LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E vërteta e inceneratorëve/ Nga ndryshimi i pronarëve te vjedhja

7 Shkurt 2024, 11:42, Denoncim CNA

E vërteta e inceneratorëve/ Nga ndryshimi i pronarëve te vjedhja

Mbrëmjen e djeshme, gazetari Elvi Fundo nxori dokumente dhe foli për të vërtetën e inceneratorëve, një aferë që sa vjen dhe thellohet.

Fundo, në një intervistë me Adi Krastën, shpjegoi skemën e përdorur nga njerëzit e inceneratorëve me ndryshimin e aksionerëve, një veprim ky në shkelje të ligjit për shkak se kontrata koncesionare nuk lejon ndryshimin e tyre pa lejen e qeverisë shqiptare.

Ndryshimi i pronarëve

Ai tregoi se fillimisht aksionerë të kompanisë së inceneratorit të Tiranës ishin “Paul Wurth Italia”, “Energy Recuperator” dhe “Integrated Energy” dhe me largimin e dy të parave aksionet i mori “ITS”-ja e Klodian Zotos dhe “Integrated Energy”.

Më pas si aksioner u shtua Giuseppe Ciaffaglione dhe ky i fundit i shpërndau aksionet me shitje me kusht te “Franco Tosi Meccanica”, “Icare Holding” dhe “Geogenix”. Në fund, “Icare” e shqiptarit Blerim Hoxha dhe Christophe Darbord ka deklaruar se është tërhequr.

“Sipas të dhënave zyrare dhe me një dokument që ka dalë dje, inceneratori i Tiranës ka ndryshuar disa herë pronarë dhe kjo është një anë tjetër e shkeljes ligjore në Shqipëri. Këtu ka ardhur fillimisht kompania 'Paul Wurth'. Dokumenti i parë na tregon se kemi 3 kompani, 'Paul Wurth Italia', 'Energy Recuperator' dhe 'Integrated Energy' në themelimin e kontratës në vitin 2016. Me këtë dokument, këta zotërinjtë kanë marrë kontratën koncesionare 300 milionë euro, plus 128 milionë euro që duhet t’i investonin.

Pasi e kanë marrë këta njerëz, kompania 'Paul Wurth' ia kthen aksionet Klodian Zotos, 'ITS'-së, pas 6 muajsh. Pastaj ikën dhe 'Energy Recuperator' dhe ia jep 'ITS'-së dhe 'Integrated Energy'. Në fillim kompania kishte një kusht, duhet të kishte 300 milionë euro në qarkullim. Është marrë 'Paul Wurth', është vënë si emër, është marrë koncesioni, pastaj është hequr.

Në fund është bërë aksioner Giuseppe Ciaffaglione, i cili e bleu për 465 mijë euro me lekë me të pritur, me një rrogë 6 mijë euro në muaj dhe kaldajisti nga Italia bëhet pronar i një kontrate koncesionare gjysmë miliardi euro që më pas me punën spektakolare të bashkisë shkon dhe fryhet më shumë.

Ciaffaglione në 10 maj 2022 i shpërndan aksionet, prapë me 40%, por një shitje me kusht. Nëse në herët e para nuk kishte kusht, këtu ka një kusht. Shfaqen 3 kompani, 'Franco Tosi Meccanica', 'Icare Holding' dhe 'Geogenix' që ngelet me 20%. Kjo kontratë ka një pikë, ku thuhet 9 vite. Pra, për 9 vite dhe këto kompanitë kishin ardhur për të siguruar financimin.

Cila është shkelja e ligjit?

Janë shitur 3 herë aksionerët, duhet të merrej leje në qeverinë shqiptare. Nuk është dhënë leja, e kam zyrtarisht të konfirmuar sepse duhet t’i ndërrojë aksionerët bija dhe jo mëma.

Dhe në fund është kontrata që tregon se kush janë aksionerët e vërtetë. Mërtiri nëpërmjet Ciaffaglione-s ka mbetur 20%, e kështu me radhë. Njëra nga kompanitë dje na njoftoi se ishte larguar nga investimi.

