LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

KPA, 7 orë pyetje/ Kunata e Mirel Mërtirit kërkon të qëndrojë prokurore

17 Janar 2024, 19:22, Vetingu CNA

KPA, 7 orë pyetje/ Kunata e Mirel Mërtirit kërkon të

Për më shumë se 7 orë, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka marrë dje në pyetje kunatës së Mirel Mërtirit, Mariola Mërtiri, e cila është prokurore pranë Prokurorisë së Rrethit Tiranë.

Mariola Mërtiri kërkoi të qëndrojë prokurore dhe kundërshtoi shkaqet dhe kërkimin e Komisioneres Publike, Irena Nino.

Për rreth dy orë, prokurorja i dha llogari vëzhguesit ndërkombëtar, Seven Kessler, për lidhjet e mundshme me kunatin dhe të akuzuarit e tjerë për aferat e incineratorëve.

Duhet theksuar këtu se Mirel Mërtiri dhe bashkëjetuesja e tij Stela Gugallja janë dënuar për aferën në inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit, ndërkohë që janë nënë hetim për rastin e Tiranës.

Ata janë arratisur dhe kanë kërkuar azil politik në Vjenë, ndërkohë që janë në kërkim nga autoritetet shqiptare.

Por kunata e “trurit” të inceneratorëve, pretendoi se lidhjet e saj me Mërtirin janë keqinterpretuar për një çështje që sipas saj nuk ka të bëjë me procesin e vetingut dhe që po hetohen nga një institucion i specializuar.

KPA, 7 orë pyetje/ Kunata e Mirel Mërtirit kërkon të

Shkaqet për pasurinë

Si burime për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 83.88 m2 në Fier kundrejt çmimit 4.5 milionë lekë, pasuri e porositur në vitin 2011, subjekti ka deklaruar 1 milion lekë dhuruar nga vëllai i bashkëshortit, Mirel Mërtiri; 1 milion e 260 mijë lekë të dhuruara nga vjehrri dhe 2 milion e 240 mijë lekë me një kredi të butë të përfituar për strehim me vendim të Këshillit të Bashkisë Fier.

Komisionerja Nino u shpreh se e gjen jo bindës arsyetimin e Komisionit, se subjekti duhet të justifikojë burimin e ligjshëm brenda kufijve të shumës objekt dhurimi. Sipas Komisioneres, vlerësimi i KPK nuk duket shterues, pasi kanë rezultuar fakte se kunati ka investuar në aktivitet privat shuma të konsiderueshme dhe se të ardhurat e krijuara janë deklaruar si një nga burimet e shumës 1 milion lekë që i është dhuruar. Sipas Ninos, në analizë duhen përfshirë edhe shpenzimet të cilat kanë shërbyer për krijimin e biznesit nga i cili janë gjeneruar të ardhurat për vlerën e dhuruar me argumentin se paraqesin lidhje organike dhe logjike.

Ngjashëm, Nino kërkon që të përfshihet në analizë edhe investimi i kryer nga kunati në vitin 2004 në një shoqëri, pasi si një nga burimet e dhurimit janë deklaruar të ardhurat nga punësimi në atë subjekt.

Bazuar në këtë analizë, Komisionerja Publike vlerëson se prokurorja Mërtiri nuk arriti të vërtetojë se Mirel Mërtiri ka pasur burime financiare të ligjshme për krijimin e shumave të dhuruara.

Nino vlerëson se nuk është arritur të vërtetohet as mundësia e vjehrrit për dhurimin e shumës 1 milion e 260 mijë lekë. Sipas Komisioneres, në analizën financiare të vjehrrrit duhet përfshirë një shumë 4 milionë lekë që ai i ka dhënë bashkëshortit të subjektit për të investuar në një shoqëri, ndërkohë që nuk duhen konsideruar të ardhurat nga dhënia me qira e një automjeti të llojit autobus, si dhe nga shitja e kësaj pasurie, pasi nuk janë provuar burimet e krijimit të tyre, të ardhurat nga emigracioni, raporton Birn.

Prokurorja Mërtiri deklaroi në seancë se shkaqet e nrgitura nga Komisionerja nuk qëndrojnë dhe se bien në kundërshtim me ligjin dhe parimet e objektivitetit e propocionalitetit. “Shkelin haptazi prezumimin e pafajësisë,” theksoi ajo.

