web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Zbulohet deputeti i dosjes “5D”

15 Maj 2024, 13:21, Aktualitet CNA

Dosja “5D” është një nga ato hetimet e suksesshme të SPAK-ut që ka vendosur në pranga disa drejtorë të Bashkisë së Tiranës. Disa të tjerë janë në detyrim paraqitje, të tjerë janë të lirë në hetim, disa priten të arrestohen, disa të tjerëve po u hetohen pasuritë e kështu me radhë.

Hetimet dhe sulmi ndaj prokurorëve

Një hetim spektakolar i bërë nga prokurori Klodian Braho, i cili u sulmua në mënyrë mafioze në muajin dhjetor nga “truri” i inceneratorëve, Mirel Mërtiri, në një dalje të tij televizive. Ky sulm ishte pikërisht për të ndalur dosjen “5D” për interesat e Bashkisë së Tiranës, pasi prokurori Braho kishte mbyllur gjithçka me inceneratorët. (Lexo këtu)

Zbulohet deputeti i dosjes “5D”
“Truri” i inceneratorëve, Mirel Mërtiri

Më pas, zbulohet se drejtorët e arrestuar, pra dosja “5D”, nuk ka vetëm dhe thjeshtë disa zyrtarë të korruptuar që merrnin tenderët apo kryenin punimet e subjekteve private me punonjësit e bashkisë, por ka edhe përfaqësues të rëndësishëm politikë e mbrojtës dhe i vetmi nuk është Veliaj.

Deputeti i dosjes “5D” dirigjon skenarë anti-SPAK

Fatmir Xhafaj është deputeti i dosjes “5D”, mjafton një analizë e thjeshtë politike, renditje e fakteve dhe provave për të treguar se si njeriu që e quante veten “babai” i Reformës në Drejtësi tani është katandisur në mbrojtësin publik të një grupi hajdutësh dhe është hedhur në sulm ndaj SPAK-ut.

Xhafaj përplaset me Ramën për “Babalen”

Fatmir Xhafaj dha dorëheqjen nga posti si ministër i Brendshëm, në 27 tetor të 2018-ës, pas shpërthimit të dosjes “Babale”. Vëllai i tij qe një trafikant ndërkombëtar, i cili kërkohej nga Italia, por fshihej në Shqipëri me emër të ndryshuar. Edhe pse një pjesë e madhe e dosjes, përgjimesh, është e manipuluar dhe këtë CNA e ka theksuar shpesh, e vërteta ishte se vëllai i Fatmir Xhafajt qëndronte i lirë në Vlorë dhe më pas e dorëzoi. Kjo ishte trimëria më e madhe që ai bëri dhe më pas dha dorëheqjen nga ministri i Brendshëm.

Zbulohet deputeti i dosjes “5D”
Fatmir Xhafaj

Afrojnë zgjedhjet e 2021-shit dhe Edi Rama nuk e vendos në listë Fatmir Xhafajn, pikërisht për shkak të përplasjeve që kishte pasur me ish-ministrin e tij, i cili sulmonte kryeministrin duke theksuar se ai nuk e kishte mbrojtur, nuk i kishte dalë në krah. Partia Socialiste nuk kishte bërë detyrën në rastin e Xhafajt, pasi ai ishte i pafajshëm, duhet të qëndronte në detyrë e të tjera me radhë. (Lexo këtu)

Por edhe pse u largua si ministër, Xhafaj qëndronte i fuqishëm, duke theksuar se kishte lidhje të forta me amerikanët dhe sulmonte ashpër kryeministrin me intrigat e tij politike nëpër dyer ambasadash.

Zbulohet deputeti i dosjes “5D”
Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama

Veliaj fut në listë Xhafajn

Në vitin 2021, Rama nuk e vendosi në listë, është ndërhyrja e Erion Veliajt që më pas e rikthen Xhafajn dhe e rendit të 23-in në listë, në një pjesë jofituese. 

Pse e ktheu dhe pse ndërhyri Erion Veliaj?

Zbulohet deputeti i dosjes “5D”
Erion Veliaj dhe Fatmir Xhafaj

Veliaj ndërhyri sepse prej disa vitesh kishte drejtor të Urbanistikës Ditjon Baboçin, dhëndrin e Fatmir Xhafajt. Lidhja ishte bërë e fortë. Kryebashkiaku i Tiranës i kishte marrë ish-ministrit të Brendshëm dhëndrin, duke e vënë në një nga postet më të rëndësishme në kryeqytet, në krye të Drejtorisë së Urbanistikës, aty ku janë dhënë me qindra apo mijëra leje ndërtimi, aty ku është betonizuar dhe kullëzuar Tirana dhe shumë prej tyre kanë kaluar nga Ditjon Baboçi.

