web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

“Final Four”/ Elbasani fiton pastër ndaj Dinamos, kampioni vendoset javën e fundit

24 Maj 2026, 21:04, Sport CNA

“Final Four”/ Elbasani fiton pastër ndaj Dinamos, kampioni

Elbasani ka marrë një fitore të rëndësishme në garën për titullin kampion, duke mposhtur Dinamon me rezultatin e pastër 3-0 në raundin e dytë të fazës “Final Four”. Momenti që ndryshoi rrjedhën e takimit erdhi në minutën e 20-të.

Mesfushori i Dinamos, Gudiaby, u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj Manellarit, duke lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë. Pas superioritetit numerik, Elbasani shtoi ritmin dhe gjeti golin e avantazhit. Në minutën e 25-të, Loukili krosoi saktë në zonë dhe Tsague me një goditje me kokë e dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 1-0.

Elbasani nuk u ndal me kaq. Vetëm dy minuta më vonë, Tsague realizoi edhe golin e dytë personal. Sulmuesi përfitoi nga një gabim i mbrojtësit Jorgo Meksi dhe me një parabël mposhti sërish Teqjan, duke dyfishuar avantazhin e verdhebluve në minutën e 27-të.

Dinamo u shfaq në vështirësi për të reaguar dhe pjesa e parë u dominua plotësisht nga Elbasani. Dialo pati dy mundësi të mira për të shënuar, ndërsa goli i tretë erdhi pak para fundit të fraksionit të parë. Pas një goditjeje të Loukilit dhe një topi të grushtuar nga Teqja, Dialo ishte i vëmendshëm në zonë dhe e dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 3-0.

Në pjesën e dytë ritmi i lojës ra ndjeshëm. Elbasani administroi avantazhin, ndërsa Dinamo nuk arriti të krijonte raste të rrezikshme për t’u rikthyer në lojë.

Në fund të takimit, festa ishte e gjitha për Elbasanin. Verdheblutë ngjiten në kuotën e 34 pikëve dhe ndajnë vendin e parë me Egnatian, duke e shtyrë vendimin për titullin kampion në javën e fundit të “Final Four”. Nga ana tjetër, Vllaznia mbetet në vendin e tretë me 31 pikë, ndërsa Dinamo me 27 pikë del zyrtarisht jashtë garës për titullin.

Tashmë gjithçka do të vendoset në ndeshjet e fundit të sezonit. Elbasani do të përballet me Vllazninë, ndërsa Egnatia do të luajë ndaj Dinamos. Të dyja sfidat do të zhvillohen më 31 maj në orën 19:00, respektivisht në stadiumet “Air Albania” dhe “Elbasan Arena”.





Lajmet e fundit nga