Mërtiri këmbënguli se kishte dorëzuar prova që vërtetonin burimet e ligjshme të dhuruesve për krijimin e shumave. Sipas saj, vetëm të ardhurat nga pagat e personave të tjerë të lidhur përmbushin mundësinë e tyre për dhurimet e kryera.

Subjekti pohoi se Nino e konsideronte rastin e saj si specifik, por pa e shpjeguar përse. Ajo vërejti se në kohën kur janë krijuar shoqëritë dhe kur janë kryer këtë transaksione prej kunatit dhe vjehrrit, ajo nuk njihej ende me bashkëshortit dhe nuk kishte filluar të ushtronte detyrën e prokurores.

Ajo solli në vëmendje se kunati dhe vjehrri janë persona të tjerë të lidhur dhe nuk mund të shtrihet analiza financiare në gjithë veprimtarinë e tyre ekonomike. Subjekti pretendoi se verifikimi i pasurive të dhuruesve shumë kohë para se të kryhej dhurimi, binte në kundërshtim me legjislacionin.

Po ashtu, u parashtrua se ka qenë e pamundur që të sigurohen të dhëna për të ardhurat nga puna e vjehrrit në Greqi gjatë viteve 1992-1998, kohë në të cilën subjekti kishte qenë e mitur.

Nino trajtoi edhe mënyrën e përfitimit të kredisë së butë nga ana e subjektit. Sipas Komisioneres, ky shkak ankimi vlerësohet i ndërlidhur edhe me etikën e magjistratit dhe përbën bazë për një vlerësim tërësor të çështjes.

Sipas Ninos, subjekti ka përfituar në vitin 2010 një kredi me kushte lehtësuese me vendim të Këshillit të Bashkisë Fier, në një kohë kur ka qenë duke ushtruar funksionin e prokurores në atë qytet.

Shumica e KPK ka vlerësuar se përzgjedhja e familjeve përfituese bëhet nëpërmjet një sistemi pikëzimi, ndërsa shitja më vonë e kësaj banese të paguar pjesërisht me kredi të butë të përfituar si e pastrehë, nuk është gjetur problem.

Nino u shpreh se përfundimi i KPK nuk është rrjedhojë e një vlerësimi tërësor të fakteve dhe  interpretimit të drejtë të ligjit të posaçëm. Komisonerja vlerëson se kushtet ligjore nuk plotësohen nga ana e subjektit, pasi të ardhurat e familjes së saj kanë qenë më të larta se baza e vendosur nga Këshilli Bashkiak për raste të ngjashme.

Në vijim, Nino konstatoi se Mërtiri nuk arriti të provojë humbjet e pretenduara nga një investim i bashkëshortit. Ajo shtoi, se subjekti e ka shitur këtë banesë të përfituar nga programet sociale, megjithëse vijon të paguajë kredinë e butë – duke e konsideruar këtë veprim juridik në kundërshtim me ligjin “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”, i ndryshuar.

KPA, 7 orë pyetje/ Kunata e Mirel Mërtirit kërkon të

Komisionerja Publike vlerëson se Mërtiri ka qenë përfituese jashtë kritereve ligjore të kredisë lehtësuese. “Duket se ky përfitim është rrjedhojë e funksionit që ushtronte subjekti duke rënë ndesh me përmbushjen e standardeve të etikës profesionale”, pohoi Nino dhe shtoi se kjo situatë vlerësohet edhe në raport me procedimet penale që subjekti ka trajtuar ndaj Bashkisë Fier, çmimin në dukje preferencial dhe shitjen e këtij aseti në kundërshtim me ligjin. Sipas Ninos, në vlerësimin tërësor të çështjes, duket se subjekti ka cënuar besimin e publikut.

Për këto shkaqe paraqiti kundërshtime përfaqësuesja ligjore e Mërtirit, avokatja Romina Zano. Ajo theksoi se nuk ka pasur ndonjë kategori përjashtuese për përfitimin e kredisë dhe shtoi se duhej të plotësoheshin kushtet si i pastrehë, që ishte familje e re, të dy anëtarët së bashku deri në moshën 60 vjeç. Sipas Zanos, gjendja ekonomike vlerësohej mbi bazën e të ardhurave. Ajo sqaroi se bashkëshorti i subjektit kishte qenë i papunë gjatë vitit 2011 dhe për rrjedhojë u ishin pakësuar të ardhurat. Po ashtu, bashkëshorti nuk i kishte në gjendje të ardhurat e investuara më parë. Zano këmbënguli se Mërtiri i kishte plotësuar kriteret ligjore që kërkoheshin dhe e cilësoi paragjykuese Komisioneren Publike.

