LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kush dhe pse po flet për inceneratorët?

15 Dhjetor 2022, 13:41, Editorial CNA

Kush dhe pse po flet për inceneratorët?

Afera e inceneratorëve është një skandal korruptiv, i një grupi individësh, të cilët kanë mundur të sigurojnë përfitime me miliona euro nga taksat e shqiptarëve.

Le të shohim ata që flasin sot për inceneratorët, ata që nuk kanë folur në këto 7 vite, përkundrazi, kudo ku kanë punuar janë paguar nga paratë e inceneratorëve, dhe kur CNA, “Birn” apo “TPZ” denonconin aferat korruptive që në vitin 2015-2016, këta që flasin sot heshtnin dhe prodhonin lajme e kronika, se sa të lumtur do të ishim me korrupsionin e inceneratorëve të qeverisë.

Kur CNA, akuzonte Ramën, Agaçin, Ahmetajn, Gjiknurin, këta të sotmit ishin thjeshtë dhe vetëm patronazhistët e Rilindjes në pushtet.

Le të shohim disa fakte.

Shumë po heshtin sot, pas daljes së disa dokumenteve për Arben Ahmetajn, shumica po heshtin jo sepse kanë hallin e “Tigrit të Rilindjes”, por sepse kanë kuptuar se dirigjenti i këtyre skenareve të sotme mediatike është Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, mediat dhe gazetarët e blerë prej tyre si dhe avokatët që i mbrojnë.

Është grupi i inceneratorëve, ata që janë brenda dhe ata që janë jashtë, të cilët së fundmi kanë shantazhuar prokurorët dhe me një kod të pastër mafioz, kanë thënë se “po u mbytëm ne do t’iu marrim edhe ju me vete”.

Nuk folën 7 vite për inceneratorët dhe u kujtuan tani të flasin, dhe jo për të gjithë kauzën dhe aferën korruptive, por kanë drejtuar gishtin duke thënë, se jo të gjithë janë në burg, kërkojnë dhe të tjerë. SPAK-u e tha publikisht në njoftimin e tij, Engjëll Agaçi, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, janë nën hetim. Pra, ky institucion nuk ka fshehur asgjë.

Kush i nxjerr dokumentet?

Ose rrjedhin nga SPAK-u, ose i nxjerr Klod Zotoja dhe Mirel Mërtiri.

Kush dhe pse po flet për inceneratorët?

Do të ishte më e ndershme që këta djemtë në kërkim të mos harxhonin para kot me skenarë foshnjarakë, mjafton t’i mblidhnin dokumentet që kanë dhe t’ia çonin SPAK-ut në zarf, për çdo zyrtar të shtetit, që nga Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Engjëll Agaçin dhe tek ata që kanë frikë t’ua përmendin emrin: Erion Veliaj dhe Edi Rama.

Nuk është luftë me korrupsionin, tundja e letrave pa u botuar në media dhe shantazhi ndaj prokurorëve, në rast se kanë prova, fakte, mjafton të mbushin dosjet dhe Mirel Mërtiri të shkojë të rrëfehet dhe të bëhet bashkëpunëtori i drejtësisë.

Në rast se nuk e bën dot, vetëm të marrë dhe Klodian Zoton e t’u thotë prokurorëve të SPAK-ut, se si ndërtuan skenarin dhe realizuan aferën e inceneratorëve, duke përdorur kastën politike të Rilindjes.

Këta filmat vizatimorë me betejë kundër korrupsionit, duke shantazhuar prokurorët dhe krijuar alibi për të marrë strehim politik edhe duke keqpërdorur gazetarët, nuk zgjidhin asgjë. Për dikë që ka dy pare mend e vërteta është thjeshtë e kuptueshme.

Kush i ka letrat që ende sjanë publike?

Gazetari? Mireli? Klodi? SPAK-u? Kushdo që i ka t’i nxjerrë të gjitha, jo të ndërtojnë filma, gjoja për aferë korruptive për t’i luftuar inceneratorët, kur në fakt u shërbejnë atyre 100%.

Prandaj heshtin shumica e gazetarëve dhe mediave që kanë denoncuar inceneratorët, se ky është një film i neveritshëm gjoja në emër të luftës kundër korrupsionit, që i shërben një afere korruptive.

