web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Çfarë po ndodh me tensionet Turqi-Greqi, dhe cilat janë rrënjët e konfliktit

28 Korrik 2020, 06:35, Blog CNA

Nga Onur Ant & Paul Tugwell ?Bloomberg?

*Tensionet e vjetra midis aleatëve të NATO-s, Turqisë dhe Greqisë, janë ndezur sërish ditët e fundit, pasi qeveria e Ankarasë njoftoi dërgimin e një anijeje për të kryer shpime për qëllime studimi në ujërat e pretenduara nga të dyja vendet.

Tani për tani, asnjëra nuk duket e gatshme të nisë e para një përplasje të armatosur në detrat Mesdhe dhe Egje, gjë që do të kishte pasoja dramatike për të gjithë rajonin dhe më gjerë. Megjithatë, duke i vendosur marinat e tyre në gatishmëri, potenciali për përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës, është më se i dukshëm. Ja pse dy fqinjët kanë mbërritur deri në këtë pikë.

1. Cili është shkaku i sherrnajës më të fundit?

Turqia njoftoi më 21 korrik se do të dërgonte një anije, për të nisur shpimet në ujërat pranë një ishulli grek në qytetin jugor turk të Antalias. Greqia i konsideron disa nga zonat atje, si pjesë të ashtuquajturës shefi i saj kontinental Kastelorizo. Turqia e kundërshton këtë pretendim, duke u shprehur se ishulli është shumë i vogël, dhe mjaft larg pjesës kontinentale të Greqisë, për të pasur një pretendim të tillë.

2. A ka ndodhur diçka e ngjashme në të shkuarën?

Po. Turqia dhe Greqia mund të jenë vërtet fqinje dhe anëtare të Aleancës së Traktatit të Atlantikut të Veriut, por kjo gjë nuk i pengoi ato të mbërrinin deri në pragun e një lufte midis tyre në vitin 1996 për 2 ishuj më në veri, të banuara vetëm nga dhitë.

Me marinën turke që shoqëronte anijen ?Oruc Reis?, dhe homologët e tyre grekë të ankoruar vetëm disa milje më larg, ambienti është shumë i paparashikueshëm. Një përplasje ushtarake mes tyre, do të komplikonte më tej gjeopolitikën e Mesdheut Lindor, dhe ndoshta do të tërhiqte në konflikt edhe të tjerët, përfshirë Bashkimin Evropian dhe SHBA-në.

3. Cila është origjina e këtyre tensioneve?

Historia, nafta dhe gazi. Ankaraja dhe Athina, kanë pasur ndër shekuj mosmarrëveshje mbi shekuj që përfshijnë rënien e Bizantit, sundimin e Perandorisë Osmane mbi Greqinë, Luftën Greke të Pavarësisë nga perandoria që nisi në vitin 1821, dhe më vonë, betejat midis të dyve gjatë Luftës së Pavarësisë së Turqisë, që çoi në themelimin e Republikës Turke në vitin 1923.

Ato luftuan për herë të fundit kundër njëra-tjetrës në vitin 1974 në Qipro, të cilën Turqia e pushtoi pas një grushti shteti ushtarak në ishull të frymëzuar nga Junta e Kolonelëve në Athinë, e cila synonte të bashkonte Qipron me Greqinë.

Më së fundmi, Turqia dhe Greqia janë përplasur mbi çështjen e emigrantëve, dhe mbi shndërrimin në një xhami të kishës së Shën Sofisë në Stamboll. Zbulimi i rezervave të gazit natyror pranë Qipros, dhe perspektiva e rezervave më të mëdha në hidrokarbure, e ka shtuar hapësirën për grindje mbi sovranitetin e zonës.

Kjo ishte e dukshme që në nëntorin e vitit të shkuar, kur një marrëveshje detare të cilën Turqia e nënshkroi me qeverinë libiane të mbështetur nga OKB, bëri që Ankaraja të kërkojë të drejtat e saj për të shfrytëzuar një pjesë të detit në atë zonë, për të cilin Athina thotë se është greke sipas ligjit ndërkombëtar.

4. Çfarë tjetër është në lojë?

Të gjithë ujërat që ndajnë Turqinë me Greqinë. Për të justifikuar pretendimet e tyre, të dyja vendet mbështeten në argumente juridikisht të ndryshme. Ankaraja argumenton se shelfi kontinental i një vendi, duhet të matet që nga vija bregdetare kontinentale, dhe se zona në jug të ishullit grek – vetëm disa kilometra larg bregdetit të Turqisë Jugore – është brenda Zonës së saj Ekskluzive Ekonomike.

Ndërkohë Athina thotë se në përcaktimin e shelfit kontinental të një vendi, duhet të merren në konsideratë edhe ishujt, dhe kjo në përputhje me Ligjin e Detit të OKB-së, i jep asaj të drejtën e vetme për atë zonë, pavarësisht afërsisë së ishullit me Turqinë. Por Turqia nuk e ka firmosur ligjin në fjalë.

5. A do të ndërhyjë dikush për të ulur tensionet?

Në vitin 1996, ishte SHBA-ja ajo që ndërhyri për të penguar palët të shkonin drejt një lufte mbi ishujt që njihen si Imia në Greqi dhe Kardak në Turqi. Bashkimi Evropian, ku Greqia është anëtare dhe Turqia dëshiron të anëtarësohet, ka gjithashtu rolin e vet në situata të tilla. Por marrëdhëniet e Brukselit me Ankaranë janë dobësuar vitet e fundit, duke e dëmtuar kësisoj aftësinë e BE për të ndikuar tek vendimmarrësit turq. Kur nisin të grinden Turqia dhe Greqia, Rusia, e cila po përpiqet të jetë më aktive në Mesdheun Lindor, qëndron zakonisht larg telasheve./ Përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga