web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Sulm në Berlin/ Një viktimë dhe 16 persona të plagosur

26 Korrik 2026, 13:49, Kosova & Bota CNA

Sulm në Berlin/ Një viktimë dhe 16 persona të plagosur

Një person ka humbur jetën dhe të paktën 16 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një sulmi me automjet gjatë Paradës së Krenarisë "Christopher Street Day" (CSD) në Berlin.

Sipas autoriteteve gjermane, ngjarja ndodhi në zonën e Tiergarten, ku një automjet u fut në turmën e pjesëmarrësve. Pas përplasjes, një ose disa persona dyshohet se janë larguar nga vendi i ngjarjes. Policia po heton gjithashtu informacionet se disa prej të plagosurve mund të jenë sulmuar edhe me mjete prerëse ose therëse.

Hetuesit kanë shpallur në kërkim 21-vjeçarin Abdul B., i cili dyshohet si autori i sulmit. Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të mos i afrohen të dyshuarit, pasi konsiderohet i armatosur dhe i rrezikshëm. Sipas autoriteteve, ai është rreth 1.90 metra i gjatë, me trup të hollë dhe flokë të zinj.

Sipas policisë, 21-vjeçari është i njohur për organet e rendit për shkak të lidhjeve të dyshuara me organizatën terroriste "Shteti Islamik" (ISIS). Ai ka qenë më parë objekt hetimesh për përgatitje të një vepre terroriste sipas nenit 89a të Kodit Penal gjerman dhe, sipas autoriteteve, ka pranuar se kishte pasur kontakte me këtë organizatë. Gjithashtu, ai ka vuajtur më herët një dënim me burg.

Megjithëse motivet dhe rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende nën hetim, autoritetet dyshojnë se sulmi është kryer me dashje, me synimin për të shkaktuar viktima.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të menjëhershme nga drejtuesit më të lartë të shtetit gjerman. Kancelari Friedrich Merz e cilësoi sulmin si një "akt të neveritshëm", ndërsa Presidenti Frank-Walter Steinmeier deklaroi se bëhet fjalë për një sulm ndaj shoqërisë së hapur dhe bashkëjetesës. Edhe ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, e dënoi ashpër sulmin, duke u zotuar se autoritetet do të zbardhin sa më shpejt rrethanat e krimit dhe do t'i vënë autorët përpara drejtësisë./ CNA





Lajmet e fundit nga