LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ndikimi i Rusisë në Ballkan po rritet pikërisht kur po cenohet paqja e brishtë e rajonit

19 Korrik 2022, 09:36, Blog Andi Hoxhaj

Ndikimi i Rusisë në Ballkan po rritet pikërisht kur po cenohet

Bashkimi Europian vazhdon të mbajë Shqipërinë, Bosnje Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë në listën e pritjes për t’u anëtarësuar në union, pavarësisht nga mundësia që rajoni të afrohet edhe më shumë me Rusinë.

Rusia ka qenë prej kohësh një forcë me ndikim në Ballkanin Perëndimor, nga ndihma për krijimin e shoqatave pro-ruse, te ndërtimi i projekteve të rëndësishme në sektorin e naftës dhe gazit. Lëvizjet për të nxitur tensionet etnike midis boshnjakëve dhe serbëve, duket se kanë miratimin e Moskës.

Ndërkohë, Milorad Dodik, anëtari aktual serb i presidencës së Bosnjë Hercegovinës, e ka mbështetur krijimin e dy republikave të vetëshpallura në Ukrainë, duke u rreshtuar pas presidentit rus Vladimir Putin. Bosnja ka një presidencë 3-anëtarëshe, të përbërë nga një anëtar nga secili prej tri grupeve kryesore etnike të vendit: boshnjakët, serbët, kroatët.

Shteti përbëhet nga dy entitete autonome: Federata e Bosnje Hercegovinës dhe Republika Srpska, dhe një njësi e tretë, Distrikti Brcko. Dodik po vazhdon me planet e tij për të krijuar një ushtri të re serbe, dhe përkrah hapur një lëvizje separatiste që mund ta ndajë përgjysmë Bosnje-Hercegovinën.

Gjermania sapo ka njoftuar se do të ngrijë projektet infrastrukturore me vlerë 120 milionë euro në rajonin serb të Bosnjës, pikërisht për shkak të shqetësimeve mbi politikat separatiste. Edhe qeveria e Britanisë së Madhe, njoftoi në prill vendosjen e sanksioneve kundër Dodik, përfshirë ndalimin e hyrjes në këtë vend, për shkak të minimit të stabilitetit të rajonit.

Analistët janë të shqetësuar se lëvizja e Dodik, mund të kërcënojë paqen që është ndërtuar me shumë vështirësi pas luftërave ballkanike që përfunduan në vitin 1999.

Por pavarësisht kësaj, zyrtarët e BE-së nuk morën pjesë as në konferencën për shtyp të planifikuar me liderët e Ballkanit Perëndimor pas samitit të fundit 2-ditor midis dy grupeve.

Shpjegimi më i qartë për këtë ngërç është se përparësi ka gjithnjë diçka tjetër, dhe aktualisht kjo është Ukraina.

Por kjo qasje e BE-së është cilësuar si e turpshme, veçanërisht në Bosnje, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Brukseli po shkakton pakënaqësi të mëtejshme, duke pasur ndaj Ukrainës një qasje të ndryshme në krahasim me atë ndaj Ballkanin Perëndimor.

Ndikimi i Rusisë në Ballkan po rritet pikërisht kur po cenohet

Qëndrimi i BE-së nuk do të kalojë pa u vënë re nga Rusia, teksa kjo e fundit vazhdon me planet e saj për të minuar më tej mbështetjen politike dhe publike për BE-në, dhe për t’i kthyer kombet e rajonit në mbështetës të saj. Ajo ka pasur tashmë njëfarë suksesi në Serbi, ku vetëm më pak se gjysma e popullsisë e mbështet tani anëtarësimin në BE.

Ndërkohë, shtetet e Ballkanit Perëndimor po përjetojnë një ikje masive të atyre që janë më të arsimuar, për shkak të rritjes së dobët ekonomike dhe mungesës së stabilitetit politik. Të rinjtë po shkojnë në vendet e BE-së në kërkim të një pune. Rajoni parashikohet të humbasë më shumë se gjysmën e qytetarëve të tij në 2 dekadat e ardhshme.

Dhe për shkak të ritmit të ngadaltë të politikës së zgjerimit, mund të mbetet pak për t’u integruar në BE. Në fillim Ballkani Perëndimor nisi diskutimin e anëtarësimit në BE në mesin e viteve 2000, por nuk ka ende konsensus nga anëtarët e BE-së për anëtarësimin e tyre të ardhshëm.

