web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Budimir nderon Kroacinë/ Ballkanasit dy rrugë për kualifikim

24 Qershor 2026, 09:44, Sport CNA

Budimir nderon Kroacinë/ Ballkanasit dy rrugë për kualifikim

Kroacia ka rikthyer shpresat për kualifikim në Kupën e Botës pas fitores minimale 1-0 ndaj Panamasë në Grupin L. Sfida tepër e luftuar, me ekipin ballkanas që kërkoi vazhdimisht golin e avantazhit për të mbajtur gjallë objektivin e tyre në këtë kompeticion.

Pas një pjese të parë të ekuilibruar dhe pa gola zhbllokimi i duelit erdhi pas 56 minutave lojë. Protagonist ishte sulmuesi veteran Ante Budimir. 34-vjeçari i Osasunas në Spanjë shfrytëzoi më së miri një rast të krijuar në zonë dhe dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë Kroacisë 3 pikë të arta. Pas golit të Budimir-it, kroatët administruan me kujdes avantazhin, ndërsa Panamaja tentoi të reagojë, por pa mundur të gjejë rrugën e rrjetës.

Mbrojtja ballkanase qëndroi e fortë deri në vërshëllimën e fundit të arbitrit, duke siguruar fitoren e parë në grup. Ky sukses e ngjit Kroacinë në vendin e tretë të renditjes me 3 pikë, duke e mbajtur ende në garë për një vend në fazën tjetër të turneut përmes një vendi të dytë ose si një ndër skuadrat e treta të renditura më mirë. Në krye të Grupit L qëndron Anglia me 4 pikë, po aq sa edhe Gana që renditet në vendin e dytë. Diferencat e vogla në renditje bëjnë që gjithçka të mbetet e hapur për ndeshjet e mbetura.

Në anën tjetër, humbja ndaj Kroacisë rezulton fatale për Panamanë. Me zero pikë pas dy ndeshjeve, përfaqësuesja nga Amerika Qendrore mbetet në fund të tabelës dhe i jep fund aventurës së saj në Kupën e Botës 2026./CNA





Lajmet e fundit nga