Për çmimin në dukje preferencial, Zano u shpreh se Komisionerja nuk kishte paraqitur asnjë argument se përse ishte më i ulët nga vlera e tregut. Sipas saj, ishte thuajse i njëjtë me referencën e vlerës së tregut.

Në vijim, për hetimin e disa çështjeve për bashkinë, u argumentua se vendimi për kredinë ishte marrë nga Këshilli Bashkisë dhe se në këtë institucion kolegjial, nga bashkia bënte pjesë vetëm kryetari që përfaqëson një votë.

Lidhur me pretendimin e ngritur për shitjen e apartamentit, Zano vërejti se ndalimi i një transaksioni të tillë për një periudhë kohe ishte për ata që përfitonin banesa sociale. Sipas saj, Mërtiri e ka blerë apartamentin me kosto të tregut.

Për konstatimin e Ninos lidhur me mospasqyrimin në deklaratën “veting” të aksioneve të bashkëshortit në një shoqëri, Zano vërejti se subjekti e ka kryer këtë deklarim në vitet 2006 dhe 2007. Sipas saj, nisur nga fakti se prej vitit 2007 kjo shoqëri nuk kishte gjeneruar aktivitet dhe për arsye se ishte konsideruar si dështim, nuk e kishin deklaruar. “Subjekti ka vlerësuar se nuk mund të konsiderohej si pasuri dhe nuk e ka deklaruar në deklaratën ‘veting”, pohoi Zano.

Nino vlerëson se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë për burimet e një automjeti të blerë nga bashkëshorti përpara lidhjes së martesës.

Subjekti pohoi se mjeti është blerë para fillimit të detyrës dhe se ky mjet ishte çregjistruar përpara lidhjes së martesës. Ky pretendim i Komisioneres Publike u cilësua nga Mërtiri si pasaktësi.

Lidhjet me Mërtirin

Sipas Komisioneres Nino, Mërtiri nuk ka arritur të provojë të kundërtën e barrës së provës lidhur me mosdeklarimin e një kontakti të papërshtatshëm të saj dhe të bashkëshortit në prill të vitit 2012, kur kanë nënshkruar kontratën për apartamentin, e firmosur dhe nga një person i proceduar në Itali për krim të organizuar.

Mërtiri sqaroi se bashkëshorti ka negociuar kushtet e kontratës me një tjetër person në vitin 2011, kur dhe është bërë porosia për blerjen e apartamentit në të ardhmen. Sipas saj, shtetasi i përfshirë në krimin e organizuar ka nënshkruar kontratën në vitin 2012 tek noteri përpara se të shkonte bashkëshorti. Ajo këmbënguli se jo vetëm ajo, por as bashkëshorti nuk kishte pasur ndonjë takim të rastësishëm apo të drejtëpërdrejtë me personin në fjalë. Sipas subjektit, nuk kishte pasur të dhëna për dënimin e shtetasit G.Z. në Itali, ndërsa në medie ishin bërë shkrime vite më vonë.

Sipas Mërtirit, Komisionerja nuk ka sqaruar se kush është kontakti i papërshtatshëm dhe se pretendimet e saj bien ndesh me procesin e rivlerësimit kalimtar.

Por Nino nuk i gjen të bazuara në provat e administruara shpjegimet e subjektit. Ajo sjell në vëmendje një kërkesë të subjektit për heqje dorë nga hetimi një procedimi të shtetasit në fjalë. Sipas Ninos, rezulton se subjekti ka pasur dijeni të plotë, si për faktin e problemeve ligjore me drejtësinë të shtetasit G.Z., ashtu dhe për faktin e kontaktit me këtë person në muajin prill të vitit 2012, kohë në të cilën së bashku me bashkëshortin kanë hyrë në marrëdhënie kontraktuale me atë person.

Nino deklaroi se mosdeklarimi i këtij kontakti ka shkaktuar pasaktësi në plotësimin e formularit për pastërtinë e figurës dhe se kjo rrethanë përbën një të metë që mund të konsiderohet si deklarim i pamjaftueshëm.

Edhe vëzhguesi ndërkombëtar, Steven Kessler ngriti pikëpyetje mbi faktin se si kishte kërkuar të hiqte dorë nga hetimi i G.Z., ndërkohë që deklaronte se nuk e njihte e nuk kishte pasur asnjëherë kontakt me atë person.