Bashkëpunimi i Baboçit me Veliajn ka qenë spektakolar dhe normalisht diçka ia dinë mjaft mirë njëri-tjetrit. Kështu që Veliaj detyrohet për shkak të bashkëpunimit me Baboçin dhe mbështetjes që i kishte dhënë Fatmir Xhafaj, t’i kërkonte Ramës vendosjen në listë të ish-ministrit, qoftë edhe jashtë listës fituese. Dhe kështu ndodh, Xhafaj vendoset në zonën jofituese, një gjë që Ramës nuk i interesonte shumë. (Lexo këtu)

Drejtorët e Veliajt (DOSJA “5D”), në fushatë për Fatmir Xhafajn

Në fakt, Xhafaj ka një makineri elektorale nga pas, nuk e ka të tijën, është makineria elektorale e PS-së, janë 11,700 punonjës në Bashkinë e Tiranës dhe lista për të thyer herësin donte 10 mijë vota.

Këta gati 12 mijë punonjës, së bashku me familjarët e tyre, së bashku me rrethet shoqërore, patronazhimin, bëjnë rreth 50 apo 60 mijë vota në Tiranë.

Me porosi të Erion Veliajt dhe me mbështetje të veçantë të Taulant Tushës, të Mariglen Qatos, të Redi Mollës, të Ditjon Baboçit, të Ermal Kapllanajt, të Elton Kacidhes, etj. të gjithë drejtorëve dhe njerëzve të besuar të Veliajt, që siç e theksuam më lart fillon puna për Xhafajn deputet fitues. (Lexo këtu)

Zbulohet deputeti i dosjes “5D”
Fotomontazh - Mariglen Qato, Taulant Tusha dhe Redi Molla

Një pjesë e tyre ndodhen në pranga, një pjesë janë në hetim, një pjesë pritet të arrestohen për bëma dhe gjëma, të gjithë u vërsulën në fushatë për Fatmir Xhafajn, 24 orë në ditë.

Edhe dosja “5D” punonte për Xhafajn, pasi këta janë drejtorët e dosjes “5D”. Pra, dosja “5D”, drejtorët e Erion Veliajt, 5, 7 apo 17 ishin në terren 24 orë në ditë gjatë gjithë fushatës për të nxjerrë Fatmir Xhafajn deputet. Në fakt duhet nënvizuar se Xhafaj nuk është se s’ka histori në PS, nuk është se nuk do të siguronte disa vota nga socialistët, por për shkak të vendosjes nga Rama në fund të listës mund të mos ishte më deputet.

Fatmir Xhafaj, në mbrojtje të hajdutëve të Veliajt

Zbulohet deputeti i dosjes “5D”
Erion Veliaj dhe Fatmir Xhafaj

Ishte ndërhyrja e ashpër e drejtorëve të Veliajt, e vetë kryebashkiakut të Tiranës, të cilët e nxorën Fatmir Xhafajn deputet, duke punuar fort për shumë arsye.

Drejtorët punonin për njeriun që do ta kishin në krah që t’i mbronte nesër kur t’i pëlcisnin sandalet, ashtu siç po ndodh sot. Koha e faktoi.

Pasi është larguar nga detyra si ministër i Brendshëm në vitin 2018, deri një javë më parë, Fatmir Xhafaj nuk kishte folur në Parlament, ose mund të ketë folur një herë dhe doli, foli e mori në mbrojtje hajdutët e Erion Veliajt, ata që e bënë deputet në vitin 2021.

Komisioni anti-SPAK dhe hallet e Xhafajt

Zbulohet deputeti i dosjes “5D”
Fotomontazh - Ditjon Baboçi, Fatmir Xhafaj dhe Erion Veliaj

Faktet tashmë janë të qarta dhe janë të zbardhura. Përveç halleve të Ditjon Baboçit, detyrimit që kishte ndaj drejtorëve të Veliajt që e bënë sërish deputet, marrëdhënia me kryebashkiakun e Tiranës, kanë bërë që Fatmir Xhafaj të rikthehet e të flasë pas 5 apo 6 vjetësh dhe të marrë në mbrojtje një tufë me hajdutë dhe të fillojë luftën ndaj SPAK-ut.

Kjo është arsyeja, siç CNA e ka përsëritur shpesh, se përse Fatmir Xhafaj sulmon SPAK-un dhe institucionet e drejtësisë. Sepse po hetojnë hajdutëritë e Bashkisë së Tiranës dhe kanë prangosur zyrtarët kryesorë të këtij institucioni, të cilët në fakt kanë qenë bashkëpunëtorët kryesorë të Fatmir Xhafajt dhe Erion Veliajt për ta nxjerrë Xhafajn deputet në vitin 2021 dhe tani ky i fundit thjesht dhe vetëm po kthen borxhin ndaj tufës së hajdutëve./ CNA





Lajmet e fundit nga