web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Video në Zvicër/Rama: Pas 20 vitesh, s'ka bir nëne a bir k... të më gjejë 1 qindarkë të fituar pandershmërisht

16 Qershor 2026, 10:31, Aktualitet CNA

Video në Zvicër/Rama: Pas 20 vitesh, s'ka bir nëne a bir

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas një videoje të shpërndarë nga ish-shefi i Policisë Vlorë, Dritan Zagani, ku Rama shfaqej në Zvicër së bashku me bashkëshorten e tij.

Në një reagim të bërë në platformën "X", Rama shkruan se në thuajse tri dekada ai dhe familja e tij nuk kanë udhëtuar kurrë privatisht me lekët e shtetit.

Sa i përket videos së publikuar, Rama sqaron se ka qenë në Zvicër i ftuar privatisht nga ArtBasel për panairin e galerive më prestigjioze të artit në botë.

Më tej në reagimin e bërë Rama thotë se fjalia e thënë rreth 20 vite më parë se s'ka bir nëne a bir k*rve që t’i gjejë atij një qindarkë të fituar me punë të pandershme vijon të jetë aktuale edhe sot.

 

Reagimi i Ramës

 

Qenka shpërndarë një video ku dikush më paska kapur mat duke pirë ujë në Basel të Zvicrës me shpenzimet e shtetit..

Në thuajse tre dekada shërbim publik unë kurrë nuk kam udhëtuar privatisht me lekët e shtetit dhe e njëjta gjë vlen edhe për familjen time.

Në 13 vjet në detyrën e kryeministrit unë dhe familja ime kurrë nuk kemi shkuar me pushime jashtë shtetit.

Në Zvicër isha i ftuar privatisht nga ArtBasel, panairi i përvitshëm i galerive më prestigjoze të artit në botë, ku janë prezantuar edhe vepra të miat. Kemi udhëtuar dhe qëndruar një ditë e gjysëm me bashkëshorten, si gjithnjë në këto raste plotësisht me shpenzimet tona.

Por ky është një rast i mirë në kohën e duhur, për të vënë një pikë të qartë mbi “i”:

Rreth njëzetë vite më parë, kur nuk më ishte regjur ende lëkura me baltën e shpifjeve e të akuzave pa hesap, pata vënë kujën publikisht duke thënë që “s’ka bir nëne a bir k…, që të gjejë në xhepin tim një qindarkë që s’është fituar me punë të ndershme”!

Sot, dy dekada më vonë, nuk jam më natyrisht ai 40 vjeçari i pamësuar ende me qenërinë e arenës plot baltë të jetës politike, i cili humbte gjumin nga plagët përvëluese të shpifjeve dhe akuzave kriminale.

Por e them me krenari, se ajo fjali e lëshuar asokohe nga dhimbja e nga ndjenja e turpit përpara njerëzve të mi dhe të gjithë atyre që më kishin besuar drejtimin e Tiranës, qëndron 100% e paprekshme në përmbajtjen e saj edhe sot, përballë të gjithë atyre që më kanë besuar drejtimin e Shqipërisë.

Dhe mos e harroni asnjëherë:

Kush shpif apo akuzon pa prova kundër jush, ose e ka bërë vetë atë për të cilën ju akuzon ose do ta bënte po të ishte në vendin tuaj, prandaj edhe gjelozia apo urrejtja ose të dyja bashkë e bëjnë t’i besojë çdo maskarallëku që nxjerr nga goja.

Kur shoh se si bota ku jetojmë është bërë gjithnjë e më shumë falë rrjeteve sociale, lëndina ku ferrat e pafundme të rrenës shumohen me shpejtësinë e klikimit, ndërsa lulet e së vërtetës mbyten rëndom nga ferrat, më shkon gjithnjë mendja tek Librat e Shenjtë, ku shpifësi shfaqet edhe më i keq se vrasësi.

 





Lajmet e fundit nga