Një dokument i 9 dhjetorit 2022 që kompania e drejton në SHBA, Ethos, e zotit Carlo Santos. Kompania 'Icare' ka një takim në 9 shtator 2022, që përfaqësohet nga Christophe Darbord dhe Blerim Hoxha. Kur kam gjetur këtë dokument hyra në QKB dhe më dolën që këta persona kishin marrë ARMO-n në Shqipëri. Lidhja me inceneratorin është se këta persona janë aksionerë me 40% tek inceneratori i Tiranës. Ata kishin sjellë një kompani ruse në Shqipëri, Gunvor, kanë blerë disa depozita nafte këtu. Zoti Hoxha ka reaguar dhe ka thënë që nuk kemi lidhje, por zoti Hoxha del se ka shkuar në takim si përfaqësues.

E vërteta e inceneratorëve/ Nga ndryshimi i pronarëve te vjedhja

Këta i bëjnë një letër kompanisë në SHBA, Ethos, ku i kërkojnë në datën 9 dhjetor 100 milionë euroshin. Carlos Santos është denoncuar nga Belind Këlliçi dy javë më parë, është arrestuar në nëntor. Dhe rastësisht sipas pretendimeve të kompanisë 'Icare' në nëntor apo dhjetor është tërhequr se nuk ka siguruar dot paratë. Hyrja dhe dalja është e paligjshme se qeveria shqiptare duhet të jepte miratimin dhe është mashtrim sepse nuk ka pasur para për të bërë investimin”, u shpreh ai, ndërsa deklaroi se dokumentet për këto ndryshime i ka dorëzuar në SPAK.

Mediat e Rilindjes, të paguara nga inceneratorët

Më tej, gazetari u ndal te mediat e Rilindjes, të cilat janë paguar nga inceneratorët dhe sulmojnë personat që kryejnë denoncime.

Një rast i tillë, Fundo tha se ishte ai i anëtarit të Kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi, i cili u kërcënua në emision nga Baton Haxhiu.

Gjithashtu, ai përmendi Carlo Bollino-n dhe mediat e tjera të paguara nga inceneratorët me thasë me para, me pretekstin e reklamave.

“‘Mercenari’ i Rilindjes (Baton Haxhiu) në mënyrë kriminale ka kërcënuar një qytetar të lirë, një ish-deputet, një ish-kandidat për kryetar bashkie, sepse ai nxori me fakte dhe dokumente atë që unë kam nxjerrë këtu në studion tënde. Afërsisht dy vite më parë, ne kemi nxjerrë dokumentet kush ka marrë para nga inceneratorët dhe pse. Midis tyre ka qenë dhe zotëria në fjalë, i cili e ka mohuar. Ashtu e ka mohuar edhe Carlo Bollino, por na rezulton një fakt. Këta i kanë marrë të gjithë paratë gjatë kohës së zgjedhjeve, gjatë 6-mujorit të parë të 2021-shit.

Këta kanë marrë… nga 4-5 mijë euro ka marrë Baton Haxhiu dhe 10 mijë thotë Carlo-ja, i cili thotë e kemi shtuar faturën se kemi fushatën. Dhe nga ana tjetër, për çfarë duhej një kompani monopoliste, një kazan plehrash, të bënte reklamë në fushatë zgjedhore?

Dhe e fundit, për çfarë duhet t’i merrte Batoni, tha kështu bëhet biznesi, kam marrë nga një kompani reklamash. Nuk është e vërtetë, ajo është me vulën e ‘Albanian Post’-it dhe e vërteta është se këto janë para të shpërndara nga Matilda Terpollari, e cila ka qenë çelësi i shpërndarjes së parave në media. Në dijeninë time, në komunikimet që kanë pasur me media të ndryshme janë shpërndarë para edhe me thasë”, deklaroi ai.

Taksa për ndërtuesit

Një tjetër skemë e denoncuar nga Fundo ishte ajo e dherave. Ai tregoi se Policia Bashkiake, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Drejtoria e Punëve Publike në Bashki kanë firmosur një kontratë koncesionare me inceneratorin e Tiranës.

