LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Vetting-u për Alfred Ballën/ Ja trupa gjykuese që “ka në dorë” kreun e KLP-së

29 Prill 2024, 09:22, Vetingu CNA
Vetting-u për Alfred Ballën/ Ja trupa gjykuese që “ka
Kryetari i KLP-së, Alfred Balla

Kryetari i KLP-së, Alfred Balla, do të dalë sot para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pas ankimimit të Komisionerit Publik për procesin e ndërprerë të vetting-ut.

Çështjen e Ballës do ta ketë në dorë ish-kryeprokurorja Ina Rama, e cila është kryesuese e trupës gjykuese.

Vetting-u për Alfred Ballën/ Ja trupa gjykuese që “ka
Ish-kryeprokurorja Ina Rama

Relatore për gjykimin e Ballës do të jetë Albana Shtylla, ndërsa anëtarë Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo.

Kjo trupë gjykuese do të vendosë për Alfred Ballën, i cili iu shmang vetting-ut me një sërë manovrash.

Ai shmangu transparencën dhe nuk kaloi në sitën e deklarimit të pasurisë (Pasuria e Alfred Ballës, kliko këtu), pastërtisë së figurës dhe aftësitë profesionale, ndonëse mban një post të rëndësishëm, siç është ai kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Balla duhej t'i nënshtrohej procesit të rivlerësimit duke qenë se ka punuar si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri në 31 korrik të vitit 2017.

Fillimisht ai kundërshtoi vetting-un me “email”-e, duke pretenduar "se një proces i tillë nuk është i nevojshëm për të, pasi nuk ka statusin e magjistratit si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë". Madje, Balla bëri edhe një padi në Gjykatën Administrative, duke thënë se ishte shkarkuar nga ky post.

Më tej, ai bëri edhe një kërkesë tjetër në KLGJ, për njohjen e statusit të Këshilltarit/Ndihmësit jomagjistrat pranë Gjykatës së Lartë.

Vetting-u për Alfred Ballën/ Ja trupa gjykuese që “ka
Alfred Balla

Vëzhguesit e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit kundërshtuan fuqishëm kërkesën e Ballës për të ndërprerë vetting-un për të.

Megjithatë, dy prej anëtareve në shumicë në KPK, kryesuesja Xhensila Pine dhe relatorja Alma Faskaj, vlerësuan se Balla nuk ishte më subjekt rivlerësimi dhe se procesi i tij duhej mbyllur pa vendim përfundimtar.

Pine dhe Faskaj arsyetuan se Balla nuk kishte dhënë dorëheqjen dhe se statusin e kishte humbur për shkak se ishte shkarkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë në korrik 2017.

Ata nuk vendosën as sanksionin që i ndalon emërimin në disa pozicione në sistemin e drejtësisë për 15 vjet, përfshi dhe funksionin që ai mban aktualisht, siç parashikohet nga ligji.

Komisioneri Publik, gjendur para një precedenti të tillë ankimoi vendimin e KPK-së dhe sot në orën 10:00 do të mbahet seanca e parë publike në KPA./ CNA

Lajmet e fundit nga