Mërtiri sqaroi se kur kishte të bënte me hetimin e çështjeve të asaj rëndësie, verifikonte gjithë dokumentet për të konstatuar nëse kishte ndonjë arsye për t'u gjendur në kushtet e heqjes dorë ose jo.

Komsionerja Nino ndan vlerësim të ndryshëm edhe për faktet dhe rrethanat e konstatuara për kontaktet e papërshtatshme me të akuzuarit për aferat e incineratorëve, Mirel Mërtirin dhe bashkëjetuesen e tij, Stela Gugallian, si dhe për Klodian Zoton. Sipas Ninos, kjo vjen si pasojë e punësimit të bashkëshortit të subjektit në kompani të krijuar nga këta shtetas, përdorimi automjeteve apo udhëtimet, raporton Birn.

Nino renditi të gjitha të dhënat e konstatuara në lidhje me personat e përfshirë në aferën e incineratorëve. Ajo konstatoi dy udhëtime, një në vitin 2016 kur subjekti dhe bashkëshorti kanë udhëtuar se bashku me Gugalljan dhe tjetri në 2018-ën, në drejtim të Vjenës pë të vizituar kunatin, Mirel Mërtirin, për arsye shëndetësore të këtij të fundit.

Sipas Komisioneres, në vitin 2018, shoqëritë e tre të akuzuarve, Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto janë referuar në media si të përfshira në korrupsion në çështjen e incineratorëve. Ndërkohë, sipas saj, ka rezultuar se në janar të vitit 2019, subjekti ka përdorur automjetin në pronësi të njërit prej të akuzuarve, që rezulton të jetë përdorur dhe nga katër persona të tjerë të hetuar po për aferën e incineratorëve.

Nino parashtroi se në qershor të vitit 2020, në media u raportua dorëzimi i një kallëzimi penal pranë SPAK lidhur me çështjet e incineratorëve, kompanitë dhe personat e përfshirë. Sipas saj, në nëntor të atij viti u regjistrua procedimi penal, ndërkohë që bashkëshorti ka përdorur automjetin që i përkiste një prej shoqërive të përfshira.

Sipas Komisioneres, nga maji i vitit 2021 deri në nëntor të 2022-it, janë marrë me radhë nën hetim personat e përfshirë në këtë aferë, mes tyre edhe kunati i subjektit dhe bashkëjetuesja e tij, ndërkohë që bashkëshorti i prokurores Mërtiri ka punuar deri në gusht të vitit 2022 në një prej shoqërive nënkontraktore me pagë shumë të lartë.

Nino vlerëson se ekzistojnë një seri e qartë faktesh dhe rrethanash, të provuara nga aktet e administruara, që tregojnë për një vazhdimësi lidhjeje midis subjektit të rivlerësimit, bashkëshortit të saj, kunatit, kunatës dhe vjehrrit gjatë viteve 2002-2022. Komisionerja vëren se kunati i subjektit dhe bashkëjetuesja e tij janë hetuar nga SPAK për aktivitete të krijuara prej vitit 2011 e në vazhdim dhe janë deklaruar fajtorë në lidhje me çështjet e incineratorëve.

Në përfundim të parashtrimit të këtij shkaku, Nino vlerëson se nga momenti kur çështja e aferës së incineratorëve u bë publike në vitin 2018 e në vijim, si dhe vendosja e sekuestrove mbi pasuritë e shoqërive të administruara nga familjarët e bashkëshortit të subjektit, kanë lidhje me vlerësimin në drejtim të ndikimit që kanë në besimin e publikut, për qëllim të procesit të rivlerësimit.

Mërtiri i kundërshtoi konstatimet e Komisioneres, duke i cilësuar në kundërshtim me ligjin për procesin e rivlerësimit. Ajo tha se nuk ka asnjë provë që bashkëshorti të ketë bashkëpunuar me familjarët e tij të akuzuar dhe theksoi se sapo ndaj tyre ka filluar hetimi për këto çështje kanë ndërprerë çdo lloj komunikimi.

Subjekti vërejti se e vetmja marrëdhënie biznesi mes bashkëshortit dhe vëllait të tij ka qenë ajo e viteve 2004-2007, kur sipas saj nuk ka sjellë ndonjë të ardhur.