Si rrjedhojë, ndërtuesve u është shtuar taksa për inceneratorin, që i detyron të paguajnë 4 euro për 1 m³ dhera të pastra dhe 8 euro për 1 m³ dhera të përziera.

“Unë kam një dokument, një marrëveshje bashkëpunimi e shoqërisë së inceneratorit të Tiranës, ku firmos Giuseppe Ciaffaglione dhe policia bashkiake, Ermal Kapllani, zoti Taulant Tusha dhe Evisjon Salku, inspektor i mjedisit dhe ujërave të turizmit, Tiranë. Këta kanë bërë kontratë në datën 15 tetor të 2018-ës. Çfarë ka ndodhur me këtë kontratë? 
Shumë ndërtues, nën zë, në tavolina, t’i tregojnë të gjitha, por ata kanë frikë se kanë taksa, kanë leje ndërtimi, por çfarë më thotë njëri prej tyre, i majtë. Më thotë që ne paguajmë taksë pastrimi, taksë speciale për shkollën, taksë infrastrukture dhe na është vënë një taksë e re, taksë inceneratori. Më tha që 1 m³ dhera merret me 4 euro m³, 1 m³ mbetje të përziera janë 8 euro m³ dhe ti me mjetet e tua, me kostot e tua, më naftën tënde, me shoferin tënd duhet ta çosh atje në radhë. Ndërkohë që kjo kosto rrit ndërtimin, e paguan qytetari që blen apartamentin.
Merr 10 m³, në 6-7 vite afërsisht unë di që Erion Veliaj ka dhënë 5 milionë m³ ndërtim. Po ta llogarisim me 10 euro, këta thonë 10-15, por po e marr minimumin, janë rreth 50, mund të jenë edhe më shumë”, u shpreh ai.

Kontrolli i ndërtuesve me dronë

Gjithashtu, Fundo deklaroi se policia bashkiake ka ngritur dronët për të kontrolluar ndërtuesit.

Ata që mund të kenë dy kantiere ndërtimi nuk lejohen të kalojnë dhera nga njëra gropë në një tjetër, por kamionin me dhera fillimisht duhet ta zbrazin tek inceneratori i Tiranës ku duhet të paguajë, dhe ta rimbushë atje kamionin, sërish duke paguar para.

“Ja një rast tjetër që është shumë flagrant. Ngriheshin dronët e policisë bashkiake dhe thoshin pse shkon ti me kamion nga pika A në pikën B. Sepse ka ndërtues që ndërtojnë dy objekte njëherësh dhe ai i merrte dherat e mira nga pika A dhe i çonte te pika B. Policia i thoshte shko tek inceneratori, shkarkohu njëherë, paguaj lekët atje, pastaj shko ringarkohu me lekë. E kanë bërë pafund. Kanë bërë dhe një gjë tjetër, ka nga ata që kanë shkuar e kanë takuar Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin dhe i kanë pyetur sa duhet të derdh unë për gropën time se këtë dheun e kam të mirë dhe më duhet për atje. 100 mijë euro ka thënë ai, na jep një 50-she ne, sill nja 5-10 kamionë se na duhen ne dhe lekët tjera i ke fitim dhe këto janë paguar me çanta”, theksoi ai.

Thirrja për SPAK-un

Në fund, gazetari bëri edhe një thirrje për prokurorët e posaçëm, të cilëve u kërkoi të çojnë deri në fund çështjen e inceneratorëve, duke ndëshkuar çdo person të përfshirë.

“Për mua kjo histori nuk ka kapak, inkurajoj prokurorët ta çojnë deri në fund. Është Erion Veliaj, është Elvi Fundo, kush është në atë histori, t’i shkojnë deri në fund. Të mos na tregojnë barcoleta me tigra me mace se nuk i beson njeri këto. Dhe sikur ta mbyllë ky zotëria sot, nesër një vullnet tjetër politik, me gjithë këto dokumente e rihap atë dosje dhe unë besoj se do të jetë sërish dosja më e madhe historike dhe korrupsioni më i madh që ka ndodhur në 30 vite”, theksoi Elvi Fundo./ CNA

Lajmet e fundit nga