të tilla qëndrime, vërtet thua: Fali o Zot se nuk dinë ç’bëjnë! Por kur e bëjnë me qëllim, janë fajtorë./ CNA





Lajmet e fundit nga