Mërtiri nuk pranoi që mjeti në vitin 2019 të ishte përdorur prej saj. Ajo shtoi se kur ka udhëtuar një herë drejt Malit të Zi, asnjë prej personave në fjalë nuk ka qenë i proceduar dhe për rrjedhojë nuk mund të konsiderohen si persona të papërshtatshëm.

Lidhja është për shkak të ligjit, martesës time. Sqaroj se nga momenti që u njoftuam se ndaj tyre ishte regjistruar procedim penal, kontakti me ata është ndërprerë. Të dhënat e TIMS konfirmojnë se edhe më parë, marrëdhënia ime me këta persona ishte indiferente,” theksoi Mërtiri.

Ajo deklaroi se në vitin 2019 ka qenë vetëm bashkëshorti në Vjenë për të vizituar të vëllanë që po i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale, ndërsa u shpreh se nuk e dinte përse Komisionerja parashtronte se kishte qenë edhe subjekti. “Komisionerja bën pjesë ankimi gjëra të paqëna,” pohoi Mërtiri.

Lidhur me punësimin e bashkëshortit, ajo tha se ai asnjëherë nuk kishte qenë drejtues, por thjesht i punësuar.

Në vijim, Mërtiri solli në vëmendje se dënimi ndaj personave të tjerë të lidhur nuk është i formës së prerë dhe sipas saj, nuk duhej që këto çështje të ishin bërë pjesë e seancës publike.

Kessler e pyeti gjatë subjektin, mes të tjerash edhe për marrëdhëniet e saj dhe të bashkëshortit me vëllanë e këtij të fundit, Mirel Mërtirin dhe bashkëjetuesen e tij, Stela Gugallja.

Në funksion të pyetjeve të Kessler, ajo sqaroi se dy fëmijët e mitur të kunatit i kishin vizituar me raste dhe u kishin bërë dhurata simbolike kur kishin pasur datëlindjet. Ajo pranoi se kishte udhëtuar një herë në Vjenë në vitin 2016, ndërsa në 2019 ritheksoi se kishte udhëtuar vetëm bashkëshorti për të parë të vëllanë e sëmurë.

Kur u pyet se ku gjendej aktualisht Mirel Mërtiri, subjekti deklaroi se nuk e dinte pasi nuk kishte asnjë kontakt. “Nëse u referohemi medieve mund të jetë në Austri,” pohoi ajo dhe shtoi se takimi i fundit që ka pasur bashkëshorti me të vëllanë ka qenë përpara se ky i fundit të procedohej.

Sipas subjektit, bashkëshorti i saj kishte vendosur të qëndronte indiferent për këtë çështje, duke pritur vendimarrjet e institucioneve përkatëse.

Në përgjigje të pytjeve të njëpasnjëshme të Kessler, Mërtiri sqaroi se bashkëshorti ka qenë vetëm i punësuar në shoqëritë e krijuara nga kunati dhe bashkëjetuesja e tij. Disa herë ajo theksoi se nuk e kuptonte kontekstin e pyetjeve.

Kessler e pyeti nëse gjithë transaksionet e kryera, nga dhurimet e deri tek procedimet e kunatit dhe bashkëjetueses së tij ndikonin në cënimin e besimit të publikut. Subjekti e cilësoi si një qëndrim të vëzhguesit ndërkombëtar dhe jo si pyetje. Ajo tha se ka vetëm një transaksion në vitin 2011, ndërsa për rrethanat e personat e tjerë të referuar nga Kessler apo nga media, pohoi se mund të kenë të bëjnë me personat e tjerë të lidhur.

Sipas Mërtirit, ligji po keqintepretohej për një çështje që është nën hetim.

“Nuk mund të kryqëzohem unë për vëllanë e bashkëshortit,” pohoi prokurorja Mërtiri ndër të tjera.

Profesionalizmi

Nino konstatoi se subjekti ka hetuar shoqërinë Albpetrol sh.a. në kushtet në dukje të konfliktit të interesit, pasi në atë periudhë ka qenë i punësuar bashkëshorti. Po ashtu, për këtë çështje të pushuar nga Mërtiri me arsyetimin se nuk kishte vepër penale, Komisionerja evidenton disa probleme. Sipas Ninos, gjendet i pambështetur pretendimi i subjektit të rivlerësimit se nuk ka afat ligjor në fazën e kryerjes së verifikimeve të materialit kallëzues.