Koha që po merr ky proces po nxit qëndrimet kundër BE-së, dhe po i lë më shumë hapësirë ??Rusisë dhe Kinës për të rritur ndikimin e tyre. Por BE-ja ka nevojë për këta aleatë që të përballet me sfidat e mëdha të sigurisë. Gjithsesi, ajo po lë pas një rajon gjithnjë e më të përçarë, ku Rusia ka kultivuar grupime të ndryshme nacionaliste, dhe po përdor keqinformimin për të minuar narrativat pro-demokracisë .

Ukraina nuk ka gjasa të nisë negociatat e anëtarësimit me BE, derisa të ketë nën kontroll mbi kufijtë e saj, dhe të përmbushë një sërë kriteresh të identifikuara nga Komisioni Evropian. Këtu përfshihet verifikimi i pastërtisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve të Ukrainës, ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar të niveleve të lartë, dhe zbatimin e një ligji kundër-oligarkëve, për të kufizuar ndikimin e padrejtë të individë të korruptuar në jetën ekonomike, politike dhe publike  të vendit.

Zakonisht duhet të plotësohen disa kushte përpara se një vendi t’i jepet statusi i kandidatit, siç ishte rasti i Shqipërisë. Por BE-ja rekomandoi dhënien e statusit të kandidatit për Ukrainën, me “vetëdijen” se ajo do të ndërmarrë hapa të prekshëm drejt përmbushjes së kushteve.

Por bisedimet me nuk do të hapen derisa të tregohet qartazi, se Kievi po mbështet sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s, ka deklaruar kohët e fundit se mungesa e angazhimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor lidhur me procesin e zgjerimit, është shumë problem për sigurinë rajonale.

Ajo i kërkoi zyrtarisht NATO-s të ndërmarrë operacione paqeruajtëse për t’iu kundërvënë ndikimit rus. Po ashtu Tirana zyrtare, njoftoi projektin për ngritjen e një baze detare të NATO-s përgjatë bregdetit të saj të Adriatikut. Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar bëri thirrje për përforcime të misionit të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, sidomos në Bosnje për të promovuar stabilitetin dhe sigurinë, dhe për të kundërshtuar fushatat keq-informuese të Moskës.

Por duke e lënë në pritje Ballkanin Perëndimor që nga viti 2003, BE-ja e ka zvogëluar seriozisht ndikimin e saj atje. Si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e Veriut, i plotësuan kriteret për të çelur bisedimet e anëtarësimit që në vitin 2018. Por mungesa e një afati kohor për anëtarësimin e këtyre vendeve kandidate, do të thotë se ka më pak stimuj për reforma.

Ka edhe disa në rajon që tregojnë rastet e shteteve anëtare aktuale si Hungaria, standardet demokratike të të cilave duken të ngjashme, në mos njëjta, me ato të vendeve aspirante. BE-ja po debaton aktualisht për kalimin tek një procedurë votimi me shumicë të kualifikuar në lidhje me politikën e jashtme dhe të atë të sigurisë.

Kjo lëvizje erdhi pasi Hungaria bllokoi vendosjen e sanksioneve të BE-së kundër Rusisë mbi luftën që ka nisur në Ukrainë, nëse nuk merrte më shumë para nga fondi i rimëkëmbjes nga Covid-19. Kalimi nga votimi unanim tek ai me shumicë të cilësuar, kërkon ndryshime në traktatin e BE-së.

Por nëse BE-ja do të pranojë të zgjerojë votimin më shumicë të cilësuar edhe në fusha të reja politikash, ajo mund ta shtrijë atë edhe në politikën e saj të zgjerimit, në mënyrë që shtetet kandidate të mos bllokohen apo të përdoren si mjete pazari nga qeveritë populiste të mbështetura nga Rusia, siç po bën Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, apo siç mund të bëjë në të ardhmen Hungaria ndaj Ukrainës.

Nëse BE-ja nuk e merr aq seriozisht sa duhet ndikimin në rritje të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, rrezikon të krijojë armiq në kufijtë e saj. Dhe në kulmin e luftës Ukrainë-Rusi, kjo do të ishte vërtet shumë e rëndë.

Shënim: Andi Hoxhaj, Studiues në të Drejtën e Bashkimit Europian, Universiteti Uoruik, Britani e Madhe.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

Lajmet e fundit nga