web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Pse Dumani dhe Dado nuk i bëjnë vetingun Erion Veliajt

31 Korrik 2025, 11:40, Editorial CNA
Pse Dumani dhe Dado nuk i bëjnë vetingun Erion Veliajt
Foto ilustruese

Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës, i cili ndodhet në qelitë e burgut të Durrësit, dje ka bërë një reagim të gjatë ku midis rreshtash ai shkruan se i është bërë një veting 21-vjeçar që nga viti 2004.

Këtu keni tekstin e Erion Veliajt. (LEXO)

Në pamje të parë ti mendon që SPAK-u i ka bërë një veting kryebashkiakut të Tiranës, një veting si ata që u bënë gjyqtarëve dhe prokurorëve që ka kaluar Ols Dado, që ka kaluar Altin Dumani, që ka kaluar dhjetëra prokurorëve dhe gjyqtarëve, një veting si ai që rrëzoi qindra të tjerë, një veting që fillonte nga këpucët, shkonte tek ora e dorës, te çorapet, te veshja, te mobileritë e shtëpisë, te një shtesë ballkoni, te lavatriçja, te frigoriferi. Shumë prokurorë dhe gjyqtarë ikën nga detyra, për vlera qesharake.

Çfarë është vetingu?

“Vetingu është procesi i kryerjes së një kontrolli të historisë së dikujt përpara se t'i ofrohet punësim, t'i jepet një çmim ose të bëhet verifikimi i fakteve përpara se të merret ndonjë vendim. Përveç kësaj, në mbledhjen e inteligjencës, pasuritë verifikohen për të përcaktuar dobinë e tyre”

Thjesht veting është t’i hysh në detaje një historie të gjatë mënyra se si ka jetuar, kushtet që ka jetuar, shpenzimet që ka kryer dhe gjithçka tjetër që ka kaluar në 20 vite jetë.

Por a i është bërë kjo Erion Veliajt?

E vërteta është një, as Ols Dado, as Altin Dumani, nuk i kanë bërë veting Erion Veliajt.

Nuk i kanë bërë sepse mjafton të shikosh akuzën çuar ndaj kryebashkiakut, bashkëshortes së tij e bashkëpunëtorëve të tij dhe në asnjë rresht nuk shikon që t’i jetë bërë veting për shpenzimet që ka pasur Erion Veliaj, për udhëtimet, për shembull.

Ai rezulton, sipas deklarimeve të Ermal Abules, se ka qenë në Japoni me këtë të fundit së bashku me bashkëshorten, shpenzime që nuk janë deklaruar gjëkundi dhe SPAK-u nuk i ka hetuar se çfarë janë këto të ardhura.

Që të bësh veting duhet t’ia kontrollojnë Erion Veliajt pushimet.

Ku i ka kaluar pushimet? Sa kanë kushtuar? Dhe nuk duket që të ketë në deklarimet e kryetarit të bashkisë te deklarimi i pasurive se ku i ka bërë ato? Në Turqi, në Itali, në Spanjë apo kudo ku ka qenë dhe sa kanë kushtuar dhe po t’i mbledhësh nuk janë pak, janë me mijëra e mijëra euro.

Mjafton t’i shihni pushimet e udhëtimet dhe të kuptoni që kishte filluar një veting, por kjo nuk ka ndodhur. Çfarë të ardhurash të tjera ka Erion Veliaj, që shkojnë për shpenzimet familjare, për kopshtet, për shkollën, për makinën?

Cili është burimi i tyre, përtej të ardhurave të Ajolës nëpërmjet “Merimangës”, OJF-ve?

Ky do të ishte t’i bëhej veting Erion Veliajt.

Sa ka kushtuar mobilimi i shtëpisë? I një apartamenti që në fakt ishte thuajse një vilë me tri kate, qindra mijëra euro, asnjë lek apo çfarë? Edhe këto janë të padeklaruara. Sa kanë kushtuar mobilimet e zyrave të Ajolës? Sepse të dy janë subjekt i deklarimit të pasurisë.

Kjo është t’i bësh veting Erion Veliajt.

Altin Dumani dhe Ols Dado nuk i kanë bërë veting Erion Veliajt

Ndoshta tani është koha që deri në datën 24 shtator, siç kanë kërkuar dhe avokatët e kryebashkiakut të Tiranës, t’i bëhet një veting i vërtetë pasuror si ai që u është bërë gjyqtarëve dhe prokurorëve, si ai veting që solli reformën në drejtësi të cilën e ka votuar dhe Erion Veliaj dhe e ka kërkuar.

Prokurorët tashmë pas deklarimeve të djeshme të Erion Veliajt se atij i është bërë një veting 21-vjeçar e kanë për detyrë ligjore t’ia bëjnë vetingun në atë dosje hetimore që kanë.

Le ta shohin pastaj si del vetingu i vërtetë i Erion Veliajt, pasi po të shohësh dosjen dhe ta lexosh në asnjë frazë, në asnjë pikë, në asnjë presje nuk ka një veting, por ka hetime për lidhje të fakteve, lidhjet me bizneset, me bashkëpunëtorët, përfitimet e të tjerë.

Asgjëkundi nuk gjen një rresht të vetëm t’u jetë bërë një veting që t’i kalohet në skaner gjithçka se ndoshta siç ka 850 mijë euro blerje, veshje Ajola Xoxa nuk e dimë sa ka Erioni me rrogën e kryetarit të bashkisë.

Në qoftë se “vetingohet” nga A te, Zh, Erion Veliaj ndoshta ato që kanë dosjet hetimore janë një pikë uji në oqean.

Ndaj Ols Dado, ndaj Altin Dumani, duhet t’i bëjnë veting Erion Veliajt, për të na treguar që janë vërtet prokurorë me integritet dhe nuk e kanë mbështetur dhe nuk e kanë ndihmuar Erion Veliajn.

Përtej sulmeve që ka bërë kryetari i Bashkisë së Tiranës, përtej sulmeve që kanë bërë mediat e tij, përtej sulmeve që kanë për SPAK-un dhe prokurorët duhet të na tregojnë vërtet se Erion Veliajt i bënë veting dhe nuk e kanë toleruar apo sikundër lart e poshtë mund të akuzohet se ky është një tolerim, një shkelje e ligjit nga prokurorët.

Pse nuk ia bëjnë vetingun? Pse nuk i bëjnë hetim pasuror të plotë?

Pa folur pastaj për ta hetuar si një grup i strukturuar kriminal siç ka shkruar në vendimin e tij gjyqtari i Apelit, Engert Pëllumbi.

Le më pastaj ky që pretendon se i është bërë vetingu, që nuk i është bërë asgjë të hetohej ashtu siç duhet edhe për inceneratorin që nuk ekziston në kryeqytet.

Kjo është e vërteta e vetingut të Erion Veliajt./ CNA





Lajmet e fundit nga