LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Vazhdon skandali me Urgjencën e Kardiologjisë

31 Mars 2024, 11:53, Denoncim CNA
Vazhdon skandali me Urgjencën e Kardiologjisë

Pak javë më parë u dogj Urgjenca e Kardiologjisë, por këto pak javë tashmë janë bërë 8 të plota, rreth dy muaj. Pas rreth 2 muajsh shqiptarët, pacientët duhet të rropaten, të vuajnë rrugëve.

Nga urgjenca e QSUT-së të shkojnë te Urgjenca e Sanatoriumit, ku në fakt është një urgjencë për 10 apo 15 shtretër.

Çdo kohë aty gjen rreth 100 pacientë, ku hemodinamika apo pacientët me problemet e zemrës dhe të tjerë duhet të presin dhe të jenë si në kohën e Coronavirusit.

Bingo, ky do jetojë apo ky nuk do jetojë dhe kjo jo për faj të mjekëve. E gjithë përgjegjësia është e zyrtarëve të QSUT-së, e gjithë përgjegjësia është e ministres së Shëndetësisë.

Justifikimi i dhënë nga autoritetet dhe nga burimet zyrtare që iu referuan CNA-së thanë se, ka qenë Prokuroria që pengon rikthimin në normalitet të urgjencës së Kardiologjisë dhe hemodinamikës.

Në fakt kjo është një gënjeshtër. Sipas të dhënave që CNA konfirmoi në Prokurori, kjo strukturë i ka kryer të gjitha procedurat.

Prokurori i çështjes ka kryer matjet, fotografimet, ekspertizën dhe pjesa ligjore, pra pjesa e hetimeve nga Prokuroria tashmë është mbyllur dhe nuk ka më nevojë për justifikime dhe argumenta se faji është i Prokurorisë, se pengon kjo e fundit e të tjerë si këto.

Në fakt mungon vullneti dhe kjo duket qartë.

Një qeveri e cila jepte në dhjetor të 2019-tës, 15 milionë euro për Porto Romanon për të hedhur beton dhe të për të hequr ca plehra, për t’i çuar tek inceneratorët, një qeveri e cila pranon se Bashkia e Tiranës firmos kontrata 60 milionë euro për dherat si taksë e dytë ndaj bizneseve të Tiranës, një qeveri e cila prokuron me miliona euro tendera sekret nëpërmjet AKSHI-t, një qeveri e cila kapet me ministra hajdutë, të cilët ndodhen pas prangave, kapet me drejtorë hajdutë, nuk gjen dot një fond një prokurim të drejtëpërdrejtë në nivelin e një emergjencë për jetët e njerëzve.

Është më emergjente se Covid ,se tërmeti, janë rreth qindra pacientë që për një pakujdesi dhe mungesën e kësaj urgjence mund të humbasin jetën, mund të mos jetojnë më, sepse qeveria vazhdon dhe broçkullit pas 8 javësh se qenka Prokuroria përgjegjëse.

Jo. Në fakt nga Prokuroria rezulton e kundërta. Mungon vullneti për t’i dhënë një zgjidhje problematikës, për të cilën një drejtoreshë iku, por edhe e dyta mesa duket po fle mbi dafina dhe patjetër dhe ministrja, e cila do të marrë përgjegjësitë dhe duhet t’i japë drejtim së bashku me kryeministrin për t’i dhënë një zgjidhje finale hemodinamikës dhe urgjencës së Kardiologjisë.

Sepse ndoshta do të presin të përfundojë në spital ndonjë familjar apo i afërm i kryeministrit, ministres apo ndonjë personi tjetër që të kuptojnë se çfarë skandali është duke ndodhur në Urgjencën e Kardiologjisë./ CNA

 

 

 

 

Lajmet e fundit nga