Po ashtu, konstatohet se megjithëse në aktet e procedimit penal një prej përfaqësuesve të shoqërive pjesëmarrëse në një tender të Albpetrol ka ngritur dyshime për veprime korruptive, subjekti nuk ka mbledhur tabulatet telefonike, të cilat do të mund të hidhnin dritë mbi komunikimet mes anëtarëve të Komisionit apo zyrtarëve të tjerë të lartë të kompanisë me rojat.

Nino kërkon që kjo çështje të shqyrtohet në drejtim të aftësisë për të hetuar, për të marrë urdhëra dhe vendime. Ajo vlerëson se gjendja e konfliktit të interesit në këtë çështje e disa të tjera me shoqërinë Albpetrol, përbëjnë bazë për të vlerësuar në tërësi çështjen.

Në vijim, Nino konstatoi se subjekti ka vendosur në vitin 2020 mosfillimin e një çështje në ngarkim të një subjekti rivlerësimi, me argumentin se çështja administrative e rivlerësimit të tij është ende në shqyrtim në KPA.

Mërtiri ka vendosur mosfillimin e hetimit për një material kallëzues ku kërkohej të kontrollohej dhe vlerësohej përdorimi i të ardhurave të Bashkisë Fier gjatë vitit 2011, si dhe ndërtimi i Pallatit të Sportit në këtë qytet.

Sipas Ninos, vendimi i mosfillimit të procedimit penal nga ana e subjektit të rivlerësimit, përmban mangësi në arsyetim dhe justifikimit të mungesës së ndërmarrjes së veprimeve hetimore të duhura. Ndërkohë, konstatohet se subjekti gjendej në kushtet e konfliktit të interesit, pasi në 2011-ën kishte përfituar kredinë e butë.

Situatë të ngjashme, Nino kosntatoi për një tjetër kallëzim ndaj Bashkisë Fier për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Komisionerja Publike u shpreh se procedimet e marra në në shqyrtim, për të cilat në të gjitha rastet subjekti ka vendosur mosfillim apo pushim të procedimit penal, përmbajnë të meta të dukshme dhe mungesë arsyetimi, që duhen trajtuar në drejtim të aftësive për të hetuar, për të marrë urdhra dhe vendime. Sipas Ninos, në rastet e trajtuara rezulton se subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e konfliktit të interesit, rrethanë që së bashku me mangësitë e tjera konsiderohet e mjaftueshme për të vlerësuar në tërësi çështjen.

Në përfundim, Nino kërkoi shkarkimin nga detyra të prokurores Mariola Mërtiri.

Prokurorja Mërtiri sqaroi se nuk ka kryer përgjime për kallëzimin e kryer ndaj Albpetrol, pasi udhëzimet e prokurorit më të lartë në atë kohë kanë qenë të detyrueshme. Ajo pretendoi se nuk qëndrojnë konstatimet e Komisioneres dhe theksoi se vendimarrja e saj është gjetur e drejtë nga drejtuesi i prokurorisë dhe kallëzuesi, i cili nuk ka ushtruar ankim.

Konstatimin për mosarsyetim të vendimit, subjekti e cilësoi si një koment të Ninos. Ajo shtoi se konstatimi i Komisioneres se bashkëshorti ka qenë i punësuar në vitin 2012 ishte i qëllimshëm, pasi nuk ishte i vërtetë. Sipas Mërtirit, bashkëshorti e kishte filluar punën në Albetrol në tetor të 2013-ës. Subjekti shtoi, në këtë shoqëri ka dhjetëra drejtori dhe punët janë të ndara dhe se duhej të hiqte dorë vetëm nëse bëhej fjalë për punëdhënësin e bashkëshortit.

Mërtiri pohoi se ka qenë gjithmonë e kujdeshme të hiqte dorë nga çështjet kur gjendej në kushtet e konfliktit të interesit.

Për një çështje për të cilën Nino tha se vendimarrja e subjektit dhe Shkallës së Parë për pushimin e çështjes ishte rrëzuar nga Apeli, subjekti vërejti se dhe pas hetimeve nga dy prokurorë të tjerë ishte arritur sërish në të njëjtin rezultat. “Nuk e kuptoj pse Komisioneri Publik nuk e ka pasqyruar të plotë”, tha subjekti.

Lidhur me kredinë e butë, ajo tha se kjo situatë duhet parë në drejtim të forcimit të besimit të publikut. Mërtiri vërejti se Komisionerja Publike nuk mund të hynte në arsyetimin logjik të vendimeve. Ajo theksoi se ishte vlerësuar gjithmonë shumë mirë dhe kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit.

Lajmet e fundit nga