Rikthehen vdekjet nga COVID-i, dhe qindra raste të reja/ A do të shtrëngohen sërish masat kufizuese?

29 Qershor 2022, 20:07, Sociale CNA
Rikthehen vdekjet nga COVID-i, dhe qindra raste të reja/ A do të
Erion Dasho, Ekspert i Shëndetit Publik

Ditët e fundit në vendin tonë është raportuar një rritje e ndjeshme e rasteve të reja me COVID, ndërsa janë regjistruar dhe humbje jete, pas më shumë se dy muajsh.

Vetëm sot ka pasur 581 qytetarë të infektuar, ndërsa ekspertët e shëndetësisë thonë se kjo rritje mund të arrijë kulimin në muajin korrik.

Lidhur me këtë situatë për CNA.al, ka folur dhe Erion Dasho, Ekspert i Shëndetit Publik në Gjermani.

Dasho tha se kjo rritje është konstatuar në shumë vende të Europës, ku janë analizuar edhe shkaqet. Dhe kryesisht ka të bëjë me ardhjen e stinës së verës, grumbullimet karakteristike dhe lehtësimin e masave.

Megjithatë, kjo rritje në vendin tonë është më e lartë se në shumë vende të Europës dhe për këtë duhet një analizë e hollësishme për të parë shkaqet hipotetike.

“Është një rritje që është konstatuar në shumë vende, jo vetëm në Shqipëri. Në vendet europiane ku janë analizuar shkaqet e kësaj rritjeje, besohet se është ardhja e stinës së verës, grumbullimet karakteristike të qytetarëve, në fundjava sidomos. Dhe natyrisht lehtësimi i masave të tjera.

Pra, të gjitha këto kanë bërë që të kemi një rritje të rasteve, por që fatmirësisht nuk u shoqërua me rritje të shtrimeve në spital, të shtrimeve në pavionet e kujdesit intensiv apo me humbje jete.

Pra, këta tre indikatorë shumë më të rëndësishëm se numri i rasteve, vazhdojnë të jenë akoma në nivele jo shqetësuse.

Për sa i takon Shqipërisë, rritja është më e lartë, është shumë më e lartë me rritjen që ndodh në vende të tjera të Europës. Duhet natyrisht një analizë e hollësishme dhe këtu duhet të hyjë në lojë edhe Komiteti i Ekspertëve, duhet të hyjë në lojë edhe Instituti i Shëndetit Publik për të parë shkaqe hipotetike. Shkaqe hipotetike, e theksoj, mund të jenë rënia e përgjithshme e imunitetit, duke qenë se në Shqipëri nuk është kryer vaksinimi i personave që e kanë kaluar COVID-in, nuk është kryer rivaksinimi i personave të vaksinuar me dy doza. Është përdorur masivisht vaksina Coronavac mbi të cilën ka hije dyshime se sa efektive është.

Pra, të gjitha këto, mund të kenë sjellë një situatë ku imuniteti në raport me variantet e reja sidomos, të COVID-it ka rënë dhe për këtë arsye kemi dhe këtë rritje rastesh.

Gjithsesi rreth 600 raste në ditë nuk janë shumë, por sigurisht duhet vlerësuar gjendja reale, sa raste janë realisht pasi dihet se gjatë gjithë pandemisë, numri i rasteve të diagnostikuara dhe rasteve reale ka qenë shumë shproporcional”, theksoi Dasho.

I pyetur nëse mund të kemi sërish një shtrëngim të masave nëse vijon të rritet numri i infektimeve, Dasho tha se nuk besoj se do të ndodhë diçka e tillë, pasi nuk është numri i rasteve të reja tregues, por shtrimet në spitale, në kujdesin intensive dhe numri i jetëve të humbura.

“Nuk besoj, të paktën në Europë flitet se nuk do të ketë shtrëngim të masave. Mos të harrojmë se Gjermania para tre muajsh, në mes të muajit mars kur kishte dhe numrin më të lartë të rasteve të konstatuara gjatë pandemisë, kalonte 300 mijë raste në ditë, në atë kohë lehtësoi dhe më tej masat. Pra nuk është numri i rasteve, tregues, por është numri i shtrimeve në spital, numri ishtrimeve në repartet e kujdesit intensive, apo numri i humbjeve të jetës. Në këto kushte, unë besoj se Europa nuk do të ketë shtrëngim masash.

Për sa i takon Shqipërisë, e thashë edhe më parë, duhet një analizë e shkaqeve që kanë çuar në këtë rritje dhe sigurisht ashtu sikurse të gjitha qeveritë, kanë nxjerrë programe shumë të detajuara, përsa i takon vaksinimit, edhe qeveria shqiptare, Instituti Shëndetit Publik, Ministria e Shëndetësisë, Komiteti Ekspertëve, duhet patjetër të diskutojnë strategjinë e vaksinimit.

Një strategji që nuk duhet të jetë një masë u shkon të gjithëve. Mar përshembull strategjia e CDC amerikane, është e tillë që merr parasysh vaksinat që ka kryer individi, moshën e qytetarëve, kalendarin e vaksinimit, kohën nga vaksina e fundit dhe rekomandimet janë pothuajse të personalizuara. Kurse nëqoftëse nuk ndërtohet një strategji e tillë dhe në Shqipëri që të marrë parasysh kryesisht të dhënat që i takojnë grupeve vurnerabël, atëherë është e kotë, një masë nuk u shkon të gjithëve, sa më të individualizuara”, tha ai./E.T-CNA.al

Lajmet e fundit nga