Tani do të shikojmë propagandë nga patronazhistët e Rilindjes në media që nuk kanë thënë një fjalë në këto 7 vite, do na thonë sa fort dhe bukur ata po luftojnë për inceneratorët, në fakt po luftojnë për interesat e Mirel Mërtirit, Klodian Zotos, Stela Gugalles grupit të inceneratorëve dhe kundër prokurorëve.

Gënjeshtra mediatike është një krim dyfish më i madh sesa paratë që kanë marrë inceneratorët dhe shantazhi që po u bëhet prokurorëve. Afera e inceneratorëve është më e madhe sesa duket, ende nuk është hapur dosja “Tirana”.

Jemi tek Elbasani që ka shkuar në gjykim dhe në Fier, Tirana, kapaku i kësaj pusete ende nuk është hapur. Inceneratorët, sipas SPAK-ut, kanë akuza mjaft të rënda, korrupsion, evazion, pastrimin e produkteve të veprës penale, të gjitha këto të bëra në bashkëpunim dhe SPAK-u, u sulmua 48 orë përpara se të çonte në gjykim çështjen.

Kush dhe pse po flet për inceneratorët?

Dirigjenti i jashtëm ka një emër, e ka emrin Klodian Zoto, Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe grupi i inceneratorëve, avokatët e tyre, të cilët u hodhën një kockë qenve mediatikë që ata i paguajnë dhe filluan kronikat pafund, a thua mediat e paguara nga inceneratorët, po sulmonin inceneratorët.

Jo, nuk është kjo e vërteta!

E vërteta është se i gjithë skenari, ka pasur dhe ka një qëllim. Që Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja, këto materiale, të publikuara në media, t’i përdorin për të marrë strehim politik në Austri, me argumentin se ata janë hetuar dhe kërkuar nga SPAK-u, ndërsa Arben Ahmetaj si ish-zëvendëskryeministër, nuk hetohet në SPAK, duke goditur kështu sistemin e drejtësisë, duke e përdorur politikisht, për të garantuar një strehim politik të mundshëm.

Kush dhe pse po flet për inceneratorët?

Kjo është e gjithë skema, mediat që u paguan nga inceneratorët, nuk po bëjnë propagandë kundër tyre, por po ju shërbejnë me devotshmëri për të tjera qëllime.

Ka dhe një pikëpyetje SPAK-u renditi 4 ministri dhe deri te kryeministria.

Mediat e paguara nga inceneratorët, nuk e përmendin Engjëll Agaçin, nuk e përmendin Damian Gjiknurin, patronazhistët mediatikë të Rilindjes, nuk thonë asnjë fjalë për inceneratorin e Tiranës, për kryebashkiakun Veliaj, për kryeministrin Edi Rama, por janë të fokusuar dhe i janë drejtuar një tabeleje qitjeje, me tri qëllimet që theksuam më lart.

Kush dhe pse po flet për inceneratorët?

Prandaj dhe shumica e gazetarëve që kanë folur për inceneratorët, po heshtin, askush nuk merr në mbrojtje Arben Ahmetajn, sepse kur e kemi akuzuar ne, e mbronin ata që po e sulmojnë sot, por dhe gazetari më naiv e kupton se kjo furtunë e ngritur tani, në ekranet e paguara nga inceneratorët, ka nga pas skenaristë ata që janë pronarë të inceneratorëve, që i kanë paguar këto media dhe që kërkojnë të mashtrojnë shqiptarët, se gjoja po i luftojnë këta inceneratorët tani.

Por në fakt nuk është betejë mediatike me aferën e inceneratorëve, por është aferë mediatike në interes të grupit që ka ideuar, organizuar dhe zbatuar gjithë skemën e vjedhjeve, abuzimit dhe korrupsionin, të cilët kërkojnë ta kalojnë me thjeshtë dhe vetëm evazion fiskal.

Mediat e inceneratorëve, pas krimit që bënë duke marrë para nga inceneratorët, tani po bëjnë krimin e dytë, duke gënjyer shqiptarët, për t’i shërbyer sërish kauzës të tyre finale.

“Ne u shërbejmë atyre, ata na paguajnë” .

Prandaj e vërteta është ndryshe nga ajo që thuhet, nga propaganda e mediave të paguara nga inceneratorët dhe të dirigjuara nga Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja & CO./CNA.al

Lajmet e fundit nga